Furqan LeadershipFurqan LeadershipFurqan Leadership

 

Ashtu siç thamë më sipër, Shejh Hafiz Ibrahim Dalliu ishte personalitet me diapazon të gjerë, ndaj edhe veprimtaria e tij ishte konform diapazonit të tij (Zoti e mëshiroftë!) Veprat e tij përqendroheshin në katër pika: në aspektin fetar, shoqëror, letrar dhe politik. Por për fat të keq, pjesa dërrmuese e veprave të tij është djegur nga pushteti komunist shqiptar dhe ka ngelur një pjesë fare e vogël nga trashëgimia letrare e këtij dijetari të madh me përmasa botërore…

Dëshmia e bashkëkohësit të tij, e imamit dhe hoxhës shqiptar Imam Vehbi Ismaili,[1] konfirmon numrin e madh të shkrimeve të tij. Sipas disa hulumtuesve, ai ka thënë se Hafiz Ibrahim Dalliu ka shkruar mijëra e mijëra faqe. Nëse kjo informatë është e vërtetë, atëherë ky dijetar ka realizuar diçka që nuk kanë mund ta realizojnë kolegët e tij dijetarë. Nuk duhet të habitemi nga një gjë e tillë, ngase ai kishte çelësat e kulturave dhe qytetërimeve të mëdha, dhe çelësi i çdo kulture është gjuha e saj, dhe ai (Zoti e mëshiroftë!), e njihte arabishten, turqishten dhe persishten, gjegjësisht gjuhët themelore orientale. Pra, fare nuk duhet të habitemi nga aktiviteti i tij dhe nuk ka dyshim se Zoti këtë vlerë (dhunti) ia jep atij që do, e nuk ka kurrfarë dyshimi se Zoti është i Madhërishëm.

Në vazhdim do t’i theksojmë veprat e Shejh Hafiz Ibrahim Dalliut, të cilat me mund të madh i gjeta në Shqipëri, ndërsa disa të tjera i kanë theksuar hulumtues të tjerë:

  1. “Ajka e kuptimeve të Kur’ani Qerimit”

Kjo është vepra më e madhe dhe më e rëndësishme e tij që ka arritur te ne, përkatësisht ka mbijetuar gjer në ditët tona, përkundët inkuizicionit dhe terrorit komunist shqiptar. Kjo vepër është tefsir jo i plotë i Kur’anit Fisnik. Autori e komenton Kur’anin deri në fillim të sures Teube në tre vëllime.

Në librin “Libri i së falmes”, Shejh Hafiz Ibrahim Dalliu thotë: “Libri: “Ajka e kuptimeve të Kur’ani Qerimit” është përkthyer nga unë dhe është botuar në dy vëllime nga Komuniteti Islamik. Po ashtu ekzistojnë edhe tre vëllime të pabotuara…” [2]

Edhe pse nuk është i plotë, falënderoj Zotin që ky personalitet islamik shqiptar ka tefsir metodologjik me plot kuptimin e fjalës tefsir, dhe dëshira ime e madhe do të ishte që ta kishte të përfunduar tërësisht atë, mirëpo dëshira e Zotit ishte që ai të vdes pa e realizuar këtë vepër të tij fisnike…

Lus Zotin e Madhërishëm dhe të gjithëfuqishëm që të përgatitë njerëz të sinqertë e dijetarë shqiptarë që do ta vazhdojnë këtë projekt të madh të papërfunduar, ngase kemi nevojë të madhe për një vepër të tillë, ashtu siç ka ndodhur me dijetarët e mëdhenj, të cilët vdiqën pa i përfunduar tefsiret e tyre, por nxënësit e tyre të sinqertë e plotësuan veprën e tyre, gjegjësisht punën e tyre,  si p.sh.: tefsiri i  Shejh Muhamed Abduhusë, të cilin ai nuk pati mundësi ta përfundojë gjatë jetës së tij, por e vazhdoi nxënësi i tij  Shejh Reshid Rida, i cili po ashtu nuk pati mundësi ta përfundojë tefsirin e tij. E njëjta gjë ndodhi edhe me tefsirin e Shejh Muhamed El Emin Shankitit, të cilin e vazhdoi nxënësi i tij i sinqertë, dijetari i njohur Shejh Muhammed Atijeh Salim, apo me tefsirin e Imam Fahruddin Raziut, atë të Xhelalejnit dhe me tefsirë të tjerë.

Çështja tjetër e rëndësishme që ka të bëjë me këtë tefsir dhe me autorin e tij, është kontestimi i autorësisë së Hafiz Ibrahim Dalliut. Sa i përket këtij tefsiri nga ana e disa hulumtuesve me pretekst se nuk figuron emri i Shejh Hafiz Ibrahim Dalliut në kopertinën e tefsirit. Aty figuron titulli i tefsirit, vendi dhe data e botimit: “Ajka e kuptimeve të Kur’ani Qerimit”,[3] botimet e Këshillit të Naltë të Sheriatit, dhe aty po ashtu shkruan: “U lexua, u shqyrtua e u pëlqye prej Këshillit të Naltë të Sheriatit”.

Këto janë të dhënat që shkruhen në kopertinën e tefsirit dhe siç shihet, aty nuk figuron fare emri i Shejh Hafiz Ibrahim Dalliut.

 

Replikë ndaj kësaj problematike

Qe ne fillim dua te konfirmoj se ky tefsir i jo kompletuar eshte 100% ( in sha Allah) autentik i Hfz. Ibrahim Dalliut. Argumentet vijuese na flasin se:

  1. Ndodh që për shkaqe sigurie e politike njeriu preferon të mos e shënojë emrin e vet në libër, por e shënon emrin e ndokujt tjetër, apo e autorizon ndonjë autoritet islamik që të merr përsipër botimin e librit. Në kohën kur u botua tefsiri i Shejh Hafiz Ibrahim Dalliut, rrethanat politike, shoqërore e fetare në Shqipëri ishin shumë të këqija. Sulmi i ashpër ndaj fesë dhe njerëzve të fesë ishte një realitet i hidhur.
  2. Hulumtuesi dr. Ismail Bardhi e konfirmon autenticitetin e autorësisë së Shejh Hafiz Ibrahim Dalliut në këtë tefsir në studimin e tij mbi metodën e Shejhut në tefsir. Hulumtuesi i sipërpërmendur e vërteton këtë në bazë të një transmetimi gojor nga një dijetar shqiptar që jetoi dhe veproi në SHBA, e që ka qenë bashkëkohësi i Shejh Hafiz Ibrahim Dalliut, pra nga fjalët e Imam Vehbi Ismailit (që e përmendëm edhe më sipër). Në bazë të këtij transmetimi verbal ky tefsir është vepër origjinale e Hafiz Ibrahim Dalliut.[4]
  3. Unë mendoj se këto argumente e zbërthejnë çështjen e autorësisë, ngase janë argumente shumë të fuqishme. Këtë realitet e konfirmon vetë Shejh Hafiz Ibrahim Dalliu, ku në një vepër të tij ( Libri i se falmes ) thekson se ai vet e ka shkruar tefsirin “Ajka e kuptimeve të Kur’ani Qerimit” dhe se Komuniteti Islamik ia ka botuar dy vëllime, ndërsa kanë ngelur edhe tre vëllime tjera të pabotuara fare.[5]

Ç. Po ashtu unë mendoj dhe besoj se argumenti më i fuqishëm mbi autenticitetin e këtij tefsiri është uniteti metodologjik, uniteti formal dhe tematik, dhe mënyra e tefsirit, stili igjuhës së përdorur, analiza e ajeteve dhe zbërthimi i temave. Në tefsirin e tij vërehet një mënyrë dhe një formë në komentimin e ajeteve, ngase nuk e komenton ndonjë ajet në llogari të ajetit tjetër dhe nuk vëren ndonjë ndryshim. Secili që e përjeton tefsirin e tij dhe që lexon diçka prej tij e vëren këtë të vërtetë metodologjike të tij, dhe Allahu e di më mirë.

Mendoj se me kaq, falë Zotit u zbërthye kjo problematikë, posaçërisht kur dihet se disa hulumtues të mëvonshëm e kanë studiuar jetën dhe tefsirin e Shejhut dhe janë pajtuar se ky tefsir është i Hafiz Ibrahim Dalliut pa fije dyshimi.

Falë Zotit, unë pata fat që të gjej vetëm dy vëllime e t’i fotokopjoj nga biblioteka personale e dr. Ramiz Zekajt në Shqipëri, themelues dhe drejtor i Institutit Shqiptar të Mendimit dhe Qytetërimit Islamik (AIITC) në Tiranë, dhe për këtë arsye, i jam shumë mirënjohës!

Veprat e tjera  të Shejh Hafiz Ibrahim Dalliut janë:

  • “E lemja [6] dhe jeta e të madhit Muhamed alejhisselam”.[7]
  • “Dhuntie Ramazani”.[8] Këtu, në këtë vepër Shejhu e komenton ajetin e agjërimit në bazë të tefsirit të imam Fahrudin Raziut, pastaj flet për dobitë fetare, morale, shëndetësore, sociale, ekonomike e obliguese nga agjërimi si dhe për atë se çka e prishë agjërimin, etj.
  • “Degët e imanit”.[9] Në bazë të fjalëve të Shejhut, kjo broshurë është përkthim i komentimit të hadithit “Besimi ndahet në shtatëdhjetë e ca degë”- nga komentimi i Sahihut të Buhariut që e ka shkruar dijetari i njohur Mahmud Bedruddin El-Ajnij El-Hanefij.
  • “Besimi i Muslimanëve”.[10] Këtu autori i thekson disa argumente e fakte mbi ekzistimin e Zotit të Madhërishëm, në të falënderohet Allahu i Madhërishëm, thekson vlerat e Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), të Hulefai-Rashidinëve, Imam Ebu Hanifes dhe Imam Ebu Mensur El-Maturidiut (Zoti e mëshiroftë!).
  • “Ç’ashtë Islamizma?”[11] Autori këtu i thekson disa çështje të Islamit dhe Imanit (besimit) me pyetje e përgjigje sipas Ehli Sunnetit dhe Xhematit.
  • “Libri i së falmes”. Këtu autori i sqaron parimet e namazit, pastërtisë dhe dobitë prej tyre. Aty po ashtu i ka komentuar e përkthyer disa sure të shkurtra të cilat i lexon falësi i namazeve.
  • “Patriotizma[12] në Tiranë”.[13]

Nga përkthimet e tij mund të theksojmë:

  1. Përkthimin e librit të Imam Bergjeviut (929-981H) “Et-Tarikatu el-Muhammedijje”,[14] “Udha Muhamedane”;[15]
  2. Përkthimin e veprës së Profesor Omer Nassuhit: “Mësime teorike dhe praktike të moralit islam”;[16]
  3. Përkthimin e dyzetë haditheve të Imam Neveviut: “Hadithi Erbein”;
  4. Përkthimin e librit “Texhvid i Kur’anit”, i përkthyer nga Hafiz Ibrahim Dalliu, por pa e theksuar gjuhën prej së cilës e ka përkthyer.[17]
  5. Përveç këtyre veprave autori ka shkruar edhe vepra të tjera letrare prozaike, kritike e politike, por këtu nuk kemi vend të mjaftueshëm për t’i theksuar në tërësi.[18]

Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA

TEFSIRI DHE MUFESSIRËT SHQIPTARË NË KOHËN BASHKËKOHORE
(SHEK 19-20)

[1] Imam Vehbi Ismaili (Zoti e mëshiroftë! ) është shqiptar nga Shkodra, studimet i mbaroi gjatë Luftës së Dytë Botërore në Universitetin e famshëm të Az’harit në Kajro, por pas studimeve kurrë më nuk u kthye në Shqipëri, ngase në pushtet erdhën komunistët. Shërbeu si imam dhe ligjërues i shqiptarëve në SHBA dhe kryetar i Qendrës Islame Shqiptare për SHBA dhe Kanada. Edhe Imam Vehbi Ismaili është marrë me shkrime, publicistikë dhe me përkthime të ndryshme nga arabishtja dhe anglishtja në gjuhën shqipe. Ndërroi jetë në maj të vitit 2008. Zoti e mëshiroftë!

[2] Dr. Feti Mehdiu, “Përkthimet e Kur’anit në gjuhën shqipe”; fq. 48.

[3] Shtypshkronja “Ora e Shkodrës”, Shkodër 1929.

[4] Ismail Bardhi, “Ibrahim Dalliu dhe egzegjeza e tij kur’anore”; fq. 101.

[5] Feti Mehdiu, “Përkthimet e Kur’anit në gjuhën shqipe”; fq. 48.

[6] Shtypshkronja “Shkodra”, Tiranë 1934.

[7] Fotokopjen e këtij libri e mora në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, Shqipëri dhe i ka 228 faqe. Këtë libër e ka shkruar Shejhu me një gjuhë të lehtë, atraktive dhe të rrjedhshme prozaike.

[8] Shtypshkronja “Tirana”, Tiranë 1935.

[9] Shtypi “Tirana”, Tiranë 1943.

[10] Shtypi “Tirana”, Tiranë 1942.

[11] Shtypi “Qendra Islamike Amerikane, 1992.

[12] Shtypshkronja “Imazh”, Tiranë 1995.

[13] E përpiloi në kohët e fundit të shtetit osman në mes viteve 1908-1915 dhe i theksoi afër 150 patriotë krahas disa personaliteteve islame, të cilët përjetuan tortura shumë të mëdha e maltretime nga pushteti osman (xhonturq(, përfshirë edhe vetë Shejhun. Shejhu thekson arsyen e maltretimeve dhe torturimeve të tij dhe të shokëve të tij, gjegjësisht që ka të bëjë me këmbëngulësinë e tyre në idenë për domosdoshmërinë e mësimit në gjuhën shqipe.

[14] Vëll. 1, “Tirana”, Tiranë 1936.

[15] Ky libër është ribotuar për herë të dytë në vitin 2000 nga dr. Ramiz Zekaj, drejtori i Institutit Shqiptar të Mendimit dhe Qytetërimit Islam (AIITC). Në esencë ky libër është libër i besimit të Ehli Sunnetit dhe Xhematit dhe në te ka çështje që kanë të bëjnë me Kur’anin, monoteizmin, kritikat e monoteizmit, risitë në fe, llojet e shkencave, llojet e mëkateve të mëdha dhe sëmundjet e zemrës. Ky libër pati jehonë të madhe, ngase plotësoi një zbrazëtirë të madhe që ekzistonte në shoqërinë shqiptare islame.

[16] Shtypshkronja “Tirana”, Tiranë 1935.

[17] Shtypshkronja “Sanxhakçia”, Tiranë 1921.

[18] Më gjerësisht rreth jetës, mendimeve dhe veprave të Shejh Hafiz Ibrahim Dalliut shih literaturën vijuese:

– Ismail Bardhi, “Hafiz Ibrahim Dalliu dhe egzegjeza e tij kur’anore”; 75-100;  Ramiz Zekaj, “Zhvillimi i kulturës islame ndër shqiptarët gjatë shek. XX”; 309-312; “Feja, kultura dhe tradita islame ndër shqiptarët” – (veprat dhe hulumtimet e Konferencës Ndërkombëtare), artikulli i Hysni Myzyrit, “Hafiz Ibrahim Dalliu për mësimin shqip në etapën e fundit të Rilindjes”; 405-410;  Feti Mehdiu, “Përkthimet e Kur’anit në gjuhën shqipe”; Logos-A, Shkup 1996, 21-30; Hafiz Ibrahim Dalliu, “Patriotizma në Tiranë”; Imazh, Tiranë, 1995, 37-48; Türkiye Diyanet Vakfi Islam Ansiklopedisi, Baglarbashi, Kisikli caddesi, 7, Üskudar – Istanbul 1997, vëll. 15, fq. 92.

Faik A. Kasollja , “Hafiz Ibrahim Dalliu, jeta dhe vepra”;  Sinan Tafaj, “Jeta e Hafiz Ibrahim Dalliut”; Rezarta Delisula, “Tiranasi që përktheu Kur’anin”;- (artikuj dhe hulumtime nga interneti); Ibrahim Hasnaj, “Hafiz Ibrahim Dalliu”; Vepra letrare, “Dokrra hini”; “Grenxat e kuqe të Tiranës”; Petrit Kuse, “Një ëndër e ime”; botimet enciklopedike, Tiranëm 2000, 91-95.

Burimi

0
Shopping Cart (0 items)