Furqan LeadershipFurqan LeadershipFurqan Leadership

 

Edhe pse nuk anojmë kah medhhebi i komentimit të Cilësive, përsëri kjo nuk nënkupton se ne duhet të mohojmë përgjithësisht dhe në detaje komentimin (Te’vijlin ), apo se nuk ekziston ndonjë kuptim i përshtatshëm dhe i kapshëm për të. Imam Ibn Kajjimi, nxënës i Shejhul-Islamit (Zoti i mëshiroftë të dy!) jep një zbërthim të bukur rreth kësaj çështje në librin e tij:

“Essavaikul-mursele ala el-xhehmijjeti vel-mu’attileti”. Ai në këtë libër flet per dy lloje të komentimit (Te’vijlit)Komentimi në kuptim të tefsirit e që është i kapshëm, i pranuar dhe komentimi i falsifikuar të cilin nuk e pranojnë, por përkundrazi, e refuzojnë”.

Lloji i dytë i komentimit qe nënkupton falsifikim, devijim, ndryshim…është ide dhe vepër e çifutëve që ia bënë Teuratit, si dhe këta janë paraprijës dhe autorë të këtij lloji të komentimit te devijuar gjatë historisë.

Disa fraksione islame si mutezilët, xhehemitët, kaderitët dhe disa tjera e mbështesin komentimin e devijuar. Në këtë kontekst, Imam Ibnul Kajjimi (Zoti e mëshiroftë!) thotë:

“Te’vijli- Komentimi bazohet në dy aspekte: në tefsir (te’vijl ) dhe falsifikim ( tahrijf). Ai lloj i te’vijlit qe nenkupton:( tefsir); ai është i vërtetë, ndërsa ai te’vijl qe nenkupton( tahrif); ai është i pavlefshëm, ngase është nje lloj i ateizmit( largim, ikje) dhe devijim i teksteve nga kuptimi i vërtetë, ose me thumbim ose me devijimin e të vërtetave. Kështu vepron edhe ateizmi me Emrat e Zotit, herë i refuzon kuptimet dhe të vërtetat e tyre, e herë e mohon bartësin e Emrave të tillë (Zotin) dhe herë i bëjnë shok. Komentimi i pavlefshëm( tahrijfi) është ateizëm e devijim, edhe pse ithtarët e tij e quajnë verifikim, njohje e komentim. Si komentim i falsifikuar dhe ateist xhehemist konsiderohet komentimi i ajetit kur’anor:

 “E Musait i foli Allahu me fjalë”.[1] Këtu devijohet fjala dhe deklinacioni i fjalës: “ve kel-lemell-llahe…” (prej emërores e bëjnë në kallëzore), dhe merr kuptimin “Musai i foli Zotit e jo Zoti Musait” –  dhe kjo është një lloj mënyre e falsifikimit të kuptimit nga ana e çifutëve, bile edhe më keq. Kur e devijuan xhehemitët kuptimin e tekstit, apologjetët(ata qe ishin ne rrugen e drejte te ehli Sunnetit dhe Xhematit) thanë: “Ç’ka thoni për ajetin kur’anor:

“E kur Musai erdhi në kohën që i caktuam dhe i foli Zoti i vet…”?[2]atëherë u hutuan devijuesit dhe ngelen te shokuar. Po ashtu edhe komentimi i kaderitëve mexhusitë e devijojnë kuptimin e teksteve të kaderit duke i nxjerrë nga konteksti dhe nga kuptimi i vërtetë. Xhehemitët i komentojnë tekstet e Cilësive dhe i nxjerrin nga konteksti dhe kështu e privojnë Zotin e Madhërishëm nga Cilësitë e përkryera, ashtu siç e privojnë nga fuqia e dëshira. Ne nuk mohojmë komentimin, por pranojmë komentimin që mbështetet në të vërtetën shkencore dhe fetare, dhe dijetarët e thelluar në shkencë dhe ne fe janë të aftë për komentim, por cilin prej dy komentimeve? Ne jemi më të thirrur në tefsir dhe jemi te lumtur, ndërsa të tjerët qe kan ba( tahrijf ) komentim të falsifikuar jane ne mizori. Vetëm Zoti e di të vërtetën…!”[3]

Pastaj Ibn Kajjimi (Zoti e mëshiroftë!) i thekson dëmet dhe arsyet e këtij komentimi të pavlefshëm. Ky lloj i komentimit e ka dëmtuar shumë Islamin, e ka shkatërruar fenë dhe i ka eliminuar mësimet për shkak të tentativave të devijimeve dhe iluzioneve të tilla. Ai i quan argumentet dhe arsyetimet e tilla: tavagijt “djaj-idole” dhe në këtë kontekst thotë:

“Thënia e tyre se Fjala e Zotit dhe fjala e Pejgamberit të Tij janë argumente verbale, nuk kanë ndonjë dituri dhe nuk përfitohet prej tyre ndonjë bindje, thënia e tyre se ajetet e Cilësive dhe hadithet e Cilësive janë alegori dhe s’ka gjë të vërtetë në to, thënia e tyre se të dhënat nga Pejgamberi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) që janë të vërteta e që transmetohen nga njerëzit të drejtë të ummetit nuk ofrojnë ndonjë dituri dhe kanë për qëllim hamendjen, si dhe thënia e tyre se nëse ekziston ndonjë kontradiktë në mes intelektit dhe teksteve të Shpalljes e marrim intelektin e jo Shpalljen, janë katër djaj-idole-tagute që e kanë dëmtuar shumë Islamin, i kanë eliminuar parimet e tij, i kanë zhdukur mësimet e tij, i kanë shkatërruar rregullat e tij, e kanë nxjerrë shenjtërinë e teksteve nga zemrat dhe kanë trasuar rrugën e thumbimit për çdo jobesimtar ateist dhe secili prej tyre është mbështetur në ndonjë djall prej djajve të tillë, është drejtuar në këtë drejtim dhe është larguar nga rruga e Allahut.

Zoti i Madhërishëm, me Fuqinë dhe Forcën e Tij i ka shkatërruar këto djaj një nga një përmes pasardhësve të pejgamberëve dhe trashëgimtarëve të pejgamberëve të Tij. Ithtarët e Zotit dhe të Pejgamberit të Tij vazhdimisht i sulmojnë ata në çdo vend të botës, i gjuajnë me fakte nga Shpallja e me argumente racionale. Edhe ne i kundërshtojmë fjalët e tyre një nga një…”[4]

Mjafton kaq rreth sqarimit të qëndrimit të disa dijetarëve te selefit rreth kësaj çështje. Ne anojme kah ky mendim dhe e pranojmë këtë qëndrim plotesisht, ngase mendojmë se ky është qëndrim i vërtetë dhe i saktë in sha Allah. Poashtu, ne pranojmë komentimin që është tefsir e sqarim e jo komentimin që devijon, ndryshon e falsifikon( ban tahrijf).

Dëshiroja që kjo hyrje të jetë peshojë për matjen e fjalëve të Shejh Hafiz Ibrahim Dalliut dhe të tjerëve, keshtu që gjatë elaborimit dhe analizës së mendimeve të tija akaidologjike më vonë në këtë studim, nuk do të kemi nevojë që të kundërshtojmë apo të bëjmë replikë ose të refuzojmë çdo çështje që do të pasojë më tutje, nese nuk perputhet me kete qe u cek më lartë. Kjo hyrje është shtyllë në këtë kapitull.

Për sa i përket qëndrimit të Shejh Hafiz Ibrahim Dalliut ndaj komentimit, ndonjëherë ai anon kah komentimi i devijimit dhe ndryshimit dhe ndonjëherë anon kah komentimi me kuptim të tefsirit dhe sqarimit. Ai i komenton disa ajete në të cilët vërehet diçka nga cilësitë e krijesave, por e pastron Zotin e Madhërishëm nga ngjashmëria me krijesa dhe kështu kërkon kuptim të përshtatshëm që përputhet me tekstin kur’anor dhe me Madhërinë e Zotit. Në vijim do të theksojmë disa shembuj konkret rreth komentimit të Shejh Hafiz Ibrahim Dalliut (Zoti e mëshiroftë!).

Komentimi i cilësive të turpit, dorës dhe fytyrës:

1). Komentimi i Cilësisë së “turpit” dhe këtu komentimi përdoret në kuptim të tefsirit dhe sqarimit.

Në tefsirin e ajetit kur’anor:

Allahu nuk ngurron që të marrë çfarëdo shembulli, qoftë mushkonjë a diçka edhe më e imtë se ajo”,[5] ai thotë se Zoti i Madhërishëm nuk ngurron, nuk ngushtohet dhe nuk heziton të marrë çfarëdo shembulli[6] dhe këtë domethënie duhet ta kuptojmë prej këtij ajeti, e jo diçka që ju ngjanë cilësive të njerëzve ashtu siç sqaruam në komentimin tonë të ajetit  ( الرحمن الرحيم )“Er-Rahman Er-Rahim”.

Këtu nuk duhet të kuptojmë turpin që e dimë, e që e njohim të gjithë dhe që manifestohet me skuqjen apo me zverdhjen e fytyrës e që është cilësi njerëzore.[7] Pra, nga fjalët e Shejh Hafiz Ibrahim Dalliut kuptohet qartë se qëllimi i tij i komentimit të këtij ajeti konkretisht ka të bëjë me pastrimin e Krijuesit të Madhërishëm, dhe ky komentim i ketij lloji lejohet dhe eshte i kekrkuar, ngase nuk ka privim e as antropomorfizëm, por pastrohet Krijuesi nga cilësitë e krijesave.

 2). Komentimi i cilësisë së “dorës” me fuqi:

Ai (Zoti e mëshiroftë!) e komenton cilësinë e “dorës” me Fuqinë e Zotit të Madhërishëm në dhënie e furnizim edhe atë duke u mbështetur në ajetin kur’anor:

Jehuditë thanë: ‘Dora e Allahut është e shtrënguar!”[8] Ai argumenton komentimin e tij me vazhdimin e po të njëjtit ajet, dhe në këtë kontekst Shejh Hafiz Ibrahim Dalliu thotë: “Vazhdimi i ajetit të njëjtë është:

“Jo, duart e Tij janë të shlira. Ai furnizon ashtu si të dojë”.[9]

Apo këto janë gënjeshtra e trillime të çifutëve dhe nuk janë të vërteta, ngase fuqia e Zotit të Madhërishëm për të dhënë është shumë e madhe, furnizon e ushqen ashtu si dëshiron Ai…”[10]

Edhe pse ky argumentim i Shejh Hafiz Ibrahim Dalliut mund të jetë i kapshëm dhe i mundshëm, nuk pranohet dhe nuk përputhet me ajetet e tjera të qarta që konfirmojnë dy duart e Zotit të Madhërishëm, si p.sh., ajetet kur’anore:

“(Zoti) tha: “O iblis, çka të pengoi ty t’i përulesh atij që unë vetë e krijova me dorën time? A bëre kryeneçësi apo ke qenë prej atyre që shesin fodullëk?”[11]

“Dora e Allahut është mbi duart e tyre”.[12]

“Jo, duart e Tij janë të shlira”.[13]

Si mund të përputhet kuptimi me ajetin e fundit, a mund të themi: “Dy fuqi të shlira?!” Çfarë pengese ka në gjuhën arabe që të përdoret në Kur’anin Fisnik fjala: “Fuqia e Zotit mbi fuqinë e tyre?” Nuk ka asnjë pengesë gjuhësore apo të Sheriatit të përdoret kjo fjalë. Atëherë pse të komentojmë fjalën: “dorë” me “fuqi”?!

3). Komentimi i cilësisë “fytyrë” me “anë”, me “qenie e Zotit” me “pëlqim të Zotit”:

Shejhu (Zoti e mëshiroftë!), po ashtu, e komenton cilësinë e “fytyrës” që theksohet në shumë ajete kur’anore, si p.sh., ajeti kur’anor:

“Të Allahut janë edhe (anët nga) lindja dhe perëndimi dhe ngado që të kthehemi aty është fytyra e Allahut”.[14]

      Këtë ajet dhe ajetet e tjera ai i komenton kështu: “Ngado që të kthehen aty është fytyra e Zotit, apo ana e adhurimit dhe pëlqimi i Zotit. Zoti i Madhërishëm është gjithëpërfshirës i gjithëdijshëm, mëshirues dhe falës. Animi i atij që falet kah qenia e Zotit është e pamundshme dhe absurde, ngase Zoti i Madhërishëm nuk mund të ketë anë. Këtu fytyra e Zotit nënkupton Qenien e Zotit. Ai që falet përqendrohet në aspektin fizik dhe psikik para Qenies së Zotit. Ndoshta këtu nënkupton edhe pëlqimin e Zotit të Madhërishëm dhe të pastër nga të metat…”[15]

4). Komentimi i cilësisë “afër – i afërt” me “dituri”:

Në tefsirin e tij të ajetit kur’anor:

Unë jam afër i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet…”[16], ai e komenton fjalën “afër” me dituri dhe nënkupton se dituria e Zotit të Madhërishëm është afër robërve të Tij. Ai argumenton me fjalët e Bejdaviut, i cili mendon njësoj si ai, dhe mohon se ky ajet tregon se Qenia e Zotit është afër tyre, pasi që Zoti s’ka vend dhe nuk ka nevojë për vend, atëherë afërsia e Zotit është e pamundshme dhe absurde.[17]

 

Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA

TEFSIRI DHE MUFESSIRËT SHQIPTARË NË KOHËN BASHKËKOHORE
(SHEK 19-20)

[1] En-Nisaë, 164.

[2] El-A’rafë, 143.

[3] Muhamed ibn Ebu Bekër Ejjub Ezzer’ij Ebu Abdullah Ibn Kajjim, “Es-savaik el-murseletu ala el-xhehmijjeti vel-muattileti”; recensoi dr. Ali ibn Muhamed Dehilull-llah, Rijad, Darul-Alemijje, bot. 3, 1998, vëll. 1, fq. 217-219.

[4] Po aty, vëll. 2, fq. 632-633.

[5] El-Bekare, 26.

[6] Këtë që e thotë Hafiz Ibrahim Dalliu për cilësinë e “turpit” e ka thënë edhe dijetari dhe mufessiri i njohur Imam Ibn Kethijr në tefsirin e tij: “Zoti i Madhërishëm nuk ngurron dhe thuhet nuk frikësohet që të sjellë ndonjë shembull, qoftë i vogël apo (i madh)…; vëll. 1, f. 64. Ky citat transmetohet nga Muhamed ibn Abdurahman El-Migravi, “El-mufessirun bejne te’vili vel ithbati fi ajatis-sifati”; vëll. 1, f. 190.

[7] Po aty, vëll. 1, fq. 77.

[8] El-Maide, 64.

[9] El-Maide, 64.

[10] “Ajka e kuptimeve….”; vëll. 2, fq. 1075-1076; Tefsiri i Bejdaviut: “Envarut tenzijli ve esrarut-te’vili (për krahasime). Nëse e krahason tefsirin e Shejh Ibrahim Dalliut me tefsirin e Bejdaviut do të shohësh se janë identikë. Sipas disa hulumtuesve ky tefsir i Imam bejdaviut është rezyme e tefsirit të Fahrudin Raziut dhe Zemahsheriut. Shih më gjerësisht në: Muhamed ibn Abdurahman El-Migravi, “El-Mufessirun bejne te’vili vel ithbati fi ajatis-sifati”; vëll.2, fq. 95-105.

[11] Sad, 75.

[12] El-Fet’h, 10.

[13] El-Maide, 64.

[14] El-Bekare, 115.

[15] Po aty, vëll. 1, fq. 183-184.

[16] El-Bekare, 186.

[17] “Ajka e kuptimeve te Kur’ani Qerimit”; vëll. 1, f. 272. Rreth historikut të komentimit, komentimit të pavlefshëm dhe çështjeve tjera që kanë të bëjnë me komentimin shih: Salim Ibrahim ibn Hasan, “Kadijjetut te’vjil fil Kur’anil-kerim bejnel-gulati vel-mu’tedilijn”; Bejrut, Daru Kutejbe, bot. 1, 1993.

Burimi

0
Shopping Cart (0 items)