Furqan LeadershipFurqan LeadershipFurqan Leadership

Ajo që na bën të bindemi se hoxhë Hafiz Ali Korça i përkiste drejtimit reformist është qëndrimi i tij ndaj ngjarjes kur Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) i është bërë sihr dhe që përmendet në hadithe “sahih”. 

Nuk dua që të them të pavërteta mbi hoxhë Hafiz Ali Korçën (Zoti e mëshiroftë!), ndaj dhe për këtë shkak në vijim tekstin e tij, do ta transmetoj fjalë për fjalë, me qëllim që këtë çështje ta kuptojmë sa më mirë. Në tefsirin që i bën sures “El-Felek”, hoxhë Hafiz Ali Korça thotë: 

Ajo që thuhet nga Lebijd ibn El-A’ësami, çifuti nga Medina, se i ka bërë sihër Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) në pus dhe se Pejgamberit  i janë parafytyruar gjërat dhe se i është dukur kinse bën diçka e në realitet nuk bënte gjë, kinse flet diçka e në realitet nuk fliste gjë, derisa Zoti i Madhërishëm i ka treguar dhe informuar për vendin e sihrit…etj… dhe fjalë të tjera. Them se këto të dhëna nuk janë të vërteta në asnjë mënyrë, ngase pejgamberët nuk i kap sihri, ndaj si mund t’i bëhet sihër Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!)? Ai që e ka thënë këtë fjalë vërteton fjalën e idhujtarëve që thonë:

 “Ju nuk i shkoni pas përpos një njeriut të magjepsur..” në suren Isra, ajeti 47, dhe 

Të padrejtët thonë: Ju ndiqni vetëm një njeri të magjepsur ! “  ElFurkan, ajeti 8. 

Me termin “I magjepsur” ( مسحوراً ) nënkuptohet njeriu që i janë përzier gjërat dhe që ka iluzione, gjoja se bën diçka, e në realitet ai nuk bën asgjë ose beson se i është shpallur apo inspiruar diçka, kurse në realitet nuk i është shpallur e as inspiruar asgjë. Ata që thonë këtë nuk e njohin realitetin e pejgamberisë dhe rëndësinë e saj, dhe pa kurrfarë turpi ia ngjisin këto akuza dhe këto gjëra qesharake Pejgamberit të Zotit dhe mendojnë se çifuti Lebijd ibn El-A’sami i ka bërë sihër. Ata harruan se Kur’ani Fisnik është i vërtetë dhe se është vërtetuar që Pejgamberi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) është i mbrojtur dhe i ruajtur nga gabimi. Ne obligohemi të besojmë atë që duhet të besojmë dhe të refuzojmë atë që duhet ta refuzojmë.

Kur u përhap lajmi mbi sihrin e Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), ai vetë e mohoi lajmin e tillë duke thënë: “Unë nuk magjepsem”. Sidoqoftë, nëse ka ndonjë lajm të tillë nga Pejgamberi i Zotit, atëherë ai është transmetim individual (Ahad) ( طريق الآحاد ) që s’ka rëndësi në vlerën e tij. Prej nesh kërkohet që të besojmë se Alejhisselami është i mbrojtur, i pastër dhe i dëlirë nga çdo gjë që është thënë apo thuhet për të. Le të flasin sa të duan, ngase ne jemi të obliguar me atë që na urdhëron Kur’ani. Sikur të ishin të vërteta trillimet e tilla nga mendjeboshët se Pejgamberi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) është magjepsur, atëherë do ta informonte Ummetin e vet për diçka që nuk e ka urdhëruar Zoti i Madhërishëm dhe nuk e ka inspiruar. Po, sihri mund të ekzistojë, por megjithatë ai nuk mund të ndikojë në asnjë mënyrë në atë që e ruan Zoti i Madhërishëm, ngase Zoti e mbron dhe kujdeset për të (nënkupton Muhammedin a.s.-Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) Ne muslimanët, besojmë në atë që na ka urdhëruar vetëm Kur’ani dhe nuk obligohemi të besojmë në atë që besojnë idhujtarët. E vërtetë është se fjala “sihër” ekziston, por nuk duhet ta komentojmë ashtu siç e komentonin ata të devijuarit. Domethënia e “sihrit” është largim i gjësë nga e vërteta, dhe njerëzit e përdorin për të mashtruar nëpërmes fjalëve dhe lëvizjeve, duke t’u parafytyruar se është e vërtetë. Në Kur’anin Fisnik thuhet:

 “Kur, ja, atij iu duk se nga ajo magji e tyre litarët dhe shkopinjtë lëviznin (si gjarpërinj)”. dhe nuk thotë: “Iu duk se litarët dhe shkopinjtë lëviznin nga magjia e tyre”, dhe siç themi ne shqiptarët ndonjëherë: “Filani ma ka marrë trurin dhe më ka gjuajtur dhê apo zall në sy”– për të treguar se diçka është hile dhe intrigë. Pejgamberi thotë: ( و إن من البيان لسحراً ) “Edhe në fjalë ka magji”. Në politikën e sotshme, diplomatët përdorin këtë lloj magjie në çështjet e mëdha të hapura, nëpërmjet konferencave të shumta dhe fjalive e teksteve të mëdha me kuptime të zbrazëta e boshe dhe premtime të shumta e të parealizuara. Kështu i përdorin fjalët e tilla kur dështojë në zgjedhjet e tyre, madje edhe në raste lufte.

Argumenti i dytë se ky lajm nuk është i vërtetë vërehet edhe në suren “El-Felek” e cila ka zbritur në Mekë, ndërsa Lebijd ibn El-A’sami ka qenë në Medinë, pra si mund të pranohet një gjë e tillë?!

Sidoqoftë, ky është një trillim i pakuptimtë që nuk pranohet nga njerëzit me mendje të shëndoshë e të mirë dhe nuk i besojmë një gjëje të tillë”.

Ky është një qëndrim i qartë dhe transparent i hoxhë Hafiz Ali Korçës ndaj kësaj ngjarjeje apo këtij tregimi. Ai analizoi logjikisht dhe fetarisht shkaqet se një gjë e tillë nuk mund t’i ndodhë Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) Ky ishte mendimi i tij dhe kjo ishte metoda e tij, por në këtë çështje ekziston edhe një mendim tjetër. Para se ta kritikoj mendimin e tij, vlen të përmendi fjalët e prof. dr. Muhammed Husejn Edh-dhehebiut, ( Allahu e mëshiroftë ) i cili në këtë kontekst thotë: “Këtë hadith që e refuzon Imami,( Shejh Muhamed Abduhu) e ka transmetuar Buhariu dhe autorët e tjerë të veprave autentike, dhe asgjë nuk ndikon në autenticitetin e pejgamberisë. Sihri që e kishte kapluar Pejgamberin (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) kishte të bëjë me sëmurjet e trupit pa ndikuar në mendjen e tij, dhe thuhet se sihrin që Lebijd ibn El-A’sami ia ka bërë Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) mund të jetë diçka që u takon fryrjeve të grave e që quhet “lidhje”, dhe i dukej se i shkonte njërës prej grave të tij dhe kur i është ofruar s’ka mundur të bëjë gjë, ndërsa “sihrin” që e ka mohuar Pejgamberi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!)ka të bëjë me personin e marrë dhe s’ka dyshim se njeriu i tillë s’mund të jetë pejgamber. Në këtë mënyrë edhe i janë drejtuar duke i thënë:

 “O ti që të ka zbritur (Kur’ani) vërtetë je i marrë”.

 Në hadithin që e ka transmetuar Buhariu dhe të tjerët në veprat autentike, edhe pse Imami-(Shejh Muhamed Abduhu) dhe bashkëmendimtarët e tij nuk bëjnë dallim në mes transmetimit të Buhariut dhe të tjerëve, nuk ekziston ndonjë mëkat, nëse nuk pranon ndonjë transmetim nga Buhariu, si dhe, sipas tyre, mund të jetë transmetim individësh që s’mund të pranohet në formë të sigurt, e sipas mendimit tim, ky mendim shkatërron një pjesë bukur të madhe të Sunnetit që në krahasim me Kur’anin është sqarim e udhërrëfyes”.

Sipas kësaj që e përmend dr. Muhammed Husejn Dhehebiu, themi se sunneti autentik nuk kundërshton Kur’anin, por  “Sunneti sqaron Kur’anin ose e përforcon atë”. “Nuk ekziston asnjë hadith i vërtetë që kundërshton Kur’anin, e nëse ndodh diçka e tillë, atëherë hadithi është i vërtetë, por i paqartë, ose është i qartë por jo autentik, dhe hadithi jo autentik nuk pranohet, e nëse nuk është i qartë, atëherë duhet të shpjegohet konform Kur’anit, ngase Kur’ani është primar, kurse sekondarja nuk mund të kundërshtojë primaren”.

Ekziston edhe një çështje tjetër e rëndësishme këtu, gjegjësisht fakti se refuzimi i haditheve autentike i ngjanë pranimit të haditheve të trilluara dhe kjo i jep një autoritet negativ Ummetit, dijetarëve dhe imamëve që janë më të mirët e gjeneratave të tyre. Refuzimi i haditheve autentike të nxjerr nga feja…

Vazhdojmë e themi se Imam Shatibiu (Zoti e mashiroftë!), në kapitullin mbi sunnetin në librin e tij:

“El-Muvafekat… ” Haules-Sunneti ve Usuliha fil Kur’anil-Kerim ve ehemmijjeti ittiba’iha ve dhemmu terkiha”, thotë: “Sunneti, në kuptimin e vet mbështetet në Kur’an, sqaron kuptimin e tij, zbërthen problematikat e tij dhe lehtëson domethënien e tij”.

Siç shihet, në asnjë mënyrë nuk refuzohet sunneti autentik dhe i qartë, i cili assesi nuk mund të kundërshtojë ndonjë themel të besimit ose burim të Sheriatit. Hoxhë Hafëz Ali Korça, (Allahu e mëshiroftë ) është dashur të jetë më i kujdesshëm dhe të mos gjykojë se këto rrëfime janë të pasakta ose të transmetuara nga individë.

Zhvlerësimi i dy “Sahihëve” ose i njërit prej tyre është traditë e muslimanëve properëndimorë, e orientalistëve dhe kundërshtarëve të fesë islame si në të shkuarën, ashtu edhe në ditët e sotshme. Tejkalimi i kufijve të komentimit të teksteve, posaçërisht të teksteve profetike te prijësit e shkollës reformiste racionale dhe ideja mu’tezilite në këto çështje është një ndër aspektet më negative dhe ndër gabimet më të mëdha të tyre ndaj burimit të dytë nga burimet e Sheriatit Islam, gjegjësisht Sunnetit të pastër profetik. Kjo formë e komentimit të tyre duhet të zhduket e të anulohet dhe të zëvendësohet me ndonjë formë më të mirë, përkatsësisht t’i rikthehen metodës së selefus-salihit dhe dijetarëve muslimanë, si në vepra ashtu edhe në fjalë e besim, nëse vërtet dëshirojmë sukses dhe lumturi.

 Askush nuk guxon të prekë autoritetin e dy “Sahihëve” të Imam Buhariut dhe Muslimit, ngase tërë Ummeti janë unanim në autenticitetin e tyre, ose në të kundërtën, do të turpërohen me etiketën mu’tezilite tërë jetën, si dhe do të jenë përgjegjës edhe për ata që do t’i pasojnë pas tyre deri në Ditën e Gjykimit.

 

Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA

TEFSIRI DHE MUFESSIRËT SHQIPTARË NË KOHËN BASHKËKOHORE
(SHEK 19-20)

Burimi

0
Shopping Cart (0 items)