Furqan LeadershipFurqan LeadershipFurqan Leadership

 

Disa fjalë kur’anore kanë më shumë se një formë leximi, dhe kjo varësisht nga transmetimet autentike të përcjella nga Pejgamberi Muhammed [alejhis salatu ves selam]. Dallimi në lexim ndonjëherë shkakton edhe domethënie të ndryshme, edhe pse sipërfaqësisht teksti nuk ndryshon. Kështu, nëse përkthyesi e përkthen vetëm sipas një leximi, atëherë domethënia tjetër do të anashkalohet.

Në vijim do të sjellim disa shembuj:

Ajeti 43 nga kaptina en-Nisa:

 “O ju që besuat, mos iu afroni namazit duke qenë të dehur, derisa të dini se ç’flitni, e as duke qenë xhuhubë (të papastër) derisa të laheni, përpos kur jeni udhëtarë. Nëse jeni të sëmurë, jeni në ndonjë udhëtim, ose ndonjëri prej jush vjen nga ultësira (nevojtorja), ose keni takuar gratë, e nuk gjeni ujë, atëherë mësyjeni dheun dhe fërkoni me të fytyrat dhe duart (tejemmum). All-llahu shlyen e fal mëkatet.

Hamza dhe Kesaiu, për dallim nga të gjithë lexuesit, fjalën’ e kanë lexuar pa zgjatim[1]. Imam Shafiu, me leximin e parë, dëshmoi se prekja e prish abdesin, derisa Imam Ebu Hanife dëshmoi me leximin e dytë se nuk është për qëllim prekja e zakonshmja por kontakti intim, ndryshe prekja e rëndomtë nuk e prish abdesin[2].

Ajeti 105 nga kaptina el-En’amë:

 “E kështu Ne i sqarojmë dëshmitë, ashtu që ata thonë: “Ke mësuar ti” (nga librat, po fjalës së tyre nuk i vihet veshi) dhe që për t’ia bërë edhe më të qarta një populli që di të dallojë (të vërtetën nga e kota).

Fjala ‘Ke mësuar ti’ është lexuar në shtatë forma:

  1. Abu Amri dhe Ibni Kethiri e kanë lexuar: ‘Dareste’ (ar. دارَسْتَ), e që ka kuptimin: I ke lexuar – studiuar Ithtarët e Librit dhe të kanë studiuar, i ke përkujtuar dhe të kanë përkujtuar.
  2. Ibni Amiri dhe Ja’kubi e kanë lexuar: ‘Dereset’ (ar. دَرَسَتْ ), e që ka kuptimin: ajo që ke sjellë ti është diç e skaduar, që njerëzit nuk e duan atë.
  3. Nafiu, Asimi dhe Kesaiu[3] e kanë lexuar: ‘Dereste’ (siç figuron në tekst), e që ka kuptimin: ti ke mësuar dhe ke marrë mësim nga të tjerët.

Ajeti 6 nga kaptina el-Maide:

 “O ju që besuat! Kur doni të ngriheni për të falur namazin, lani fytyrat tuaja dhe duart tuaja deri në bërryla; fërkoni kokat tuaja, e këmbët lani deri në dy zogjtë…

Fjalën ‘këmbët lani deri në dy zogjtë…’, disa e kanë lexuar në rasën emërore e të tjerë në gjinore[4]. Dallimi në kuptim është shumë i madh. Ata që e lexojnë në emërore kanë për qëllim se larja e këmbëve është obligim derisa ata që e lexojnë në gjinore, mendojnë se kërkohet vetëm mes’hi i këmbëve (larja e pjesshme). Ajo që mendon shumica e dijetarëve është larja e këmbëve, pasi që është vërtetuar me praktikën e të Dërguarit të Allahut, Muhammedit [alejhis salatu ves selam][5].

Ajeti 24 nga kaptina es-Sexhde:

 “Dhe prej tyre Ne bëmë prijës që me urdhrin Tonë udhëzojnë, pasi që ata (që i bëmë prijës) ishin të durueshëm dhe ndaj argumenteve Tona ishin të bindur.

Hamza dhe Kesaiu fjalën ‘pasi që’ e kanë lexuar në gjinore (lima – ِلما), ndërsa të gjithë lexuesit e tjerë e kanë lexuar kështu siç figuron në tekst. Sipas leximit të parë, i bie se ata janë nderuar me këtë gradë për shkak të durimit të tyre, derisa sipas leximit të dytë, i bie që kur ata duruan, atëherë u shpërblyen me këtë gradë[6].

 

  1. EKZISTIMI I NJË SËRË METODASH TË VEÇANTA VETËM PËR GJUHËN ARABE

1) Metoda e të kushtuarit vëmendje (ar. Uslubu-l-iltifat)

Është një metodë që bën ndërrimin e metodës së të folurit nga njëra metodë në tjetër, butësisht dhe me joshje për dëgjuesin, madje duke ia ripërtërirë potencialet, si dhe duke e kursyer nga monotonia dhe mërzitja vetëm me një metodë të foluri. Është metodë që përdoret shpesh në Kur’an por jo edhe në shumë gjuhë të botës. Për këtë shkak, ndodh që përkthyesi, duke qenë se nuk ka metodë të tillë në gjuhën e tij, ta anashkalojë këtë aspekt shumë të rëndësishëm gjatë përkthimit të tij.

Kjo metodë ka lloje të ndryshme, si:

  1. a) Kthimi nga fjalimi në vetë të tretë (ar. el-iltifatu minel hitabi ilet gajbeti)

I kësaj natyre është ajeti 22 nga kaptina Junus:

 “…deri kur jeni në anije që lundrojnë me ta (me udhëtarët) me anë të një ere të lehtë…

Siç mund të shohim në ajet, derisa biseda zhvillohej në mes palëve të pranishme, bëhet zhvendosja në dikë që nuk është fare i pranishëm. Urtësia e kësaj zhvendosjeje të bisedës, duke ua treguar gjendjen e tyre të tjerëve, është bërë për shkak të çuditjes me veprimin dhe femohimin (kufrin) e tyre. Ndryshe, sikur biseda të vazhdonte të zhvillohej vetëm në relacionin e sipërpërmendur, atëherë kjo urtësi do të ikte.

Është thënë edhe ndryshe. Biseda në fillim përfshinte njerëzit në përgjithësi, besimtarët e jobesimtarët, për të ndryshuar më pas rrjedhën e bisedës ku përfshihen vetëm ata që qortohen për veprimet e tyre. Pra, është ndërruar kahja e bisedës nga e përgjithshmja tek qortimi vetëm i një pjese, të përshkruar me detajet e dhëna në ajet…[7]

  1. b) Kthimi nga biseda si vetë e tretë në vetë të parë (ar. el-iltifatu minel gajbeti ie-t-tekel-lumi)

I kësaj natyre është ajeti 9 nga kaptina Fatir:

 “All-llahu është Ai që i lëshon erërat, e ato i lëkundin retë dhe Ne i derdhim ato në një vend të thatë…

Urtësia në këtë ajet qëndron në atë se përderisa askush nuk ka mundësi të sjellë retë për ta lëshuar shiun me të cilin ngjallet jeta në tokë, pra është një argument i fuqisë dhe madhështisë së Allahut, atëherë për ta demonstruar atë më mirë dhe për të treguar se me të shquhet vetëm Ai, kalon në këtë formë nga veta e tretë në vetën e parë[8].

I këtillë është edhe ajeti i parë nga kaptina el-Isra:

 “Pa të meta është Lartmadhëria e Atij që robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës prej Mesxhidi Haramit (prej Qabes) gjer në Mesxhidi Aksa (Bejti Mukaddes), rrethinën e të cilës Ne e kemi bekuar, (ia bëmë këtë udhëtim) për t’ia treguar atij disa nga argumentet Tona. Vërtet, Ai është dëgjuesi (i fjalëve të Muhammedit), pamësi (i punëve të Muhammedit).

Zemahsheriu ka thënë: Urtësia në këtë ajet dhe ajete të ngjashme është tërheqja e vëmendjes se me këtë fuqi shquhet vetëm Allahu dhe askush tjetër…[9]

  1. c) Kthimi nga bisedimi në fjalim (ar. el-iltifatu mine-t-tekel-lumi ile-l-hitab)

Kjo bëhet kur folësi synon ta nxisë dëgjuesin (audiencën) për të qenë i vëmendshëm për atë që flet. I këtillë është ajeti 22 nga kaptina Jasin:

 “E, ç’kam unë që të mos e adhuroj atë që më krijoi dhe tek Ai ktheheni.

Siç mund të vërejmë, fjalimi është nxjerrë nga konteksti individual, ngase me të është synuar këshillimi i popullit. Kjo, në fakt, është një metodë e shkëlqyer edukimi, ngase folësi sikur dëshiron t’iu thotë se për ju dua atë që dua për vete. Po kështu, këtë e bën për shkak të pozitës si thirrës, për çka i frikëson (sikur që i nxit herëve të tjera). E gjithsesi se në këtë fshihet dhe gjendja e audiencës, të cilët duke qenë se e mohonin adhurimin, frikësoheshin me këtë se do t’i kthehen Allahut, i Cili ka për t’i gjykuar[10].

  1. d) Shprehja e së ardhmes me fjalët e së kaluarës dhe anasjelltas

Kjo ndodh në ato raste kur kuptimi i veprës ka të bëjë me gjërat e rrezikshme, me ato për të cilat parashihet dënim, për çka shprehet me shprehje të së kaluarës për shkak të ndodhjes në praktikë të një gjëje të tillë. I këtillë është ajeti 87 nga kaptina en-Neml:

“(përkujto) Ditën kur i fryhet surit, e të frikësohet kush është në tokë, përpos kë do All-llahu (të mos frikësohet) dhe t’i vinë Atij të gjithë të përulur.[11]

Shumë përkthyes, nga frika e keqkuptimeve në gjuhën e tyre, këtë fjalë e përkthejnë jo siç ka ardhur në kohën e kaluar por në të tashmen.

2) Metoda e përparësimit dhe zvarritjes së gjymtyrëve të fjalisë (ar. uslubu-t-takdimi ve-t-te’hir)

Është një metodë e retorikës që flet edhe për madhështinë e gjuhës arabe. Ndonjëherë përparësimi i gjymtyrëve të fjalisë bëhet për shkak të çudisë me gjendjen e të përmendurit. I këtillë është rasti kur përparësohet kundrinori i dytë ndaj të parit, siç është p.sh. në ajetin 100 të kaptinës el-En’amë:

“E xhinët ia bëjnë shokë All-llahut…

Sipas rregullave, do të duhej përmendur ‘el-xhinne shurekae’, por është përparësuar fjala ‘shurekae’ ngase për qëllim është qortimi dhe përparësimi është shumë më domethënës në këtë kontekst qortimi.[12]

3) Metoda e krahasimit dhe ngjashmërisë (ar. uslubu-l-mukabeleti ve-l-mushakeleti)

Kjo ndodh kur përmend diç me shprehje të huaja për shkak se kjo e fundit ndodh (është e pranishme) tek i pari, qoftë si realitet qoftë si paramendim[13]. P.sh. i këtillë është ajeti 116 nga kaptina el-Maide:

 “… Ti e di ç’ka ka në mua, e unë nuk di çka ka në Ty. Ti je më i dijshmi i të fshehtave!

Fjala ‘nefs’ (mua…Ty), e përmendur nga Isai [alejhis selam] ka të bëjë vetëm për shkak të ngjashmërisë në emërtim (ar. nefsi, nefsike – mua, Ty).

Me këtë kuptim është edhe ajeti 14 nga kaptina el-Bekare:

 “E kur i takojnë ata që besuan thonë: “Ne kemi besuar!” Por kur veçohen me djajtë (parinë) e vet u thonë: “Ne jemi me ju, ne vetëm jemi tallur (me besimtarët).

Nesefiu ka thënë: Allahu tallet me ta, d.m.th. i shpërblen me të keq për talljen e tyre. Pra, shpërblimi i talljes është quajtur me emrin e veprës – talljes. Me këtë kuptim kanë ardhur edhe ajete të tjera (shih: esh-Shura, 40; el-Bekare, 194.), ku për veprën e keqe përmendet ndëshkimi me emër të vetë veprës[14].

4) Metoda e krijimit të iluzionit (ar. el-iham apo et-teurijjeh)

Kjo bëhet kur përmendet një fjalë që ka dy kuptime, por që dëgjuesi krijon përshtypjen se bëhet fjalë për atë që ai e kupton në shikim të parë. P.sh. ajeti 95 nga kaptina Jusuf:

Ata (që ishin prezent) thanë: “Për All-llahun, ti vërtet qëmoti je në humbje.

‘Humbja’ nënkupton dashurinë dhe të kundërtën e udhëzimit, dhe bijtë e Ja’kubit [alejhis selam] e përdorën me kuptimin e dashurisë e jo humbjes[15], siç mund ta keqkuptojë nga teksti sipërfaqësor lexuesi.

Kështu është komentuar edhe ajeti 54 nga kaptina Ali Imran:

E, ata (jehuditë) i kurdisën një dredhi (mbytjen e Isait), All-llahu iu kundërvu dredhisë së tyre, All-llahu është asgjësuesi më i fuqishëm kundër atyre që bëjnë dredhi.

Allahu nuk mashtron, larg asaj, i pastër nga të metat është Ai, por i shpërblen (lexo: ndëshkon), siç sqaruam edhe në pikën paraprake, me llojin e veprës së tyre. Ata mashtrojnë ndërsa Allahu ua shkatërron mashtrimet dhe kurthet e tyre[16].

 

 

Prof.Dr.Suat Yëlldërëm

SHKAQET E KONFUZIONIT RRETH PËRKTHIMIT TË DOMETHËNIEVE TË AJETEVE TË KUR’ANIT FISNIK

Doc.prof.Dr.Hfz.Hajredin Hoxha(ish studenti i Autorit)

 


[1] Dani, Ebu Amr, et-Tejsiru fi-l-kiraati-s-seb’i, f. 30.

[2] Shih tefsiret e Raziut, Bejdaviut dhe Ibni Kethirit.

[3] Shih tefsiret e Kurtubiut, Ebu Amr Daniut dhe Kitabu-s-seb’ati të Ibni Muxhahidit.

[4] Dani, Ebu Amr, et-Tejsiru fi-l-kiraati-s-seb’i, f. 98.

[5] Shih: Ahkamu-l-Kur’an të Xhessasit, tefsiret e Kurtubiut dhe Ebu-s-Suudit.

[6] Shih: Kitabu-s-seb’ati të Ibni Muxhahidit, tefsirin e Kurtubiut, librin Kiraetlerin Tefsire Etkisi të Abdurrahman Cetinit.

[7] Zerkeshiu, el-Burhan, 3/318.

[8] Zerkeshiu, el-Burhan, 3/319-320.

[9] Sujuti, el-Itkan, 2/110.

[10] Zerkeshiu, el-Burhan, 3/315.

[11] Sujuti, el-Itkan, 3/373.

[12] Zerkeshiu, el-Burhan, 3/236.

[13] Shih tefsirin e Kurtubiut.

[14] Sujuti, el-Itkan, 2/120.

[15] Sujuti, el-Itkan, 2/107-108.

[16] Bejdavi, Envaru-t-Tenzil, ajeti përkatës.

Burimi

0
Shopping Cart (0 items)