Furqan LeadershipFurqan LeadershipFurqan Leadership

Shembuj Kur’anorë për modele të suksesshëm të lidershipit ka shumë. Një nga ata është dhe modeli gjithëpërfshirës  i pejgamberit tonë, Muhammedit a.s, model që përfshinë të gjitha fushat.

Shembulli tjetër është ai i Sulejmanit a.s. me Belkisën, mbretëreshën e popullit sebe’, gruan që pranoi Islamin. Para konvertimit, me të pranuar letrën e Sulejmanit a.s ajo konsultohet me gjeneralët ushtarakë mbi përgjigjen që do t’ia kthente  Sulejmanit a.s. Veprim i saj i zgjuar që reflekton vizion dhe largpamësi! Këta elementë, bashkë me konsultën ose shura-në[1] (siç e njohim në fe), janë elementë të lidershipit të suksesshëm. Në rastin e Belkisës kjo u dëshmua në praktikë, me vet faktin që ajo bashkë me popullin e saj shpëtuan nga dënimi i Zotit (në dynja e ahiret)! Shpëtoi dhe nga sulmi i mundshëm i Sulejmanit a.s. në rast se do ta refuzonte kërkesën ose do t’i përgjigjej me forcë, siç mund të ndodhte sipas mendësisë së gjeneralëve të asaj kohe.

Shembull tjetër Kur’anor kemi Jusufin a.s. dhe përvojën e tij të shkëlqyer në ekonomi e financa, shembulli i Dhulkarnejnit në fushën ushtarake si dhe shembujt tjerë që për shkaqe objektive nuk do të mund ti përfshijmë!

Lidershipi i përgjithshëm i Muhamedit a.s.

Prej shembujve të lidershipit kulmor, në fushën ushtarake, shoqërore gjithsesi dhe fetare është shembulli i pejgamberit tonë, Muhammedit a.s.

Allahu xh.sh. e ka dalluar pejgamberin tonë me tipare dhe virtyte çfarë nuk ka patur askush nga njerëzit tjerë! Për të qenë model për njerëzimin, Ai e ka zbukuruar me petkun e moralit të përkryer, ashtu siç përshkruhet në Kur’an:

Sepse ti je, me të vërtetë, me moral; të lartë..” [ Kalem: 4]

Njëherit e ka dalluar dhe me mëshirë, dhembshuri dhe dashamirësi për mbarë njerëzimin, veçmas për myslimanët. Këtu qëndron dhe sekreti i aftësisë së tij për t’i afruar dhe pushtuar zemrat e njerëzve. Thjeshtësia dhe modestia e Pejgamberit a.s. shkonte deri aty sa ai konsultonte shokët dhe merrte mendimet e tyre madje dhe në çështjet esenciale, në luftë e ushtri. Për këto elemente të fuqishme lidershipi flasin ajetet në vazhdim:

Në sajë të mëshirës së Allahut, u solle butësisht me ta (o Muhamed!). Sikur të ishe i ashpër dhe i vrazhdë, ata do të largoheshin prej teje. Prandaj falju gabimin, kërkoi falje Allahut për ta dhe këshillohu me ta për çështje të ndryshme. Për vendime, mbështetu tek Allahu! Vërtet, Allahu i do ata që mbështeten tek Ai.” [ Al Imran: 159]

Ju erdhi i dërguar nga mesi juaj. Atij i vie rëndë për vuajtjet tuaja. I brengosur për besimtarët, i butë dhe i mëshirëshëm..” Teube: 128]

Një nga segmentet më të rëndësishëm në realizimin e çfarëdo projekti (të çfarëdo institucioni politik, ushtarak, civil, edukativ) dhe të çfarëdo niveli (pra edhe në nivel të ymetit në tërësi), është emërimi i një lideri shembullor; me virtyte të larta; me edukatë, besimtar i kulluar dhe i lidhur fortë pas Allahut xh.sh. Mungesa e një lideri të tillë mund të jetë pasojë e gjithë mjerimit që përmendëm më sipër, si në rrafshin praktik të besimit fetar ashtu dhe në rrafshin qeverisës shtetëror (të politizimit apo ideologjizimit të fesë)!

Ehlul hil-lit dhe akdit [2] i mbetet për detyrë që në bashkëpunim me dijetarët, ekspertët dhe këshilltarët, të gjejnë një lider të tillë; ta përgatisin së pari e më pas ta aftësojnë për të marrë përgjegjësi administrative, fetare, shoqërore, ushtarake e shtetërore.

Kushdo që ka lexuar Siren ose biografinë profetike, biografitë e katër udhëheqësve të drejtë[3], biografitë e liderëve dhe komandantëve të njohur politikë e ushtarakë përgjatë historisë, do ta gjejë këtë të vërtetë të kristalizuar[4].

Në Betejën e Mu’tes, Pejgamberi a.s. i kishte përgatitur komandantët me radhë, duke caktuar fillimisht si komandant të parë Zejd bin Harithen r.a, në vend të të cilit në rast se do të vritej do të vinte Xhafer bin Ebi Talibi r.a e të cilin do ta pasonte Abdullah bin Revaha poqëse edhe Xhaferi do të vritej. Pas kësaj, komandant do të bëhej ai rreth të cilit pajtohen unanimisht të gjithë besimtarët.

Lidershipi i Muhamedit a.s. nuk përjashton mundësinë e përfitimit nga përvojat e popujve tjerë, në aspektin ushtarak e shkencor dhe të sigurisë së popullit e gjakut të besimtarëve, kuptohet duke marrë gjithçka me kujdes të shtuar dhe mbi bazë të përvojës së dëshmuar si të suksesshme. Kështu pati vepruar Pejgamberi a.s. në Betejën e Hendekut, kur mori mendimin e Sahabiut të nderuar, Selman Farisiut r.a.[5] për të hapur hendeqe rreth Medinës, në mënyrë që tu pamundësohej ushtrive kundërshtare (idhujtarëve, çifutëve dhe fiseve arabe) të depërtojnë në Medinë. Kjo ishte mënyrë e njohur në luftërat e persianëve por jo dhe në ato të arabëve, prandaj Pejgamberi a.s. e implementoi dhe kjo u tregua si metodë e suksesshme.

Përsa i përket Sires, do të përmendim dhe disa shembuj tjerë, të cilët i ka përmbledhur Fehd bin Salih Axhlani në një punim në të cilin Siren e ka trajtuar nga këndvështrimi i Shuras:

Pejgamberi a.s. i ka konsultuar shokët edhe lidhur me betejat tjera[6]. Ka patur raste kur Pejgamberi a.s. ka diskutuar vetëm me një pjesë (elitare) të shokëve të tij, siç ndodhi p.sh. në Betejën e Bedrit, kur u konsultua me Ebu Bekrin r.a. dhe Omerin r.a. lidhur me robërit e luftës.

Në Sahihun e Muslimit transmetohet që pasi ishin zënë robërit e luftës, Pejgamberi a.s. kishte pyetur Ebu Bekrin dhe Omerin: Çfarë mendoni për këta robër (si të veproj me ta)? Ebu Bekri i ka thënë: O Lajmëtar i Allahut, janë kushërinj dhe farefis, prandaj mendimi im është të marrësh kompensim material për ta (t’i lirosh kundrejt një pagese) që të jetë burim force për ne ndaj jobesimtarëve. Ka mundësi që Allahu t’i udhëzojë në Islam! Po ti, o biri i Hattabit, çfarë mendon? – iu drejtua Omerit Pejgamberi a.s. Jo o i Dërguari i Allahut, jo, për Allahun unë nuk e mendoj atë që e tha Ebu Bekri. Unë mendoj që me lejen tënde t’ua prejmë kokat; Aliut t’i japësh mundësi t’ia presë kokën Akilit, kurse mua filanit (një të afërmi të Omerit) … sepse ata janë koka dhe zemra të idhujtarëve!

Pejgamberi a.s. i kishte veçuar për këshilla dhe dy Sa’dët, Sa’d bin Muadhin dhe Sa’d bin Ubaden, tamam në ditën kur ndodhi Beteja e Hendekut, kur kishte menduar t’ia jepte 1/3 e frutave prijësve të fisit Gatafan për ta zhbllokuar Medinën.

Pejgamberi a.s. e ftoi Sa’d bin Muadhin dhe ia përmendi këtë. Sa’di iu drejtua: O i Dërguari i Allahut, në të kaluarën edhe ne si ata mohuam Allahun, adhuronin idhujt, as e njihnim as e  adhuronim Allahun, prapseprapë, ata nuk guxonin të hanin nga frutat e Medinës pos kur ishin mysafirë ose kur ishin blerës. Kurse tani, që Allahu na nderoi me Islam, na udhëzoi në të dhe na bëri krenarë me ty dhe me Të, t’ua japim ne atyre pasuritë tona? Jo, pasha Allahun, nuk do t’iu japim asgjë pos shpatës, derisa Allahu të gjykojë mes nesh dhe atyre!

Atëherë le të jetë kështu, merru ti me ta, i tha Pejgamberi a.s!

Sa’di e mori letrën e marrëveshjes dhe e fshiu të tërën.

Rasti tjetër flet për marrëveshjen e Hudejbijes, kur Pejgamberi a.s. urdhëroi shokët të therrnin kurban dhe ti qethnin flokët. Asnjëri nga ata nuk respektoi vendimin! Pejgamberi a.s. hyn tek Ummu Seleme-bashkëshortja e tij – dhe ia përmend këtë. Ummu Seleme i thotë: O lajmëtar i Allahut, dil para tyre dhe pa fjalë there kurbanin tënd dhe thirre berberin të të qethë.

Pejgamberi a.s. kështu veproi; pa i folur askujt theri devenë si kurban dhe i tha berberit ta qethte. Me ta parë, shokët u çuan dhe i therën kurbanet e tyre.

Shura apo konsulta në rastin e pejgamberit a.s. nuk ishte thjesht vetëm një çështje politike! Pejgamberi a.s. diskutonte me shokët edhe për çështje të tjera, si për shembull për rastin e Ajshes r.a,  pyet Aliun dhe Usame bin Zejdin nëse duhej ta divorconte për shkak të moralit!? Usame r.a. i përgjigjet se beson në ndershmërinë e gruas së tij (Ajshes) ndërsa Aliu r.a. ishte i mendimit se bota nuk kishte mbetur në një grua dhe se kishte gra të tjera (pra e këshilloi për divorc).[7]

Një studiues i nderuar duke folur për lidershipin nën dritën e ajeteve Kur’anore veçon disa tipare dhe karakteristika të lidershipit të Muhamedit a.s., të cilat do t’i përshkruajmë në formë të përmbledhur sipas tipareve: Morali i lartë, përkushtimi për mirëqenien e ushtrisë, butësia dhe mirësjellja, aftësia për të organizuar, sistemuar dhe deleguar detyrat, konsultimi, vendosmëria, përfitimi nga përvojat ushtarake të popujve tjerë [8].

 

Lidershipi i Muhamedit a.s. në fushën ushtarake dhe shoqërore

  • Muhammedi a.s. është dalluar për moral të lartë, dhembshuri, mëshirë dhe mirësjellje me muslimanët në përgjithësi dhe ushtarët në veçanti
  • Kësaj mirësjelljeje dhe mëshire pas Allahut xh.sh. i detyrohet për afrimin e zemrave dhe bashkimin e njerëzve rreth Tij
  • Fushat e lidershipit profetik dhe konsultimi i tij
  • Planfikimi dhe organizimi, përcaktimi i pozitave luftarake në betejat e Bedrit dhe Uhudit
  • Marrja e propozimit të Selmanit r.a. për hapjen e hendekut për të mbrojtur Medinën në Betejën e Hendekut
  • Konsultimi i Ebu Bekrit dhe Omerit r.a. përkitazi me robërit e luftës në Betejën e Bedrit
  • Konsultimi i Ummu Selemes në Marrëveshjen e Hudejbijes lidhur me marrëveshjen me idhujtarët për tu liruar nga ihrami. Ajo i propozoi ta therte kurbanin dhe të qethej
  • Konsultimi i Aliut dhe Usames r.a. përkitazi me rastin e Ajshes r.a. ta mbante apo ta divorconte

Konsultimi i Sa’d bin Muadhit dhe Sa’d bin Ubades lidhur me dhënien e 1/3 të frutave fisit Beni Gatafan që të largohen nga rrethimi i muslimanëve. Mendimi i tyre ishte të luftojnë, jo t’iu japin frutat

 

Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA

LIDERSHIPI I SUKSESSHËM (sipas vizionit kur’anor dhe studimeve bashkëkohore)

SHEMBUJ TË LIDERSHIPIT TË SUKSESSHËM NGA PRIZMI KUR’ANOR


[1] Detaje rreth Shura-së në Siren profetike dhe mënyrat e aplikimit të saj në kohën tonë mund t’i gjeni në artikullin me titull “Eshshura fi essijaseti ennebevijjeh” të dr. Fehd bin Salih el-Axhlanit në portalin e Ligës së Dijetarëve të Ehlu Sunneti: http://www.rabtasunna.com. Portali është shfletuar më datë: 03.02.2019.

[2] Shih kuptimin e këtij nocioni në fund të librit.

[3] Shih kuptimin e këtij nocioni në fund të librit.

[4] Shih sa për ilustrim librin 100 min udhamai ummeti el-Islam gajjeru mexhra et-tarih të Xhihad Turbanit, b. 10, Dar et-takva, Medine Munevvere 2015. Shihe dhe: Alija Izetbegoviç, Avaik en-nehdati el-islamijje – mexhmu mekalat, përktheu në arabisht: Omer Husejnspahiq, botuar në Doha më 1996.

[5] Shih: Ibn Hisham, Essiretu ennebevijjetu,pjesa ku flitet për Betejën e Hendekut, 3/165.

[6] Shih: Ibn Hisham, Essiretu ennebevijjetu,pjesa ku flitet për Betejën e Bedrit, 2/258.

[7]Shkëputje nga artikulli “Esh-shura fi essijaseti ennebevijje” të dr. Axhlanit, të cituar më lartë. Shih po kështu edhe konsultimin e Pejgamberit a.s. me Ensarët: Ibn Hishami, Essiretu ennebevijje, 2/258; konsultimin me Ummu Seleme në Marrëveshjen e Hudejbijes dhe konsultimet në Betejën e Bedrit 3/263; 2/249 në referencën në fjalë.

[8] Shih: El-Astal, Muhammed Ahmed, El-kijadetu fi dav’i el-ajat el-kur’anijeh,f. 175-178.

Burimi

0
Shopping Cart (0 items)