Furqan LeadershipFurqan LeadershipFurqan Leadership

Në kaptinën Kehf, Kurani na ka rrëfyer në detaje për rastin e mbretit dhe liderit të drejt, Dhulkarnejnit. Para se të shpalosim detaje, do t’i prezantojmë ajetet që flasin për Dhulkarnejnin, pushtetin, drejtësinë, udhëtimet dhe strategjitë e tij udhëheqëse në dhënien e ndihmës për nevojtarët, të dëmtuarit dhe të dobëtit. Allahu xh.sh. thotë:

Ata (hebrenjtë) të pyesin ty (Muhamed) për Dhulkarnejnin, thuaj: “Unë do t’ju tregoj disa lajme për të.” 84.

Ne i dhamë atij mundësi në Tokë dhe i dhamë mjete e rrugë për të arritur çdo gjë, 85. kështu që ai u nis në një rrugë. 86. Kur arriti në vendin e perëndimit të Diellit, pa se ai po ulej në një burim të zi balte dhe në afërsi të tij gjeti një popull. Ne thamë:

“O Dhulkarnejn, mund t’i ndëshkosh ata ose mund t’u bësh mirë atyre.” 87. Ai tha: “Sa i përket atij që bën të këqija, Ne do ta ndëshkojmë e pastaj do të kthehet te Zoti i vet, i Cili do ta ndëshkojë me një dënim të rëndë. 88. Sa për atë që beson dhe bën vepra të mira, atij i takon shpërblimi më i mirë dhe atij do t’i premtojmë lehtësira.”

89. Pastaj ndoqi një rrugë tjetër. 90. Kur arriti në vendin e lindjes së Diellit, Ai e pa të lindte mbi një popull, të cilit Ne nuk i kishim dhënë gjë, për t’u mbrojtur nga dielli. 91. Kështu ndodhi dhe Ne dinim gjithçka për të. 92. Pastaj mori një rrugë tjetër. 93. Derisa, kur arriti në mes dy malesh, gjeti rrëzë tyre një popull, i cili pothuajse nuk kuptonte asnjë të folme. 94.

Ata thanë: “O Dhulkarnejn, vërtet, Jexhuxhët dhe Mexhuxhët janë ngatërrestarë në Tokë. A të të japim një pagesë që të ngresh një pendë midis nesh dhe atyre?” 95. Ai tha: “Ajo që më ka mundësuar Zoti im është më e mirë (se pagesa juaj), por më ndihmoni mua me krahë! fuqi punëtore  Do të ndërtoj një pendë midis jush e atyre. 96.

Më sillni blloqe hekuri!” Dhe, kur ai i rrafshoi dy anët e thepisura të maleve, tha: “Fryjini zjarrit, derisa hekuri të skuqet si zjarri.” Pastaj tha: “Më sillni bakër të shkrirë që ta hedh sipër.” 97. Kështu, ata (Je’xhuxhët dhe Me’xhuxhët) nuk mundën më të kapërcejnë pendën as të hapnin vrimë në të. 98. Ai tha: “Kjo është mëshirë nga Zoti im! Kur të vijë premtimi i Zotit tim, Ai do ta rrafshojë atë (pendën).

Premtimi i Zotit tim është (gjithnjë) i vërtetë. 99. Atë Ditë, Ne do të bëjmë, që të vërshojnë njëri mbi tjetrin si valët (e detit) dhe do t’i fryhet Surit e do t’i tubojmë, që të gjithë së bashku.” [Kur’ani: Kehf: 83-99]

 

Rrëfimi për Dhulkarnejnin nëpërmjet shpjegimeve të mufessirëve

Ithtarët e Librit ose idhujtarët e kishin pyetur Muhamemdin a.s. për rrëfimin e Dhulkarnejnit ndaj Allahu xh.sh. e urdhëroi t’iu thoshte:

“…Unë do t’ju tregoj disa lajme për të…” – pra do t’iu rrëfej për ngjarjen e tij dhe atë që mund të shërbejë si mësim e këshillë prej jetës së tij. “…Ne i dhamë atij mundësi në Tokë…” –Allahu e bëri mbret dhe i dha pushtet mbi shumë vende duke i bërë ato nën sundimin e tij. “…i dhamë mjete e rrugë për të arritur çdo gjë…”

– Allahu xh.sh. i dha mjete për të arritur atë që kishte arritur, mjete për të pushtuar vendet dhe për të arritur me lehtësi deri në pjesët më të largëta të tokës. Këto mjete janë të përshkuar kështu, ndryshe detaje se si kanë qenë nuk i dimë meqë as Allahu xh.sh. dhe as i Dërguari i Tij, Muhammedi a.s. nuk na kanë rrëfyer për to. Kështu, nuk kemi pse të gjurmojmë se si kanë qenë dhe aq më pak t’i referohemi israilijateve[1] për të mësuar se si kanë qenë ato.

“…Kur arriti në vendin e perëndimit të Diellit, pa se ai po ulej në një burim të zi balte dhe në afërsi të tij gjeti një popull.…”

– Nga forma se si përshkruhen mundësitë dhe të arriturat e Dhulkarnejnit, mund të themi se mjetet e tij kanë qenë të jashtëzakonshme dhe se në bazë të tyre ai kishte një ushtri të sofistikuar me të cilën mposhte armiqtë dhe arrinte në lindje e perëndim dhe në pjesë tjera të tokës me lehtësi[2].

Ajeti: “…Kur arriti në vendin e perëndimit të Diellit, pa se ai po ulej në një burim të zi balte dhe në afërsi të tij gjeti një popull.…” ka kuptimin: ai ndoqi një rrugë që e shpiu tek qëllimi që kishte dhe kur arriti në përfundim të tokës, kah ana perëndimore atje ku nuk ka më tokë por është vetëm oqeani Atlantik, pra duke kaluar nëpër vendet e perëndimit: Tunizi, Algjeri, Marok, gjeti diellin tek perëndonte tek një burim me baltë të zezë. Kjo është ajo që vërehej ndërsa pllaka e diellit perëndonte në bregdetin e oqeanit të përzier me rërë dhe baltë të zezë. Pikërisht atje, në pjesën më të largët të perëndimit tek ai burim me baltë të zezë gjeti një popull të madh mohues të Zotit.

…Ne thamë: “O Dhulkarnejn, mund t’i ndëshkosh ata ose mund t’u bësh mirë atyre.”…” – E frymëzuam duke i thënë: para vetes ke dy mundësi: o t’i ndëshkosh duke i mbytur për shkak të këmbëngulësisë së tyre në pabesim, ose t’iu bësh mirë dhe t’i durosh duke i thirrur në fe, duke ua dëftuar rrugën e drejtë dhe duke ua mësuar parimet fetare. “…Sa i përket atij që bën të këqija, Ne do ta ndëshkojmë e pastaj ai do të kthehet te Zoti i vet, i Cili do ta ndëshkojë me një dënim të rëndë…

– Dhulkarnejni u tha asistentëve të vet: Sa i përket atyre që i kanë bërë vetes padrejtësi duke mos hequr dorë nga pabesimi dhe nuk kanë pranuar fenë, do t’i ndëshkojmë në dynja duke i vrarë, ndërsa në ahiret do ta kenë dënimin tjetër në xhehenem.

…Sa për atë që beson dhe bën vepra të mira, atij i takon shpërblimi më i mirë dhe atij do t’i premtojmë lehtësira.”

– Ndërkaq sa u përket atyre që e kanë besuar Allahun, e kanë pranuar thirrjen dhe kanë bërë vepra të mira në përputhje me besimin, ata për shpërblim do ta kenë xhenetin. Me të tillët do të sillemi butë dhe lehtë, do t’i nxisim dhe motivojmë për fe me lehtësi, që ta duan fenë dhe që t’i përfillin detyrimet fetare, namaz, agjërim, zekat, etj. Të tillët nuk do t’i ngarkojmë me detyra të rënda por të lehta[3].

…Pastaj ndoqi një rrugë tjetër. Kur arriti në vendin e lindjes së Diellit, Ai e pa të lindte mbi një popull, të cilit Ne nuk i kishim dhënë gjë, për t’u mbrojtur nga dielli…” – pastaj ndoqi një rrugë tjetër duke u drejtua prej perëndimit të diellit kah lindja e tij. Kur arriti tek vendi ku lindte dielli, hasi në një popull të zhveshur, nuk kishin asnjë rrobë mbi trup shkak i nxehtësisë së madhe të diellit. Nuk kishin as shtëpi, ndërtesa, plantacione. Bënin jetë nën qiell të hapur pa asnjë vendstrehim ndërsa për ushqim kryesisht e kishin peshkun.

…Kështu ndodhi dhe Ne dinim gjithçka për të…” – Ne dinim paraprakisht çdo gjë për Dhulkarnejnin andaj edhe e bëmë mbret dhe Ne dimë gjithçka për të dhe jemi në vëzhgim të çdo gjëje që bën ai. Asgjë nuk na fshihet Neve…[4]…Pastaj mori një rrugë tjetër. Derisa, kur arriti në mes dy malesh, gjeti rrëzë tyre një popull, i cili pothuaj nuk kuptonte asnjë të folme…

– Pastaj ai ndoqi rrugën e tretë duke u drejtuar nga lindja në veri. Kur arriti në një vend ndërmjet dy kodrave ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit, gjeti një popull të cilët, për shkak të gjuhës së tyre të rrallë dhe nivelit të ultë të inteligjencës, nuk kuptonin të folmen e të tjerëve. Ata ishin sllavë që banonin në pjesën lindore të Detit të Zi, në një vend ndërmjet dy kodrave, në afërsi të qytetit Derbent (sot në Rusi). Ata thanë:

…O Dhulkarnejn, vërtet, Je’xhuxhët dhe Me’xhuxhët janë ngatërrestarë në Tokë. A të të japim një pagesë që të ndërtosh një pendë midis nesh dhe atyre?…” – Dhulkarnejni, me dhuntitë që i kishte dhënë Allahu xh.sh. arriti ta kuptonte të folmen e tyre. Ata i kërkuan që të ndërtonte një pende që të shkëpusnin kontaktin e tyre me dy fise shkatërrimtare, Je’xhuxhët dhe Me’xhuxhët.

Ata madje kërkuan që ta kompensonin materialisht që ta ndërtonte një mur apo pende që do t’i pengonte ato dy fise të arrinin tek ata[5]. “…Ai tha: “Ajo të cilën ma ka mundësuar Zoti im, është më e mirë (nga pagesa juaj), por më ndihmoni mua me krahë!(fuqi punëtore) Do të ndërtoj një pendë midis jush e atyre…” – Dhulkarnejni iu tha: pushtetin, mundësitë dhe pasurinë që mi ka dhënë Allahu xh.sh. janë më me vlerë se kjo që po më ofroni, mu ashtu siç Sulejmani a.s. pati thënë kur Belkisa i ofroi pagesë:

“…A mos doni të më ndihmoni me pasuri?! Ajo që më ka dhënë Allahu është më e mirë nga ajo që ju ka dhënë juve…” [Kur’ani: Neml: 36]

Ajo që kërkoj prej jush, u tha Dhulkarnejni, është të më ndihmoni me fuqi puntore dhe me mjete ndërtimi, në mënyrë që të ngre mes jush dhe atyre një pengesë, një pendë, që do t‘ua pamundësonte atyre qasjen me ju. Më saktë, iu kërkoi:

…Më sillni blloqe hekuri!” Dhe, kur ai i rrafshoi dy anët e thepisura të maleve, tha: “Fryjini zjarrit, derisa hekuri të skuqet si zjarri.” Pastaj tha: “Më sillni bakër të shkrirë që ta hedh sipër.”…” – kur ia sollën këto, ai filloi me ndërtimin e pendës ndërmjet dy kodrave. Kur ndërtimi arriti në nivel të kodrave, ai kërkoi bakrin e shkrirë të cilin ia hodhi hekurit të nxehtë për ta forcuar kështu dhe për të mbyllur zbrazëtitë e hekurit[6].

…Kështu, ata (Je’xhuxhët dhe Me’xhuxhët) nuk mundën që ta kapërcenin pendën dhe as nuk mundën që të hapnin vrimë në të…” – ata nuk patën mundësi të hipin mbi pendë, pasi ajo ishte e lartë dhe e rrëshqitshme, siç nuk patën mundësi as ta shpojnë poshtë e të bëjnë vrima, për shkak se ishte e padepërtueshme. Kështu, Allahu i shpëtoi ata dhe popujt përreth prej të këqijave të atyre dy fiseve.

Kur Dhulkarnejni e mbaroi këtë punë, tha:

…Kjo është mëshirë nga Zoti im! Kur të vijë premtimi i Zotit tim, Ai do ta rrafshojë atë (pendën). Premtimi i Zotit tim është (gjithnjë) i vërtetë…” – Kjo pendë është mëshirë dhe shenjë treguese e mëshirës së Allahut xh.sh. me atë popull. Por kur të vjen koha e caktuar për daljen e atij populli, Allahu xh.sh. do ta rrafshojë me tokë atë pendë, sepse premtimi i Zotit për daljen e atyre fiseve dhe rrafshimin e kësaj pende është i vërtetë dhe patjetër do të ndodhë!

Në gjysmën e shekullit të shtatë Hixhrij, tatarët dhe mongolët sulmuan botën islame, e shkatërruan atë duke shkaktuar edhe rënien e Bagdadit në vitin 565 h. Rrethi është zgjeruar dhe është rritur (penda ka filluar të çahet), ashtu siç qëndron në ajetin vijues (99): “…Atë Ditë, Ne do të bëjmë, që të vërshojnë njëri mbi tjetrin si valët (e detit) dhe do t’i fryhet Surit e do t’i tubojmë, të gjithë së bashku.” Atë ditë kur do të dalim Je’xhuxhët dhe Me’xhuxhët, ne do t’i lëmë disa njerëz të trazohen, çrregullohen dhe të përzihen me njëri-tjetrin që për pasojë vrasjet do të shtohen, të lashtat do të shkatërrohen, pasuritë do të shpërdorohen. Kështu thotë dhe ajeti 96 i kaptinës Enbija:

“Dhe, kur të dalin Jexhuxhët dhe Mexhuxhët e të shpejtojnë prej çdo lartësie.”

E tërë kjo do të ndodhë para kataklizmës dhe para fryrjes në sur. Mufessirë të tjerë konsiderojnë se ata do të trazohen e përzihen në Ditën e Kiametit siç ndodhë me valët e detit. Kurtubiu e përzgjedh për të saktë mendimin që thotë: Ne i kemi lënë Je’xhuxhët dhe Me’xhuxhët të përzihen me njëri-tjetrin në kohën e plotësimit të pendës[7].

Këtu mbaron komentimi i përgjithshëm i ajeteve që flasin për Dhulkarnejnin.

 

Shkaku i zbritjes së ajetit 83 nga kaptina Kehf:

Ata (hebrenjtë) të pyesin ty (Muhamed) për Dhulkarnejnin, thuaj: “Unë do t’ju tregoj disa lajme për.”

Metodologjia Kur’anore e ligjësimit të normave dhe përmendjes së rrëfimeve të popujve të mëparshëm dhe ngjarjeve e ndodhive që i kanë paraprirë dërgimit të Muhammedit a.s., dhe zbritja e ajeteve kur’anore përkitazi me ato raste; lidhet zakonisht me pyetje që i janë parashtruar Muhammedit a.s. nga idhujtarët, kurejshët, çifutët, të krishterët e ndonjëherë edhe nga disa besimtarë.

Prandaj njohja e shkakut të zbritjes së ajetit kur’anor na mundëson kuptimin më të drejtë të ajetit kur’anor.

Kur’ani na shpalosë pyetje të tilla që i janë bërë Muhammedit a.s. në plot katërmbëdhjetë vende dhe të cilat përfshijnë çështje të ndryshme: kiametin, bonjakët, prenë e luftës, shpirtin, verën, bixhozin dhe për Dhulkarnejnin (shqip: dybrirëshin).

Nga ajo që kam lexuar në librat që trajtojnë shkaqet e zbritjes së ajeteve dhe nga komentuesit e Kur’anit, klasikë e modernë, nuk kam gjetur ndonjë transmetim të saktë që flet për shkaqet e zbritjes së këtyre ajeteve – ky është mendimi që e mban xhumhuri i mufessirëve (pjesa dërrmuese e komentuesve të Kur’anit). Ekzistojnë disa transmetime të gjata por të cilat nuk kanë rrugë të pranueshme të transmetimit, pra janë të dobëta dhe kryesisht janë israilijate.

Ky është mendimi që ndajnë shumë mufessirë, në mesin e të cilëve dy imamët e tefsirit, Imam Taberiu dhe Imam Ibën Kethiri kur flasin për shkaqet e shpalljes së kaptinës Kehf në përgjithësi. Disa prej këtyre transmetimeve kanë përmendur rrëfimin e Dhulkarnejnit siç p.sh. gjejmë tek Imam Sujuti dhe Ibën Haxher Askalani. Ky i fundit, në librin Muvafekatu el-hubri el-habere fi tahrixhi ehadithi el-muhtesar (موافقة الخُبرِ الخَبرَ في تخريج أحاديث المختصر)[8] e ka përmendur transmetimin në vijim:

Ibën Abbasi r.a. përcjell se idhujtarët kurejshë i kishin dërguar Nadr bin Harithin dhe Ukbe bin Ebi Muajtin tek rabinët çifutë në Medinë dhe iu kishin thënë: Pyetni për të dhe ua rrëfeni atyre lajmin e tij dhe ua përshkruani fjalët e tij sepse ata janë ithtarët të librit të parë dhe kanë dije të Pejgamberëve që ne nuk kemi.

Nadri dhe Ukbe shkuan në Medinë dhe i pyetën rabinët për Muhammedin a.s. dhe iu rrëfyen atyre për fjalët që propagonte Muhammedi a.s. Rabinët u thanë: Pyeteni për tre gjëra, nëse iu tregon për to, dijeni që është pejgamber i dërguar nga Allahu xh.sh. Ndryshe (nëse nuk ju jep përgjigje), dijeni se është mashtrues.

Pyeteni për disa djelmosha nga e kaluara që u larguan, cila është puna e tyre, sepse rrëfimi i tyre është interesant. Pyeteni edhe për një njeri që ka shëtitur lindjen dhe perëndimin, cilat janë lajmet për të?

Pyeteni edhe për shpirtin çfarë është ai? Pas kësaj, ata u kthyen në Mekkë dhe iu drejtuan kurejshëve: O kurejshë, ne kemi gjërat që janë vijë ndarëse ndërmjet nesh dhe Muhammedit. Rabinët na urdhëruan ta pyesim Muhammedin për tre gjëra. Shkuan tek Pejgamberi a.s. dhe ia shtruan këto pyetje. Nesër do t’ua kthej përgjigjet – iu tha, por pa thënë insha Allah [9] (nëse do Allahu).

Por përgjigja u shty për pesëmbëdhjetë ditë sepse Allahu xh.sh. nuk i shpalli asgjë dhe Xhibrili a.s. nuk i vinte. Pejgamberi a.s. u mërzit shumë. Banorët e Mekkës i bënin presion, na premtoi një natë, ja u bënë pesëmbëdhjetë e nuk ka përgjigje. As sot nuk po na jep përgjigje. Atëherë zbriti Xhibrili me kaptinën Kehf, në fillim të së cilës Allahu xh.sh. e qortoi Muhammedin a.s. pse ishte pikëlluar për shkak të fjalëve të tyre, për t’ia shpalosur më pas rrëfimin për djelmoshat e shpellës, për Dhulkarnejnin dhe për çështjen e shpirtit[10]. Allahu e di më së miri!

Prof. Sejjid Kutubi përkitazi me këtë thotë: “Për shkak të transmetimeve të shumta, preferojmë të fokusohemi vetëm në tekstin Kur’anor në të cilin nuk ka dyshim. Prej ajetit kuptojmë se ishte bërë një pyetje për Dhulkarnejnin por se kush e kishte bërë këtë nuk e dimë. Madje edhe po ta dinim nuk është se rrëfimit do t’i jepte ndonjë dimension shtesë. Kështu, t’i qasemi tregimit pa asnjë shtesë. Teksti Kur’anor nuk na ofron asnjë detaj lidhur me personalitetin e Dhulkarnejnit dhe as për kohën apo vendin ku ka jetuar. Ky është elementi konsekuent i rrëfimeve Kur’anore. Ajo që synohet në këto tregime nuk është shënimi historik por mësimi dhe urtësia që përfitohen prej tyre[11].

 

Jam i bindur që mendimi i prof.Sejjid Kutubit është i qartë dhe i mjaftueshëm për rastin dhe temën në fjalë.

Prezantim shkencor dhe metodologjik përkitazi me mënyrën e trajtimit të historisë njerëzore dhe rrëfimeve historike në Kur’anin Fisnik

Ne këtë pikë duam t’ju ofrojmë një përmbledhje rregullash shkencore dhe metodologjike përkitazi me trajtimin e historisë dhe rrëfimet historike në Kur’anin Fisnik. Rregulla të një rëndësie të veçantë, veçmas për studjuesit por dhe për besimtarët që synojnë gjithmonë të vërtetën. Konsideroj se nga të gjithë, prof.Sejjid Kutubi ka bërë trajtimin më të bukur dhe më kuptimplotë, duke treguar epërsi në këtë pikë ndaj mufessirëve klasikë dhe bashkëkohorë.

Në tefsirin e tij Fi dhilal el-Kur’an, ai thotë: “Historia e kodifikuar njeh një mbret me emrin Aleksandër Dhulkarnejni që, pa asnjë dyshim, nuk ka të bëjë asgjë me Dhulkarnejnin të cilin e përmend Kur’ani.

Aleksandri grek ka qenë idhujtar ndërsa ky për të cilin na flet Kur’ani ka qenë besimtar që ka besuar në Allahun, në ringjalljen dhe në botën tjetër. Astrologu, Ebu Rejhan Bejruni, në librin El-athar el-bakije an el-kurun el-halije (الآثار الباقية عن القرون الخالية) thekson: Dhulkarnejni që përmendet në Kur’an, vështruar sipas emrit, ka qenë nga Himjeri.

Kjo për arsye se mbretërit e Himjerit thirreshin kështu: Dhu, si: Dhu Nuvas, Dhu Jezen. Emrin e plotë e kishte Ebu Bekir bin Afrîksh. Me ushtrinë kishte kaluar përgjatë brigjeve të Detit të Bardhë. Kishte kaluar kah Tunizia, Maroku dhe vende tjera. Ai kishte ndërtuar një qytet afrikan ndërsa i tërë kontinenti ishte quajtur sipas tij.

Kjo edhe mund të jetë e vërtetë por nuk kemi se si ta testojmë. Kjo për arsye se ne nuk mund të hulumtojmë në historinë e atij që Kur’ani na ka rrëfyer shumë pak për të ashtu siç na ka rrëfyer pak edhe për popujt e Nuhut a.s., Hudit a.s., Salihut a.s. etj.

Historia e shënuar, krahasuar me historinë e njerëzimit, është relativisht e re. Kanë ndodhur shumë gjëra para se historia të ketë filluar të shënohet. Kështu që ai nuk është që pyet për këto gjëra. Sikur Teurati (Dhiata e Vjetër) të mos shtrembërohej e të mos devijohej, do të mund të ishte referencë për disa nga këto ngjarje por ai është ngulfatur nga legjendat që dihet mirëfilli se janë të pavërteta, sikur që është ngarkuar me transmetime që pa fije dyshimi i janë shtuar versionit origjinal të shpallur nga Allahu xh.sh. Përfundimisht, Teurati nuk mund të merret për burim të besueshëm për ngjarjet historike që përmenden në të[12].

Së këndejmi, përveç Kur’anit Fisnik i cili i ka shpëtuar ndryshimit dhe shtrembërimit, nuk kemi ndonjë burim tjetër të cilit mund t’i referohemi për rrëfimet historike. Ekzistojnë dy arsye pse Kur’ani nuk mund të gjykohet nga historia:

  • Historia (e shënuar) është relativisht e re që nënkupton se shumë ngjarje që kanë ndodhur nuk janë shënuar. Kur’ani i përmban disa nga këto ngjarje për të cilat historia nuk ka asnjë të dhënë.
  • Edhe nëse historia ka arritur t’i shënojë disa ngjarje, atëherë, marrë parasysh njeriun dhe mangësitë e tij, të cilat doemos reflektojnë dhe në punën dhe veprimtarinë e tij. Ne sot në kohën e zhvillimit të paparë të mjeteve të komunikimit jemi dëshmitarë se si një ngjarje trajtohet nga aspekte të ndryshme, jo rrallë kundërthënëse. Fatkeqësisht, nga ky pirg bëhet historia, pavarësisht se çfarë thuhet më pas për vlerësim apo verifikim…[13]

Kështu, të thuhet se historia duhet të pyetet për rrëfimet e Kur’anit është diçka që para kredos islame e mohon edhe vet logjika, sepse rregullat metodologjike të vëna nga shkencëtarët e mohojnë një gjë të tillë. Pyetësit pyetën për Dhulkarnejnin, e pyetën Muhammedin a.s. ndërsa Allahu xh.sh. i shpalli këtë që përmendet këtu (në kaptinën Kehf). Për këtë biografi ne nuk kemi burim tjetër kështu që nuk kemi si t’i qasemi asgjëje për më shumë informacione. Në tefsire janë përmendur mendime të ndryshme por jo të mbështetura, të cilat duhen marrë me rezervë për shkak të israilijateve dhe miteve që përmbajnë!

Në kontekstin Kur’anor janë përshkruar tre udhëtime të Dhulkarnejnit: i pari në perëndim, i dyti në lindje dhe i treti ndërmjet dy pendave… Kështu, le t’i mbesim besnik këtij konteksti në përshkrimin e këtyre tre udhëtimeve[14].

 

Mendimi i përzgjedhur përkitazi me emrin e mbretit ose profetit të quajtur Dhulkarnejn? Kush është ai dhe gjeografikisht ku ndodhet penda e përmendur në Kur’an?

Mufessirët kanë dhënë mendime të ndryshme dhe kontradikte sa i përket personalitetit, përkatësisë, vendit dhe kohës kur ka jetuar Dhulkarnejni. Gjatë shfletimit të tefsireve klasike dhe bashkëkohore[15] kemi gjetur mendime dhe qasje nga më të ndryshmet.

Prej mufessirëve që kanë ofruar shpjegime për mua logjikisht të pranueshme dhe të cilat nuk ndeshen me tekstet Kur’anore, e që edhe personalisht i kam përvetësuar shpjegimet e tij si qëndrim, është Tahir bin Ashur, i cili në tefsirin e tij Et-tahrir ve et-tenvir ka thënë:

“..Mufessirët nuk janë të një mendimi sa i përket faktit se kush është Dhulkarnejni. Ky dallim në mendime është mbase shkak i informacioneve të marra nga rrëfimet dhe historia apo dhe për shkak të dallimeve të rrëfimtarëve[16] të cilët kanë shfaqur interesim të shkujdesur e jo verifikues karshi kodifikimit të ngjarjeve dhe ndodhive të çlirimtarëve. Kështu ata deshën ta trajtojnë këtë tregim nga ky prizëm[17].

Këtu kanë pikënisjen mendimet që provojnë të përcaktojnë se kush ishte Dhulkarnejni:

  • Sipas mendimit të parë, ai ishte Aleksandri nga Maqedonia, i biri i Filipit. Në arsyetimin se pse ka marrë nofkën Dhulkarnejn (dybrirësh) kanë thënë se ai kishte ndarë gërshetuar flokët në formë të bririt. Apo se gjatë luftës mbante në kokë një helmetë me dy brirë. Disa kanë thënë se në kohën kur e sundonte Egjiptin në monedhat e tyre kishte vizatuar veten me dy brirë duke tentuar t’i përngjajë idhullit të egjiptianëve, amonit.
  • Mendimi i dytë thotë se Dhulkarnejni ishte mbret nga Himjeri që quhej Tubbeë Ebu Kerb.
  • Sipas mendimit të tretë, Dhulkarnejni ishte persian, pra mbret persian, që quhej Afridon bin Athfijan bin Xhemshid.

Këto janë mendimet më të qarta ndërsa mendimeve tjera nuk duhet referuar dhe aq më pak saktësuar transmetimet e tyre[18].

Mendimi më i saktë sipas Ibën Ashurit

Nëse shqyrton rrëfimin detajisht, lehtë e ke për të përfunduar se Dhulkarnejni nuk ka qenë Aleksandri maqedonas për shkak se ky i fundit nuk ishte mbret i devotshëm por mbret idhujtar dhe si i tillë nuk ishte i denjë për t’iu shpallur nga Allahu xh.sh. Kjo nuk do të thotë se ai nuk kishte vlera tjera! Po kështu, në historinë e tij nuk përmendet se ai ka ndërtuar ndonjë pendë ndërmjet dy vendeve…[19]

Unë mendoj, vazhdon Tahir bin Ashuri,  se ai ishte mbret kinez dhe këtë për arsyet në vijim:

  • Që nga lashtësia kinezët njihen për menaxhim dhe zanate (industri).
  • Shumica e mbretërve kinezë ishin të drejtë dhe dinin të menaxhonin me mbretëri.
  • Ishte karakteristikë e tyre të rrisnin flokët dhe t’i ndanin në dy gërsheta. Nga ky aspekt shfaqet përshkrimi i tij si Dhulkarnejn ose dybrirësh.
  • Kina bashkë me viset e mongolëve disponojnë me rezervat më të mëdha në botë të bakrit dhe plumbit. Ky është një fakt i pranuar gjithandej bazuar në hadithin e Ummu Habibes r.a. nga Zejneb bint Xhahsh r.a. se Pejgamberi a.s. kishte dalë një natë dhe kishte thënë: Mjerë për arabët për sherrin që po iu afrohet! Sot është hapur një e çarë në digën e Je’xhuxhëve dhe Me’xhuxhëve! – duke bërë më pas një rreth me gishtin e mesëm dhe gishtin tregues[20].
  • Krenaria e pushtetit të arabëve mori fund në duart e mongolëve kur pushtuan Bagdadin. Kështu mongolët u identifikuan si Je’xhuxhët dhe Me’xhuxhët ndërsa diga e përmendur në Kur’an si diga që ndan viset mongole nga Kina. Ai që ndërtoi digën ishte një mbret. Ajo që duhet të kemi parasysh është se emërtimi që Kur’ani i ka bërë këtij mbreti, Dhulkarnejn, në fakt është përshkrim, jo vënie e nofkës a titullit, ashtu siç mbreti izraelit Shaveli u quajt Talut[21].
  • Ky mbret është ai që ka ndërtuar digën ndërmjet Mongolisë dhe Kinës. Emri i tij ishte Qin Shihuang dhe ka jetuar 247 vjetë para lindjes së Isait a.s. Pra një shekull pas Aleksandrit të Maqedonisë. Atëbotë Kina për fe kishte konfucionizmin. Sigurisht ithtarët e tij kanë qenë të drejtë dhe të ndershëm. Siç e përshkruajnë librat e historisë, ky mbret destruktiv kishte shkatërruar atë që kishte ndërtuar, duke vrarë dijetarët dhe djegur librat.

Jam më se i bindur që këto informacione lidhur me këtë mbret dhe lider të madh Dhulkarnejnin kanë qenë të dobishme për studiuesin, dhe në fund të kësaj teme, them  vetëm Allahu e di të vërtetën![22]

 

Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA

LIDERSHIPI I SUKSESSHËM (sipas vizionit kur’anor dhe studimeve bashkëkohore)


[1] Burime dhe inormacione nga, apo; të Ehlul Kitabit-pasuesit e Librit (Hebrenjtë dhe të Krishterët), gje që nuk lejohet. Në këtë kontekst bejnë përjashtim informacionet të cilat nuk bien ndesh dhe nuk kontradiktohen me burimet e fesë sonë islame, Kur’anin dhe Synetin.

[2] AbduRrahman Sa’di, Tejsir el-Kerim err-Rrahman fi tefsiri kelami el-Mennan, 1/486.

[3]Zuhajli, Et-Tefsir el-munir fi el-akideti ve esh-sheriati ve el-menhexh, 16/25.

[4] Po aty, 16/26.

[5]Zuhajli, Et-Tefsir el-munir fi el-akideti ve esh-sheriati ve el-menhexh, 16/26.

[6]Po Aty, 16/28.

[7] Shih: Zuhajli, Et-Tefsir el-munir, 16/29; Tefisi i Sa’dit, 1/486.

[8] Ahmed bin Ali bin Haxher el-Askalani. Ver. shkenc: Hamdi bin Abdul Mexhid es-Selefij dhe të tjerë. (Rijad: Mektebetu err-rrushd, ed. 3, 1419 h.), 2/70. Hadithi, siç qëndron në www.dorar.net, është garib.

[9] Shihe kuptimin e kësaj fraze si koncept në fund të librit. Përkthyesi.

[10] Sujuti, Lubabu en-nukul fi esbabi en-nuzul, f. 168.

[11] Sejjid Kutub, Fi dhilali el-Kur’an, 1/2714.

[12] Sejjid Kutub, Fi dhilali el-Kur’an, 1/2710.

[13] Sejjid Kutub, Fi dhilali el-Kur’an, 1/2711.

[14] Po aty, 1/2711-2712, parafrazim.

[15] Shih: Tefsiri i Taberiut, 26/94; Tefsiri i Rrazit, 21/164-165; Tefsiri i Kurtubiut, 13/364-365; Tefsiri i Ibën Kethirit, 5/189; Tefsiri i Kasimiut: Mehasin et-Te’vil, f. 4099; Tefsiri i Sa’dit, f. 458; Tefsiri i Zuhajlit: Et-tefsir el-munir, 6/16-21.

[16]Është koncept, kuptimin e të cilit e gjeni në fund të librit. Përkthyesi.

[17]Shih: Tahir bin Ashur, Ettahriru ve ettenviru, 16/18.

[18]Shih: Tahir bin Ashur, Ettahriru ve ettenviru, 16/18-19.

[19]Po aty, 16/20.

[20]Hadithin e shënojnë Buhariu dhe Muslimi në Sahihët e tyre.

[21]Shih: Tahir bin Ashur, Ettahriru ve ettenviru, 16/22.

[22]Po aty, 16/25.

Burimi

0
Shopping Cart (0 items)