Furqan LeadershipFurqan LeadershipFurqan Leadership

 

Allahu xh.sh. në Kur’anin famlartë thotë:

 “Ti përmende Zotin tënd në vete (heshtas), me respekt e me drojë, jo me shprehje të larta, (përmende) në mëngjes e në mbrëmje dhe mos u bëj prej atyre që nuk kanë kujdes.” [Suretu El-A’raf-205.] 

Ky ajet kur’anor vendos një parim shumë të rëndësishëm në jetën e njeriut, pra fillohet me mbjelljen e këtij ligji në zemër si qendër kryesore, e mandej efekti i tij shpërndahet në të gjitha sferat e jetës shoqërore 

Përmendja e Allahut xh.sh. një startim edukativ shumë i rëndësishëm që Ai e vendos për robërit e Tij në sipërfaqen e tokës.  Përmendja apo përkujtimi i Allahut xh.sh. nuk bazohet në një veprim formal të gjuhës së njeriut, duke thënë subhanallah, ose në zhurmën e tespive, e as në luhatjet  majtas apo djathtas mbi tokë. Realiteti i dhikrit dhe domethënia e tij e vërtetë aplikohet në këtë mënyrë: njeriu duhet të meditojë dhe logjikojë me zemrën e tij për madhërinë e Allahut xh.sh., për mbikëqyrjen dhe diturinë e Tij për çdo gjë, duke menduar për llogarinë tonë para gjykatës supreme, para Allahut xh.sh. për çdo vepër dhe për çdo krim.

Kësi lloj ajetesh në Kur’anin e madhëruar janë të shumta. Mirëpo cila është mençuria që qëndron pas kësaj? Çfarë nevoje kemi ne për të? A është  Allahu xh.sh. i nevojshëm për ne, apo ne jemi për Të? 

Hikmeti apo mençuria nga kjo shihet se jeta e shoqërisë njerëzore nuk nivelizohet dhe nuk stabilizohet në mënyrën e duhur nëse në zemrat e kësaj shoqërie nuk mbizotëron frika nga Allahu xh.sh. dhe mbikëqyrja e Tij, sepse vetëm në këtë mënyrë të drejtat e popullit mund të sigurohen në mënyrën më të duhur.

Më lejoni që të zgjerohem pak më tepër në komentimin e  këtij problemi.

Ka qenë vullnet i Allahut të madhëruar që filozofia e kësaj jete t’i ketë dy kahe të rëndësishme: atë pozitive dhe atë negative. Dikujt kjo jetë i kthehet me të gjitha të mirat dhe begatitë e saj dhe, si rezultat i kësaj, kur njeriu sheh begatinë dhe hijeshinë e kësaj jete, atij i futet në zemër mendjemadhësia, mendon se materia e kësaj jete është qëllimi final i njeriut, nuk brengoset për ndryshimet dhe problemet e kësaj jete, i futet në zemër egoizmi dhe nuk i intereson çështja e askujt. 

Ndërsa dikujt tjetër kjo jetë i kthehet në brengosje, goditje (dhimbje) etj. dhe, si pasojë i këtij procesi, njeriut i futet në zemër një brengosje e madhe dhe ai fillon ta shikojë dhe ta logjikojë çështjen e kësaj jete si një burg të mbushur plot dhimbje dhe ndëshkime, në krahasim me ata të cilët kënaqen dhe dëfrehen me epshet e kësaj jete. Ky person ndalet, logjikon mendon gjatë dhe vjen në konkludimin se, për të, është më mirë që ta vrasë veten dhe në këtë mënyrë të rehatohet. 

Ligji dhe tradita e kësaj jete nuk ndryshon dhe do të qëndrojë e tillë deri në ditën e fundit të kësaj jete dhe Allahu xh.sh. do t’i sprovojë njerëzit me këto dy sprova të rënda. Mirëpo neve na intereson se si ta gjejmë mënyrën që të dalim nga kjo grackë e rrezikshme dhe si të korrim sukses? 

Njerëzit, filozofët dhe psikologët më të mëdhenj botërorë nuk kanë mundur që të arrijnë në një përfundim të frytshëm që të shpikin dhe të zbulojnë një bar, me qëllim që atë që kënaqet me epshet e kësaj jete ta dirigjojnë dhe ta bëjnë të sjellshëm në mënyrë që të mos t’i kalojë kufijtë me mëkate, dhe që atë të brengosurin ta shpëtojnë nga brengat e kësaj jete.

Shpëtimi i suksesshëm dhe i sigurt nga kjo vuajtje shpirtërore është që njerëzit të ndjekin recetën të cilën Allahu xh.sh. ua ka dhënë robërve të Tij, e kjo është që zemra të jetë e lidhur me fjalën (përmendjen) e Allahut xh.sh. E kur të veprojë në këtë mënyrë, atëherë njeriu do të ruhet nga rreziqet dhe problemet e kësaj jete.

Përmendja dhe përkujtimi i Allahut xh.sh. i sjell njeriut dy të mira të mëdha.

E para është se ajo i sjell njeriut qetësi dhe rehati dhe ja mbush zemrën më frikë dhe kujdes.

Qetësia dhe rehatia është për atë të cilit kjo jetë ia ka kthyer shpinën dhe e ka sprovuar me sprova të rënda, ndërsa frika dhe kujdesi është për atë të cilit kjo jetë i është dhënë me të gjitha të mirat e saj.

Shih se si e kristalizon këtë realitet Allahu xh.sh., me fjalët e Tij në Kur’anin e madhëruar, duke thënë:

 “Ata që besojnë dhe zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, qetësohen; pra ta dini se me të përmendur Allahun zemrat stabilizohen.” [Suretu Er- Rra’d-28.] 

Përsëri Allahu xh.sh. thotë:

 “ Të tillët janë besimtarë të vërtetë dhe për këtë kanë vende të larta te Zoti i tyre, kanë falje dhe kanë furnizim në mënyrë të ndershme.” [Suretu El-Enfale-4.] 

Prej nga vjen qetësia e zemrës? Ajo vjen nga bindja e madhe që ka përkujtuesi në zemrën e tij se kjo jetë, me të gjitha të mirat e saj, konsiderohet si një ëndërr që dikush e sheh natën në gjumë, e pas ëndrrës agon mëngjesi i vërtetë me të gjitha ngjyrat e kësaj jete. Po ashtu qetësia e zemrës vjen nga bindja e madhe tek Allahu xh.sh. se asgjë nuk humb tek Ai.

 E nga vjen frika e zemrës prej Allahut xh.sh.? Ajo vjen nga bindja në fjalën e Allahut xh.sh. në Kur’an:

 “dhe do të përgjigjeni në ditën e gjykimit për të mirat (kënaqësitë) e kësaj jete.” [Suretu Et-Tekathur-8.]       

E kur  të bashkohen frika dhe qetësia, dy komponentë këto me rëndësi të madhe, atëherë nga këto të dyja sigurohet rehatia dhe kënaqësia në këtë jetë.     

                 

Përktheu dhe përshtati nga arabishtja: Prof.Dr. Hfz. Hajredin Hoxha

Prof.Dr.Muhamed Said Ramadan el Buti – FSHEHTËSITË E DISA LIGJEVE KUR’ANORE

Burimi

0
Shopping Cart (0 items)