Shumë ajete kur’anore përcjellin një figurë dinamike me funksione të ndryshme fetare dhe tjetërsoj. Mes këtyre funksioneve, mund të përmendim të mëposhtmit: 1- Bindje ndaj Zotit,
2- Kundërshtimi i dëshirave dhe cytjeve të Shejtanit,
3- Të kapurit fort pas udhërrëfimit islam dhe mosshmangia nga mësimet e tija hyjnore; përndryshe, njeriu do të kërcënohej dhe do humbiste, i rrethuar nga frika dhe çregullimi. Ai ndjen dhe jeton në një gjendje shkatërrimi dhe fatkeqësie. Atë e rrethon errësira; mbi të janë re, bubullima e vetëtima. Kjo është gjendja e njeriut që ka devijuar dhe është shmangur nga rruga e drejtë.[1] Zoti thotë në Kur’an:
Rasti i tyre shëmbëllen me rastin e atyre që ndezin një zjarr dhe, kur ai ua ndriçon ç’kanë rreth vetes, Allahu ua merr dritën, i lë në errësirë dhe ata nuk shohin asgjë!
Ata janë të shurdhër, memecë e të verbër, prandaj nuk kthehen në rrugë të drejtë.
Ose shëmbëllen me ata që, gjatë shtrëngatës nga qielli, shoqëruar me errësirë, bubullimë dhe shkreptimë, i mbyllin veshët me gishtat e tyre, për të mos dëgjuar ushtimën nga frika e vdekjes. Kështu, Allahu i ka nën kontroll mohuesit.
Shkreptima, pothuaj, ua merr shikimin. Sa herë që ajo ua ndriçon rrugën, ata ecin dhe, kur i kaplon errësira, ndalen. Sikur të donte Allahu, do t’ua merrte dëgjimin dhe shikimin. Pa dyshim, Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë. (el-Bekare: 17-20)
Kur’ani Fisnik përmend dhe përshkruan gjendjen e adhuruesve që synojnë mëshirën dhe faljen e Zotit[2] në pozicione dhe stile të ndryshme, sikurse në këmbë, ndenjur, në gjumë, të shtrirë në krah, dhe gjatë meditimit në çdo kohë dhe formë. Në sajë të këtyre pozicioneve dhe stileve të adhurimit, du’atë, përgjërimet, dhe pendesa bëhen të shumta. E gjithë kjo bëhet për të arritur kënaqësinë e të Madhërishmit, me dëshirën për t’u shuar tek Ai dhe për t’u falur prej Tij, duke soditur fuqinë e Tij të epërme, dhe pohuar hyjnitetin e Tij. Fuqiploti ka parajsën dhe ferrin në dorën e Tij. Njerëzit përpiqen për të parën dhe kërkojnë strehim ndaj të dytit. I Gjithfuqishmi zotëron gjithçka, siç ilustron vargu i mëposhtëm:
“Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës dhe në ndërrimin e natës e të ditës, ka shenja për mendarët, për ata që e përmendin Allahun duke qëndruar në këmbë, ndenjur ose shtrirë dhe që meditojnë për krijimin e qiejve dhe të Tokës (duke thënë:) “O Zoti Ynë! Ti nuk i ke krijuar kot këto – lartësuar qofsh (nga çdo e metë)! Prandaj na ruaj nga ndëshkimi i zjarrit.” (Al-i Imran: 190-191)
Pas kësaj, ata që e dinë të vërtetën dhe përpiqen për të nuk janë të barabartë me ata që e njohin dhe kthehen mënjanë prej saj. Ata nuk meditojnë për krijimin e qiejve dhe të tokës, e as nuk e adhurojnë Atë, nuk i druhen dënimit të Tij, dhe nuk e kërkonë mëshirën e Tij. A jana të barabartë ata që dinë me ata që nuk dinë?
Figurat dinamike në disa vargje të Kur’anit Fisnik që merren me erërat[3] tregojnë dobi shumë të rëndësishme fetare. Dobi të tilla meritojnë të menduarit dhe të soditurit rreth krijimit të Zotit. Era është krijim i Zotit dhe ndodhet nën urdhrin e Tij të plotë. Ajo sjell jetë dhe rritje; ajo pjalmon bimët dhe pemët, rrit drithërat dhe frutet, shtyn retë, zbret shiun, dhe përhap shpresë dhe zhvillim kudo. Këto figura të mrekullueshme mund të vërehen në këto vargje të Kur’anit Famëlartë:
“Ai i dërgon erërat si lajmëtare të mëshirës së Tij. Kur erërat lëvizin retë e rënda me shi, Ai i çon ato tek ndonjë vend i vdekur, ku lëshon shi dhe me anë të tij nxjerr lloj-lloj frutash; po kështu do t’i ringjallë edhe të vdekurit. Këta janë shembuj që t’ua vini veshin.” (el-A’raf: 57)
Era mund të sjellë edhe ndëshkim të rreptë, kufizim, dhe fatkeqësi kur u dërgoet mohuesve të begative të Zotit dhe të lajmëtarëve të Tij. Ajo i shkatërron ata, ua privon jetët dhe ua çrënjos pemët. Si rrjedhojë, retë u bëhen ndëshkim mbi koka, ndërsa erërat helm në hundë, duke u fryrë atyre dhunshëm, si të ishin rrënjë palmash të shkulura vendi. Zoti Fuqiplotë thotë në Kur’anin Famëlartë:
“Ne u dërguam atyre në një ditë fatkeqe një erë të stuhishme të pandërprerë, e cila i nxirrte njerëzit, sikur të ishin trungje të shkulura hurmash.” (el-Kamer: 19-20)
Mbi bazën e figurave të treguara të erës, bëhet shumë e qartë për ne sa e mrekullueshme është urtia e Zotit të lartësuar në ndryshimin e erës. Nganjëherë erërat janë dobiprurëse, nganjëherë jo. Erërat dhe sihqriqet për adhuruesit e durimshëm janë torturë e dhimbshme për gënjeshtarët dhe njerëzit e shmangur nga udha.
Në një rast tjetër, figuracini dinamik i Kur’anit Fisnik tek ngjarja e Ademit dhe Havasë[4] na e ka shpalosur gjendjen e tyre të turpit dhe pendesës pasi iu mosbindën urdhëresave të Zotit të tyre. Zoti i tyre ua kishte ndaluar afrimin ndaj pemës së mallkuar. Është e vërtetë që egoja e njeriut priret për keq. Ademi dhe Havaja hëngrën nga pema e ndaluar, ndoqën Shejtanin, dhe i besuan premtimit të tij për përjetësi. Kjo ua bëri velin e tyre të dukshëm dhe ata i zuri turpi për njëri tjetrin, ngase pjesët intime u ishin bërë të shfaqura. Ata u përpoqën t’i mbulonin shpejt me gjethe pemësh, por ishte tepër vonë. Çështja nuk është te mbulimi i pjesëve intime, por mosbindja ndaj urtisë hyjnore të urdhrit të mosafrimit ndaj pemës së mallkuar, duke kuptuar më pas se pjesët intime ishin zbuluar, gjë që përbën një paranjohje të ndëshkimit të rëndë që i priste. Zoti Fuqiplotë e ilustron këtë imazh të mrekullueshëm me vargjet e mëposhtme:
“Dhe i mashtroi me dinakërinë e tij. Pasi e shijuan frutin, atyre iu zbuluan vendet e turpshme dhe nisën të mbulohen me gjethet e Xhenetit dhe Zoti i tyre i thirri: “A nuk jua kisha ndaluar atë pemë? A nuk ju pata thënë se djalli është vërtet armiku juaj i hapët?” (el-A’raf:22)
Disa vargje të tjera kur’anore merren me udhëzim edukativ,[5] që është pjesë e fesë sonë, si dhe me parimet e përgjithshme fetare për indidivin dhe shoqërinë, duke ia kujtuar njeriut se është krijuar nga balta. Njeriu është i dobët, shërbëtor i ulët, dhe nuk mund ta sfidojë këë botë. Ndaj, duhet të jetë i përunjët, dhe duhet ta dijë se përulësia është shenjë e madhe e të drejtësishmëve. Zoti i Madhërishëm thotë në Kur’anin Fisnik:
“Robërit e të Gjithëmëshirshmit janë ata që ecin thjesht nëpër Tokë dhe, kur të paditurit i sulmojnë me fjalë, ata përgjigjen: “Paqe qoftë!”;”, (el-Furkan:63)
Kështu, arroganca vjen nga mosbesimi dhe injoranca. Robi i thërret Zotit duke iu frikësuar dhe dëshiruar dashurinë dhe nderën e Tij. Atëherë, si mundet ai të bëhet arrogant dhe ta harrojë dobësinë e tij dhe prejardhjen e krijimit të vet? Më i Mëshirshmi thotë:
“Mos ec nëpër tokë me mendjemadhësi, se ti, në të vërtetë, nuk mund ta çash tokën e as të arrish lartësinë e maleve.” (el-Isra: 37)
Kështu, Madhështia i përket vetëm Atij, Krijuesit, Sunduesit Absolut, të Gjithfuqishmit, Zotit të Nderit dhe Fuqisë. Ai është i pastërt nga çfarë i mveshin!
Në disa ajete të tjera, ka mesazhe të qarta se njeriu duhet të ketë besim të thellë e të fortë tek vendimi dhe përcaktimi i Zotit. Është gjithashtu e vërtetë se pasuria, familja dhe fëmijët e njeriut janë të përkohshme dhe të shuajtshme. Asgjë nuk do të mbesë përveç veprave të tija të mira e të drejta. Kështu që ai duhet ta rrisë kryerjen e punëve të mira, t’i jetë mirënjohës Zotit si në lumturi ashtu edhe në mjerim, duke qenë i bindur tek Ai. Bota i mashtron njerëzit dhe nuk ka besë. Ajo sjell pikëllim dhe pishmanllëk. Kushdo që kapet pas saj do të turpërohet, kurse ai që e braktis do të nderohet prej Zotit të tij. I pasuri duhet ta dijë se është përfaqësues i Zotit në pasurinë e tij. Ai do të merret në pyetje rreth saj: nga e ka fituar, dhe ku e ka shpenzuar. Njeriu duhet të jetë i kujdesshëm për pasurinë e vet sepse ajo mund t’i sjellë shkatërrim.[6] Kjo figurë mund të vërehet në këto ajete vijuese:
“Dhe pasuria e tij (e mohuesit) u shkatërrua, kurse ai i rrihte duart për gjithçka që kishte shpenzuar në të (pronën e vet) – e që tashmë ishte shkretuar nga rrënjët – dhe thërriste: “Ah! Sikur të mos i kisha shoqëruar Zotit tim askënd!” (el-Kehf: 42)
Në vargje të tjera kur’anore, figura dinamike e Kur’anit Fisnik paraqet vështirësinë e kalimit mbi ferr dhe hyrjen në parajsë. Nuk është detyrë e lehtë të shpëtosh nga zjarri i xhehenemit dhe të marrësh faljen e më të Mëshirshmit Zot. Kushdo që është përpjekur fort dhe i është kundërvënë shejtanit të vet kthehet me shpirtin e tij të çliruar nga dria e besimit, duke recituar Kur’anin Fisnik, duke u lutur për falje, dhe duke shpresuar hyrjen në Parajsë. Kjo ka çuar në përpjekje të fortë, braktisje të kënaqësisë së kësaj jete, duke vështruar përpara tek Ahireti, dhe ofruar bindje. Kësisoj, shpërblimi i tij, futja në parajsë është në përputhje me veprimet e tija. Tek e fundit, a është shpëtimi i vetvetes nga skëterra detyrë e thjeshtë? Për Zotin, jo. Ajo kërkon zhvendosje, vështirësi, vuajtje, përpjekje, rëndesë, dhe palëkundshmëri. Shpërblimi për kryerjen e veprave të mira është njëlloj.[7] Le ta shohim këtë figurë të mrekullueshme dinamike në Kur’anin Fisnik:
“Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen. Shpërblimet do t’u plotësohen vetëm në Ditën e Kiametit; kushdo që shpëton nga zjarri i Xhehenemit dhe hyn në Xhenet, ai ka fituar (gjithçka që mund të dëshirohet). Ndërsa jeta e kësaj bote është vetëm kënaqësi mashtruese.”(Al-i ‘Imran:185)
Disa vargje të Kur’anit Fisnik përshkruajnë sjelljen e ulët dhe absurde të jobesimtarëve që kthehen mënjanë nga të dërguarit e Zotit.[8] Kjo konfigurohet nga stili magjik kur’anor i retorikës dhe elokuencës në këto pika:
1- Pretendimet e tyre të rreme se ata ishin në rrugën e drejtë, duke tallur të dërguarit.
2- Pakënaqësia e tyre me përgjigjet e të dërguarve për shkak të deluzioneve dhe mashtrimeve të tyre.
3- Rrëfimi i tyre se Zoti Fuqiplotë nuk i njeh misteret dhe bisedat e tyre të fshehta para fjalës dhe pyetjes së tyre.
4- Duke vendosur përpara jobesimtarëve figurën e rrugës së drejtë dhe figurës së dënimit, duke i motivuar që të besonin dhe ta braktisnin devijimin. Ata që i binden të Dërguarit të Zotit janë në të drejtën, kënaqësinë, dhe Xhennetit, ndërsa ata që i mosbinden janë në shmangie, humbje, torturë dhe Skëterrë.
5-Shumica e figurave dinamike në Kur’anin Fisnik sjellin në pah lëvizjet dhe sjelljet e tyre të çuditshme dhe të pakontrolluara ndaj të dërguarve të Zotit. Kur’ani Fisnik i përqesh ata duke bërë që të ndjejnë ata me të cilën kanë përqeshur të dërguarit. Disa prej tyre mbulonin kokat për të mos dëgjuar asnjë fjalë, të tjerët kafshonin duart për shkak të pikëllimit dhe pendesës së tyre, të tjerë tundnin kokat si të paralizuar e të sëmurë.
6- Veç këtyre lëvizjeve të çuditshme të jobesimtarëve, siç u tha, figura dinamike e Kur’anit Famëlartë ka treguar durimin dhe përkushtimin e të dërguarve të Zotit në përballjen e tyre me braktisjen dhe shqetësimin nga ana e njerëzve, gjersa e vërteta vjen dhe e rremja zhduket. Ndaj, duhet të mësojmë sabrin dhe palëkundshmërinë nga të dërguarit e Zotit dhe t’i paralajmërojmë jobesimtarët përpara vdekjes. Zoti i Madhëruar ka treguar këtë figurë të mrekullueshme në vargjet e mëposhtme:
“Ai tha: ‘O Zoti im, unë e thirra vërtet popullin tim natë e ditë, por thirrja ime edhe më tepër i largoi (nga e vërteta).
Sa herë, që i thirrja për t’i falur Ti, ata shtinin gishtërinjtë në veshë dhe mbuloheshin me petkat e tyre, duke këmbëngulur me mendjemadhësi (në mosbesim).
Pastaj i thirra me zë të lartë. Më pas ua shpalla edhe botërisht, edhe fshehurazi.(Nuh: 5- 9)
Lidhur me vdekjen,[9] figura dinamike në Kur’anin Fisnik ka shpalosur funksione të shumta fetare, ku përmenden të mëposhtmet:
- Shpirti i njeriut është në duart e Zotit, Ai e mban si të dëshirojë, kur të dëshirojë, si të dëshirojë, ku të dëshirojë.
- Muslimani duhet të përpiqet sikur do të jetoj përgjithmonë, dhe duhet të pregatitet për ahiretin sikur do të vdesë nesër.
- Nuk ka kohë për dëfrim, epshe dhe harrim të vdekjes.
- Besimi në vdekje dhe ringjallje, shpërblim dhe dënim, Parajsë dhe Ferr.
- Të pranuarit se besimtari nuk e njeh kohën e vdekjes së tij, si i vjen dhe ku i vjen.
- Gjumi konsiderohet vdekje e vogël, kështu që besimtari duhet t’i jetë mirënjohës Zotit pasi zgjohet.
- Bindja në përcaktimin e Zotit; urdhri i Tij do të ndodhë dhe ekzekutohet e askush nuk mund ta ndalë.
- Vdekjes nuk i iket dot, ajo është kudo që të jemi dhe nuk shtyhet dot e as nuk afrohet.
- Muslimani duhet të pregatitet që të përballet me agoninë e vdekjes ngase ajo nuk është çështje e lehtë. Muslimanët ndeshen me vështirësi, halle dhe mndim kur ia dorëzojnë shpirtin e tyre Zotit.[10] Po jobesimtarët atëherë!? Zoti na ruajtë. Këto realitete përmenden në këtë figurë të mrekullueshme kur’anore:
“Kudo që të gjendeni, do t’ju arrijë vdekja, madje, qofshi edhe në kështjellat më të forta!” Sa herë që u vjen ndonjë e mirë, ata thonë: “Kjo është nga ana e Allahut”. Por, nëse i godet ndonjë e ligë, ata thonë: “Kjo është prej teje (o Muhamed)!” Thuaju: “Të gjitha janë prej Allahut”. Ç’është kështu me këtë popull, që nuk kupton asgjë?” (en-Nisa’: 78)
“Thuaj: ‘Vdekja prej së cilës po ikni, do t’ju arrijë. Pastaj, ju do të ktheheni tek Ai, i Cili e di të padukshmen dhe të dukshmen dhe Ai do t’ju njoftojë ju për atë që keni bërë’.” (el-Xhumu’ah: 8)
Disa ajete i referohen Ditës së Gjykimit:[11]
“Atë Ditë keqbërësi do të hajë gishtat e duarve të veta, duke thënë: ‘Ah, sikur ta kisha marrë rrugën (e drejtë) me të Dërguarin! Ah, sikur të mos e kisha bërë filanin mik! Ai më ka larguar nga Këshilla (Kurani) që më kishte ardhur!’ Në të vërtetë, djalli e braktis gjithmonë njeriun në çastin e nevojës.” (el-Furkan:27-29)
Atë ditë, asnjë mik, madje as më i afërti, nuk duhet dëgjuar. As fëmija as pasuria s’kanë dobi. Pishmanllëku për mëkatet nuk vlen. Mundësia dhe koha e faljes kanë kaluar. Do të ketë torturim, turpërim dhezjarr. Zullumqari nuk do të ketë asgjë përveçse kafshimin e thonjve të duarve dhe të jetuarit në pishmanllëk dhe pikëllim. Ai braktiset nga shejtani i tij, kështu që fajëson veten për fatin e tij. Ai as nuk ka ndjekur profet, as nuk ka braktisur mëkat. Shejtani ka qenë këshilluesi i tij i besuar dhe udhëzues i afërt në deluzion të qartë.
Disa ajete kur’anore japin një pamje të raportit të jobesimtarëve me Zotin e Madhërishëm. Kjo kryhet me lëvizje retorike dhe pohime shumë të shkurtra. Veprat e tyre janë të gabuara, të gjitha janë zhdukur, asgjë nuk ka mbetur; nuk ka dobi prej tyre. Ja cfarë thotë kjo figurë e qartë:
“Sa për ata që nuk besojnë, veprat e tyre janë si mirazhi në shkretëtirë e të cilin i etshmi e kujton për ujë, por, kur arrin tek ai vend, nuk gjen asgjë. Aty do të hasë në dënimin e Allahut, i Cili ia paguan llogarinë e tij të plotë, se Allahu është i shpejtë në llogari. Ose janë si errësirat në detin e thellë, të cilat mbulohen nga dallgët që ngrihen njëra mbi tjetrën, duke pasur sipër tyre retë: shtresa errësire njëra mbi tjetrën, aq sa kur e nxjerr dorën e vet, njeriu pothuajse nuk e sheh fare atë. Ai, të cilit Allahu nuk i jep dritë, nuk do të gjejë më dritë.” (en-Nur: 39-40)
Veprat e tyra janë bërë mashtrim, mohim, shpërhapje, mosbindje, mirazh i rremë, errësirë çulle, si valë vrastare dhe re shkrepëtuese. Ata nuk i udhëzon kurrfarë drite, asjë rrugë nuk i shpëton,[12] “Ai, të cilit Allahu nuk i jep dritë, nuk do të gjejë më dritë.”
Mjaft ajete kur’anore merren specifikisht me skenat e Ditës së Gjykimit.[13] Ato shpjegojnë tmerret e asaj dite. Ajo është Dita e Njehjes, Dita e Ringjalljes, Dita e Grumubllimit, Dita e Tundjes. Gjithçka sheh dikush për atë ditë është e paimagjinueshme, e pabesueshme dhe gati e pamndur për syrin. Ja disa skena të ditës së tmerrit:
“Kur Dielli të mblidhet e të humbë shkëlqimin;
kur yjet të rrëzohen
dhe malet të lëvizin tutje;
kur devetë barrse të braktisen
dhe egërsirat të tubohen;
kur detet të vlojnë
dhe shpirtrat të bashkohen (me trupat);
kur foshnja e varrosur për së gjalli të pyetet
për çfarë faji ishte vrarë;
kur fletët të shpërndahen389
dhe qielli të zhvishet;
kur Xhehenemi të flakërojë
dhe Xheneti të afrohet:
atëherë çdokush do të marrë vesh çfarë kishte përgatitur (për këtë Ditë). (et-Tekuir: 1-14)
Dhe Fuqiploti thotë:
“Kur qielli të çahet
dhe yjet të derdhen;
kur detet të përzihen
dhe varret të rrotullohen,
atëherë çdokush do të mësojë për veprat që ka bërë dhe ato që ka lënë pa bërë.” (el-Infitar: 1-5)
Ajetet e sipërmendura përmbajnë mesazhe frenuese, frikësuese, premtuese dhe kërcënuese. Te kryerja e veprave të mira ka një përkujtim të qartë për besimtarin, sepse ajo ditë ëshë e gjatë. Ajo e bën njeriun të harrojë pasurinë, të afërmit dhe familjen. Zoti thotë:
“Atë Ditë, secili prej tyre do të ketë aq shqetësim për veten, sa do t’i mjaftojë.” (Abese: 37)
Gjithashtu, këto vargje e paralajmërojnë besimtarin dhe mohuesin e begative të Zotit. Ato i kujtojnë atij skenat tmerruese të Ahiretit dhe tipin e dënimit që këta njerëz mund të ndeshin.
Kështu, nevojitet soditje e thellë e kuptimeve të ajeteve të mësipërme. Këto domethënie i njoftojnë njerëzit t’i qëndrojnë larg ndjekjes së gjurmëve të shejtanit, ngase pasimi i tij është rrënim, humbje dhe në fund dënim dhe torturë e zjarr. Në ahiret njerëzit do të jenë pishman, në çregullim, dhe do ta pyesin veten:
- Ç’është pregatitur për atë ditë?
- A do të falen?
- A do t’u pranohen veprat?
- Cili do të jetë vendi i tyre përfundimtar?
Parabolat në Kur’anin Fisnik janë shumë të rëndësishme për udhëzim e drejtim. Ato janë edhe më ndikuese në ilustrim, e nëse shoqërohen me figuracion dinamik, konfirmojnë dhe sqarojnë edhe më tepër. Kjo mund të shihet tek shembulli i mohuesve të Zotit që adhurojnë idhuj.[14] Ata kërkojnë strehë te këta idhuj me kërkesa, u veshin aftësinë për të vepruar, kështu që lutjet e tyre janë në deluzion. Kjo i ngjan një personi që ka nevojë për ujë. Kur arrin burimin, zgjat krahët, fut duart e hapura në ujë dhe hedh ujë drejt vetes për të pirë. Me duar të hapura kështu ai nuk pin dot. E njëjta vlen edhe për ata që adhurojnë tjetër veç Zotit. Këta idhuj nuk u ofrojnë dot as ndimë e as dëm. Të shohim ilustrimin e mahnitshëm kur’anor më poshtë:
“Vetëm për Atë është lutja e vërtetë! Kurse idhujt, të cilëve jobesimtarët u luten në vend të Allahut, nuk u përgjigjen lutjeve të tyre aspak. Rasti i tyre është si rasti i atij që i zgjat duart tek uji, për t’i ardhur te goja, por ai kurrsesi nuk i vjen. Lutja e jobesimtarëve është e kotë.” (er-Ra’d:14)
Ata që synojnë prestigj dhe nder nga tjetërkush pos Zotit të Madhërishëm do të poshtërohen prej Tij. Ata që i kërkojnë tjetërkujt do të çnderohe dhe turpërohen. Zoti i Madhërishëm thotë në Kur’anin Famëlartë:
“A ka më të mirë se Ai që i vjen në ndihmë nevojtarit të këputur, kur i lutet Atij, që jua largon të keqen dhe ju bën juve trashëgimtarë në tokë?! Vallë, a ka krahas Allahut zot tjetër?! Sa pak që reflektoni!” (en-Naml: 62)
Ajete të tjera rikonfirmojnë se udhëzimi vjen vetëm prej Zotit dhe kontrolli i gjithçkaje është në duart e Tija.[15] Allahu thotë:
“Allahu ia hap zemrën për (të pranuar) Islamin atij që dëshiron ta udhëzojë, ndërsa atij që dëshiron ta lërë në humbje, (ia mbyll zemrën e) ia shtrëngon gjoksin si të jetë duke u ngjitur në qiell. Kështu, Allahu, i ndëshkon ata që nuk besojnë.” (el-En’âm:125)
Atij që i jepet begati nga Zoti, duke u përpjekur për takimin me Të, me dëshirën për ta dashur Zoti dhe sinqeriten në adhurim, Zoti ia zgjeron kraharorin drejt udhërrëfimit, pra Islamit. Zoti jep gjithashtu gjithçka të mirë dhe e vetëdijëson robin për këtë. Kjo ia lehtëson rrugën e dijes dhe e frymëzon me dritën e imanit të vërtetë dhe të tejdukshëm. Prej atij që i humbet shpresat dhe pritshmëritë te Zoti nuk pritet asgjë dhe nuk ka këshillë që ta kënaqë. “Kështu, Allahu, i ndëshkon ata që nuk besojnë.” (el-En’âm:125)
Nëpërmjet disa ajeteve, figura dinamike e zgjatjes ose tërheqjes së dorës tregon një metonimi dinamike në formën e bujarisë ose koprracisë. Këto dy cilësi nuk mund të jenë të pranishme tek i njëjti person.[16] Po çifutët atëherë, që i veshën Zotit të tyre shtrënim të dorës, sikur Ai nuk jep e nuk shpenzon kurrë?
“Hebrenjtë thonë: “Dora e Allahut është e shtrënguar.” Iu lidhshin duart atyre dhe qofshin të mallkuar për atë që thonë! Përkundrazi, të dyja Duart e Tij janë të hapura. Ai dhuron dhe jep si të dojë. Ajo që të është shpallur ty (Muhamed) nga Zoti yt, me siguri që shumicës prej tyre do t’ua shtojë mosbindjen dhe mohimin. Ne kemi futur ndërmjet tyre armiqësi dhe urrejtje deri në Ditën e Kiametit. Kurdo që ata ndezin zjarrin e luftës, Allahu e shuan atë. Ata përpiqen të shkaktojnë ngatërresa në tokë, por Allahu nuk i do ngatërrestarët..” (al-Ma’idah: 64)
“Vërtet, Allahu është Furnizuesi i vetëm, i Fuqishmi, i Plotpushtetshmi.” (al-Dhariyât: 58)
Në dorën e Tij është pushteti, Ai e menaxhon si dëshiron. Ai ushqen krimbin në tokë, zogun në pemë, fetusin në mitër, balenën në errësirën e oqeanit. Ai është i lartësuar, Ai e rrit dhe e mpak furnizimin si dëshiron dhe kjo mbështetet në urtinë e Tij hyjnore dhe përfitimin shpirtëror të njeriut. Kur Zoti i ofron shërbëtorit të vet furnizim dhe ai e harxhon për kënaqësinë e Zotit duke e falënderuar Atë për bekimin, i Madhërishmi i jep edhe më shumë dhe e udhëzon atë. Mirëpo, nëse shërbëtori është koprac tamahqar dhe e mban veten për të vetëmjaftueshëm, Fuqiploti do ta poshtërojë dhe turpërojë.
“Sa për atë që jep (për hir të Allahut), ka frikë (nga Ai) dhe dëshmon për vërtetësinë e më të bukurës (besimit). Ne do t’ia lehtësojmë atij rrugën drejt shpëtimit. Kurse atij që është koprrac, ndihet i vetëmjaftueshëm, dhe e quan gënjeshtër më të bukurën (besimin), Ne do t’ia lehtësojmë rrugën drejt dënimit”? (el-Lejl: 5-10)
Disa shërbëtorë të Zotit privohen nga pasuria dhe bollëku. Kjo varet në urtinë e Zotit të cilën e njeh Ai. Zoti e di adhurimin e tyre nëse janë të varfër dhe nevojtarë. Ata e falënderojnë dhe e përmendin Allahun. Xhenneti është shpërblimi për durimin e tyre. Nëse i bën të pasur, kjo mund t’i çojë në braktisjen e adhurimit të Zotit. Si rrjedhojë, te varfëria ka bekim dhe nderë për ta, kurse për të tjerët jetesa në luks ka zemërim dhe mosmiratim.
“…Allahu di ta dallojë keqbërësin prej mirëbërësit… ” (el-Bekare: 220).
Megjithatë, kjo është sjellja e çifutëve; trazim, mashtrim dhe lakmi për pasuri e pronë.
Pohimi i tyre naiv për Zotin, se: “dora e Zotit është e lidhur” ishte për një arsye të caktuar në zemrat e tyre, por ata nuk ia dolën. Mirëpo, Zoti ua ka prishur planet duke i kthyer kundër vetë atyre. Kështu që atyre u mbetet turpërimi në këtë botë dhe tjetrën.
Përmes zgjatjes dhe tërheqjes së dorës, jepet një rrjedhim tjetër fetar duke përdorur figuracionin dinamiksiç paraqitet më poshtë:
“Lexoju (o Muhamed) saktësisht ngjarjen e dy bijve të Ademit, kur ata bënë nga një kurban, njërit iu pranua, kurse tjetrit jo. Njëri i tha tjetrit: “Ty gjithsesi do të të vras”. Tjetri tha: “Allahu pranon vetëm prej të devotshmit. Nëse ti ngre dorë të më vrasësh mua, unë nuk do ta ngre dorën që të të vras, sepse, në të vërtetë, unë i frikësohem Allahut, Zotit të gjithësisë.(el-Ma’ideh: 27-28)
Konteksti i këtij tregimi dinamik është vrasja, e cila sigurisht përbën krim të madh e të tmerrshëm. Ajo që e bën atë edhe më të madhe është fakti se ka ndodhur mes dy bijve të Ademit (paqe pastë mbi të).[17] Kjo figurë dinamikë përmblidhet nënjë mënyrë të përmbledhur retorike përmes metonimisë së krimitmë të madh e më të shëmtuar ndër njerëz – vrasja e të pafajshmëve, e cila ndalohet rreptësisht nga Zoti. Pejgamberi ynë i dashur Muhammedi a.s. na ka treguar për rëndesën e këtij krimi. Shuajtshmëria e kësaj bote është shumë më e lehtë në sytë e Zotit sesa vrasja e një njeriu të pafajshëm. Ja përse Zoti ka urdhëruar shpagim për rasjen, dhe Ditën e Gjykimit vrasësi do të jetë në zjarr, ç’vendqëdnrim i keq.
Zoti ka thënë: “Ne u caktuam atyre në Teurat: jeta me jetë, syri me sy, hunda me hundë, veshi me vesh, dhëmbi me dhëmb dhe plaga me plagë (të njëjtë me të).” (al-Ma’idah: 45). Ky ishte krimi i parë dhe më i madh i kryer mbi tokë. Shpërblimi është i barabartë me llojin e veprimit që është zjarri për zullumqarët.
Figuracioni i përsëritur dinamik i njeriut që nuk adhuron dhe nuk e kujton Zotin thekson një tjetër funksion fetar. Nga ky funksion mund të mësojmë që lëndimi i dikujt, pavarësisht nga përmasat, pasqyron natyrën e krijimit të lënduesit dhe dalldisjen e tij. Ai nuk e kupton se si i vijnë gjërat e mira. Ky është modeli i njeriut që mund të gjendet kudo dhe kurdo. Ai është përherë në gjendje ankthi, mosrehatie dhe frike. Pyet shumë, punon pak, shpejton të përfitojnë, bëhet pesimist dhe i dëshpëruar kur i bjen e keqja. Nuk i frikësohet Zotit të vet. Ai e lavdëron dhe adhuron atë kur shë në telashe dhe fatkeqësi, kur lutet përulësisht dhe e kujton Zotin e vet pareshtur, duke pritur faljen e Tij vazhdimisht. Ai nuk i kujton bekimet e Tija në çaste dhe pozicione të ndryshme: shtrirë, ndenjur dhe në këmbë. Kur Zoti i Mëshirshëm e largon fatkeqësinë, ky njeri bëhet arrogant sikur të mos i kishte ndodhur asgjë. Ai jeton në luks dhe rehati, e harron Zotin e tij, dhe shpërfill lutjen ndaj Tij. Ai bëhet si shejtani i mallkuar[18] pas të qenurit ndër lavdëruesit e Zotit:
“E, kur njeriun e gjen e keqja, atëherë Na lutet shtrirë ose ulur, ose në këmbë. E, sapo Ne ia largojmë të keqen, vazhdon rrugën, thuajse nuk Na është lutur për fatkeqësinë që e ka goditur. Kështu, plëngprishësve (që shkelin kufijtë e Allahut) iu zbukurohet ajo që punojnë.” (Yûnus: 12)
Çdo musliman duhet të bëjë shumë kujdes që të mos numërohet mes të tillëve ngase ata janë më të urryeshëm se gurët që shkelen nga njerëzit. Çdo musliman duhet të nxitojë në pendesë dhe keqardhje për gabimet e bëra. Zoti di gjithçka dhe thotë:
“Pa dyshim, Allahut nuk i fshihet asgjë në Tokë dhe as në qiell!” (Âl-i ‘Imrân:5).
Figura dinamike në ndodhinë e Jusufit a.s. me gruan e Faraonit el-Aziz[19] pohon se Zoti është gjithmonë me të devotshmit dhe të drejtësishmit, si dhe me të dërguarit dhe profetët e Tij. Kushdo që ndjek rrugën e drejtë, që është i ndershëm dhe i dëlirë, i lutet Zotit të vet dhe arrin faljen dhe ndihmën e Zotit në fund, duke qenë mes atyre që do të shijojnë lumturinë e hirit të Tij. Ky varg tregon se Zoti i madhërishëm do t’i ndihmojë ata që i binden. Po ashtu, ata që janë të ndershëm dhe i largohen krimit të imoralitetit – edhe kur kanë rast për ta bërë – do të shpërblehen me një mbrojtje të veçantë Ditën e Gjykimit. Transmetohet nga i dashuri ynë Profet Muhammed (paqe dhe bekime pastë mbi të)[20]: “…dhe një njeriu që ftohet nga një zonjë e bukur dhe me pozitë për të kryer imoralitet i thotë asaj se i druhem Zotit është si Jusufi a.s. dhe ata që ndjekin gjurmët e tij.
Figura dinamike në ngjarjen e Jusufit a.s. nënvizon faktin se fitorja u takon të përzotshmëve dhe të drejtësishmëve, si dhe që pejgamberët e të dërguarit e Zotit do t’i ekspozohen shumë sprovave. Megjithatë, përmes imanit të fortë, vendosmërisë së lartë dhe energjive të plota, ata ngadhënjejnë. Në kohë vendimtare krizash kur janë thuajse të shterrur dhe pranë humbjes, atyre u vjen ndihma dhe fitorja e Zotit. Kjo ua forcon zemrat dhe këmbët. Ajo që i bën profetët dhe të dërguarit të ndryshëm nga të tjerët është përpjeka e tyre e pareshtur për t’i kapërcyer sprova të tilla.[21]
Funksionet e ajeteve me ilustrime dinamike në Kur’anin Fisnik (funksionet religjioze, psikologjike,edukative, sociale)
Ajman es-Sejjid Ali es-Sajjad-Doktor i letërsisë dhe retorikës kur’anore –Universiteti Taibah – Medina e Ndritshme
Përktheu nga arabishtja në anglishte: Dr.Hfz.Hajredin Hoxha
[1] Shih: el-Fakhr el-Razi, el-Tafsir el-Kabir ve Mafatih el-Ghajb, Vwll. 2, ff. 79-89; el-Kurtubi, el-Xhami’ li Ahkam el-Kur’an, Vwll. 1, ff. 228-242; el-Nisabũri, Ghara’ib el-Kur’an wa Ragha’ib el-Furkān, Vwll. 1, ff. 180-187; el-Shevkani, Fat’h el-Kadir, Vwll. 1, ff. 45-48.
[2] Shih: el-Tabari; Xhami’ el-Bajān ‘an Ta’wil Ajat el-Kur’ān, Vwll. 4, ff. 209-210; el-Nisaburi, Vwll. 4, ff. 147-159. For a list of detailed similarities refer to ajeti 9 of Sure el-Zumer.
[3] Shih: el-Razi, vwll. 7, p. 43; Sejid Kutb, Fi Zilal el-Kur’an, vwll. 3, ff. 1298-1300; Sure el-Dharijat, vargjet 1-3, 41-42, Sure Al Hakkah, vargjet 6-7.
[4] Shih el-Razi, vwll. 14, ff. 48-52, si dhe ajeti Tāhā: 121.
[5] Shih: el-Basti, Ravdat el-U’kalā wa Nuz’hatu el-Fudalā’, ff. 59-62; Ibn Tejmije, Mekārim el-Akhlak, ff. 225-230; Hasan Ajjub; el-Suluk el-Ixhtimai’ fi el-Islām, ff. 61-69; Ahmed Ibrahim, el-Fadā’il el-Khulukijah fi el-Islām, ff. 250-257.
[6] El-Rāzi, Vwll. 21, ff. 124-129; Abd el-Mexhid el-Bajānũni, Darbu el-Amthāli fi el-Kur’an, Dar el-Kalam, Damask, 1991, f. 65; Ibn Tejmijeh, ff. 231-239; el-Basti, ff.153-156.
[7] Shih: el-Alũsi, Ruh el-Ma’āni, vwll. 2, f. 357; Hasan Ba Jodah; el-Nādi el-Edebi el-Thakāfi, Xhiddeh, 1992, ff. 549-551.
[8] el-Busti, ff. 283-289; Ali el-Bajawi wa Akharũn, Kaşaş el-Kur’an, el-Maktabah el-Tijarijah el-Kubrā, Kajro, 1969, ff. 15-22. Shih edhe Hũd: 5, el-Isra’: 50-51.
[9] Shih vargjet: el-Zumer: 32, el-Nisa’: 100, el-Mu’minũn: 99, el-Ahzab:16, el-An‘am, 93; el-Bakarah: 243.
[10] el-Razi, vwll. 5, ff. 2060-2061
[11] Shih: Sejid Kutb, Fi Zilāl el-Kur’ān, Vwll. 5, ff. 2560-2561.
[12] Shih: el-Zamakhshari; el-Kashshāf, Vwll. 4, ff. 309-310; el-Tahir bin ‘Ashũr, El-Tahrir wa el-Tanwir, Vwll. 18, ff. 251-257.
[13] Shih: Sejid Kutb, Vwll. 6, p. 3846-3847; Also Shih vargjet: el-Inshikāk:1-6; el-Waki’ah: 1-6; el-Zalzalah: 1-6; el-Kijāmah: 6-13; el-Mursalāt: 7-13.
[14] Shih: el-Rāzi, Vwll. 10, ff. 29-30; el-Bajanũni, ff. 34-41; Ahamijatu el-Mathali fi el-Kur’ān; Ibn Tejmijeh, ff. 231-239.
[15] Shih: el-Rāzi, Vwll. 13, ff. 186-195; Tāhir bin Ashũr, Vwll. 6, ff. 57-61.
[16] Shih el-Rāzi, Vwll. 6, ff. 43-48; Kutb, vwll. 2, ff. 929-930.
[17] Shih: el-Kurtubi, Vwll. 6, ff.133-138; Ibn Kethir; Kasas el-enbijā’, ff. 33-38; el-Suhajbāni, Abd el-Muhsin, el-Fitnatu wa Mawkif el-Muslimin minhā fi Dav’i el-Kur’ān, Dar el-Kasim li el-Nashr, Rijad, 1996, p. 166.
[18] el-Kurtubi, Vwll. 10, p. 321.
[19] Shih: el-Rāzi, Vwll. 18, ff. 115-128; el-Sũjũti, el-Durr el-Manthũr fi el-Tafsir bi el-Ma’thũr, vwll. 8, ff. 219-232; Abd el-Hafez, el-Sejid; Bũhũth fi Kasas el- Kur’ān, Dar el-Kitāb el-Lubnāni, Beirũt, 1972, ff. 191-209; Ali Al Bajāwi wa el-Akharũn; Kasasu Al Kur’ān, ff. 90-98.
[20] Ibn Hajar el-‘Askalāni, Fat’h el-Bari’ fi Sharh Sahih el-Bukhāri, Vwll. 19, p. 226.
[21] ‘Abd el-Kārim el-Khatib, Kis’satā Adam wa Jusuf – Alajhima el-Salam, Dar el-Fikr ‘Arabi, Egjpt, 1973, p. 79. Shih also: el-Ansāri Abu Hafs, Zuhr el-Kimām fi Kis’sati Jusuf Alajhi el-Salam, Dar el-Kutub el-‘Ilmijah, Beirũt, 2003, ff. 193-4; Also, ‘Omar Ba Hadhek, el-Dilalatu el-I’jazijah fi Rahab Surati Jusuf, Dar El-Ma’mũn li el-Turāth, Damascus, ff. 23-28.