Furqan LeadershipFurqan LeadershipFurqan Leadership

 

Shkurtimi (ar. el-hadhfu) nënkupton, që për shkak të ndonjë argumenti, ta fshehë një pjesë apo tërë të folurit. Në Kur’an përdoret shpesh, madje në forma të ndryshme. Do të paraqiste problem shumë serioz për përkthyesin fakti nëse ai nuk do të ishte në gjendje ta dallonte këtë gjë në Kur’an. Ja disa shembuj:

 

1) Fshirja e përgjigjes së betimit, për shkak të dijes së dëgjuesit për qëllimin e tij (betimit). P.sh. Allahu thotë:

 “Pasha ata (engjëj) që marrin shpirtrat me rrëmbim (përmbytshëm)! 2. Dhe ata që marrin shpirtra me lehtësim! 3. Dhe ata që notojnë me shpejtësi! 4. Dhe nxitësit të cilët me shpejtësi në vendin e vet i çojnë! 5. Dhe pasha ata që çdo çështje rregullojnë! 6. Ditën që vrullshëm bëhet dridhja.” (en-Naziat, 1-6)

Shumë nga përkthyesit mjaftohen vetëm me përkthimin e këtyre shprehjeve të ardhura në këto betime të Allahut, ndërsa lexuesi nuk e kupton qëllimin nga betimet, kështu që mbetet në një gjendje konfuzioni e paqartësie. Përkthyesi patjetër se do të duhej që të hidhte në letër edhe atë që paramendohet: ‘Do të ringjalleni dhe do të llogariteni’, për shkak se, siç dëshmohet në po këtë kaptinë, ata e mohonin ringjalljen. Allahu e përshkruan këtë besim të tyre me vetë gojët e tyre:

 “Ata (idhujtarët në dynja) thonë: “A thua do të bëhemi përsëri kështu si jemi?” (en-Naziat, 10)

 

2) Fshirja e fjalisë, sikurse në ajetin kur’anor:

 “Atij që All-llahu ia ka zgjeruar kraharorin për besimin islam, ai është në një dritë të sigurt prej Zotit të vet. Të mjerë janë ata që nga zemërfortësia e tyre nuk e përmendin All-llahun, të tillët janë në humbje të qartë.” (ez-Zumer, 22)

Pjesa e ajetit ‘Të mjerë janë ata që nga zemërfortësia e tyre nuk e përmendin All-llahun’ nënkupton se bëhet fjalë për fshirje fjalie pasi që besimtarët nuk krahasohen me ata që kanë zemra të vrazhda dhe janë lënë ashtu në padrejtësinë e tyre shpirtërore dhe në kufrin e tyre. Pra, në vend se të përmendet kjo, është përmendur vetëm pjesa që figuron.

Ngjashëm me këtë është edhe ajeti:

 “…a mos ndonjëri prej jush dëshiron të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur?…” (el-Huxhurat, 12)

Farisiu ka thënë: Pra, ashtu siç e urreni këtë, urrejeni dhe përgojimin. Ndërsa pjesa e ajetit në vazhdim: dhe t’ia keni frikën’ është lidhje (ar. el-atfu) me fjalën paraprake ‘Atë pra e urreni!’ edhe nëse është përmendur për shkak të aludimit të të folurit për të. Kjo është e ngjashme me fjalën:

gufuan…[1],

që ka domethënien se ai (Musa alejhis selam ) e goditi tokën me shkop ndërsa krojet gufuan. Pra, pjesa e ajetit:

Atë pra e urreni!

është rifillim (ar. muste’nef) nga fjalia paraprake, ndërsa pjesëza ‘f’ (ar. ف) ka ardhur për shkak se të folurit është në kuptimin e përgjigjes. Allahu sikur po i pyet:

…a mos ndonjëri prej jush dëshiron

ndërsa ata i thonë ‘jo’, dhe Ai shton

Atë pra e urreni!

Pra, ashtu siç urreni këtë, urrejeni edhe përgojimin[2].

I këtillë është edhe ajeti 171 nga kaptina el-Bekare, në të cilin Allahu i Madhëruar thotë:

 “Shembulli i (i thirrësit të) atyre që nuk besuan është sikurse i atij (bariut) që u lëshon britmë atyre (bagëtive) që nuk dëgjojnë tjetër vetëm se britmë e zë (e nuk kuptojnë). Ata janë të shurdhër, memecë e të verbër, ata nuk kuptojnë.

Imam Taberiu, duke komentuar këtë ajet, thotë: ‘Komentimin që e shoh si parësor është ai që ka dhënë Ibni Abbasi dhe ata që pajtohen me të, e i cili është: Shembulli i këshillimit të jobesimtarëve dhe këshilluesit të tyre është sikurse shembulli i bariut që thërret bagëtinë e tij ndërsa ato nuk kuptojnë asgjë nga të folurit e tij. Sa i përket lejimit të shkurtimit apo fshirjes së fjalës ‘këshilloi’, kjo është bërë për shkak të mjaftimit me shembullin e sjellë… E kemi zgjedhur këtë koment për shkak se ky ajet ka zbritur për çifutët dhe argumenti ynë, nëse dikujt i intereson, janë ajetet paraprake dhe ato pasuese që flasin për këtë. Kësisoj, ajetet e ndërmjetme është më parësore të jenë kallëzues për ta se për tjerët, përderisa nuk ka argument që flet se kallëzuesi bartet tek të tjerët…[3]

I kësaj natyre është edhe ajeti 57 nga kaptina Hud, në të cilin thuhet:

 “Nëse kundërshtoni, unë ju kumtova atë me të cilën jam dërguar te ju…

‘Kumtimi’ nuk është si përgjigje, për shkak se ka ardhur para fjalëve të tyre. Në fakt, këtu ka fjalë që paramendohen , e që janë: ‘Nëse ata ta kthejnë shpinën, atëherë unë nuk qortohem ngase unë ua kam kumtuar.

Kështu është puna edhe me ajetin 38 nga kaptina el-Enfalë:

“…po nëse vazhdojnë, ligji (i Zotit) i zbatuar ndaj të parëve është i ditur (edhe juve do t’ju zërë).”

Domethënia është: Do t’i godasë dënimi që goditi të parët e tyre.

Ngjashëm, pra në këtë formë, është komentuar edhe ajeti 58 nga e njëjta kaptinë:

 “Nëse ti e heton tradhtinë e një populli (ndaj marrëveshjes), atëherë edhe ti ua hidh atyre (marrëveshjen) në mënyrë të njëjtë, sepse All-llahu nuk i do ata që tradhtojnë (fshehurazi).”

Ajeti është komentuar kësisoj: ‘Nëse ti, Muhammed, je në dijeni për tradhtinë e një populli, me të cilin keni armëpushim apo paqe, atëherë hidhe dhe gjuaje marrëveshjen e tyre ashtu siç bënë ata. Në fakt, kjo nënkupton që ti t’i lajmërosh ata për prishjen e marrëveshjes para luftës, që të mos keqkuptohesh sikur ti e ke nisur luftën duke e thyer marrëveshjen…’[4]

 

3) Fshirja e emrit të varur (ar. el-mudaf) dhe vendosja e emrit bosht (ar. el-mudaf ilejhi) në vend të tij.

Sujuti, në veprën e tij el-Itkan, thotë: Fshirja e emrit të varur (ar. el-mudaf) në Kur’an ndodh shpesh, madje disa, si Ibni Xhinnijji, numërojnë më shumë se njëmijë raste, të cilat i ka përmendur Izzuddini në librin e tij ‘El-Mexhaz ala tertibi-s-suver vel ajat…’[5]

Ja shembuj të kësaj natyre:

Ajeti 93 nga kaptina el-Bekare:

 “…adhurimi ndaj viçit ishte përzier me gjak në zemrat e tyre…

Në komentimin e këtij ajeti, siç sqaron Ragibi në el-Mufredat, f. 258, është thënë: ‘Viçi është përmendur për shkak të dashurisë ekstreme ndaj tij, aq sa imazhi i tij është mishëruar me zemrat e tyre dhe nuk fshihet dot…’[6]

Ajeti 102 nga kaptina el-Maide:

 “Një popull që ishte para jush pat bërë aso pyetjesh, e pastaj (nuk i zbatoi) u bë mohues i tyre.”

Ata nuk u bënë mohues për shkak të pyetjes, por për shkak të mohimit të Zotit të pyetur. Kështu, për shkak se pyetja ishte shkak i mohimit, atëherë edhe iu atribuua mohimi (pabesimi) asaj…[7]

Ajeti 75 nga kaptina el-Isra:

“E atëherë Ne do ta shijonim mundimin dyfish të kësaj jete dhe dyfish të jetës tjetër…

Qëllimi është dyfishi i dënimit të jetës dhe vdekjes.

Ajeti 177 nga kaptina el-Bekare:

 “Nuk është tërë e mira (e kufizuar) t’i ktheni fytyrat tuaja nga lindja ose perëndimi, por mirësi e vërtetë është ajo e atij që i beson All-llahut, ditës së gjykimit, engjëjve, librit, pejgamberëve dhe pasurinë që e do ua jep të afërmve, bonjakëve, të varfërve, udhëtarëve, lypësve dhe (për lirimin e) robërve…

Në ajet është përmendur fjala ‘robër’ ndërsa për qëllim (ashtu siç edhe e ka përkthyer Sherif Ahmeti. përk.) është lirimi i robërve, pra jo dhënia e drejtpërdrejtë e parave atyre. [8]

 

4) Fshirja e emrit të varur (ar. el-mudaf) dhe e emrit bosht (ar. el-mudaf ilejhi)

Ndodh që emri i varur (ar. el-mudaf) t’i shtohet një emri të varur (ar. el-mudaf) dhe të fshihen që të dy ndërsa të mbetet i treti. Shembuj të kësaj natyre kemi disa nga ajetet në vijim:

Ajeti 82 nga kaptina el-Vakiah:

Dhe falënderimin për furnizimin tuaj, ju jeni që e gënjeni.”

Pra, në vend se të falënderoni për furnizimin tuaj…[9]

Ajeti 32 nga kaptina el-Haxh:

“Kjo është kështu! E kush madhëron dispozitat e All-llahut, ajo është shenjë e devotshmërisë së zemrave.”

Pra kjo është vepër e atyre që kanë zemra të devotshme.

Ajeti 7 nga kaptina el-Hashr:

Atë që All-llahu nga banorët e vendeve (jobesimtare) ia dha pa luftë të dërguarit të vet…”

Në ajet, ashtu siç e ka vënë brenda kllapave Sherif Ahmeti, synohen vendet jobesimtare.[10]

 

5) Fshirja e përgjigjes së foljes, siç është në ajetin 36 të kaptinës el-Furkan:

U thamë: “Shkoni ju të dy tek ai popull që i përgënjeshtroi argumentet Tona!” E Ne pastaj i shkatërruam ata shumë keq.”

Këtu, ndërmjet ‘…argumentet Tona…’ dhe ‘Ne pastaj…’ paramendohet fjalia foljore: ‘…ata shkuan por i përgënjeshtruan kështu…’

I këtillë është edhe ajeti 15 nga kaptina en-Neml:

Ne i patëm dhënë Davudit dhe Sulejmanit dituri, e ata të dy thanë: “I falënderohemi vetëm All-llahut që na dalloi (me të mira) mbi shumë robër të Tij besimtarë.

Ajo që paramendohet këtu, ndërmjet ‘…Sulejmanit dituri…’ dhe ‘:I falënderohemi...’ është: ‘Ata vepruan sipas saj dhe ishin të vetëdijshëm për të drejtën e mirësisë dhe nderit që iu ishte bërë, andaj edhe thanë:…’[11]

 

 

Prof.Dr.Suat Yëlldërëm

SHKAQET E KONFUZIONIT RRETH PËRKTHIMIT TË DOMETHËNIEVE TË AJETEVE TË KUR’ANIT FISNIK

Doc.prof.Dr.Hfz.Hajredin Hoxha(ish studenti i Autorit)


[1] El-Bekare, 60.

[2] El Burhan të Zerkeshiut, 3/116.

[3] Tefsiru-t-Taberijj, 2/49.

[4] Tefsire l-Hazin, 3/60.

[5] El-Itkan fi Ulumil Kur’an, 2/80.

[6] El-Burhan të Zerkeshiut, 3/148.

[7] Ibid.

[8] El-Itkan fi Ulumil Kur’an, 2/80.

[9] El-Burhan, 3

[10] Ibid.

[11] El-Kesh-shaf të Zemahsheriut, 3/278.

 

 

Burimi

0
Shopping Cart (0 items)