Furqan LeadershipFurqan LeadershipFurqan Leadership

Lidershipi mbretëror i Sulejmanit a.s, pejgamber dhe mbret njëkohësisht, bashkë me Belkisën, përmendet në kaptinën Neml në ajete të cilat lexohen deri në Ditën e Kiametit, ndërsa lidershipi mbretëror i Talutit me izraelitët në kaptinën Bekare.

Për një imazh sa më të qartë të këtyre lidershipeve, do të shpalosim fillimisht kuptimet e përgjithshme të këtyre ajeteve Kur’anore, për të kaluar tek shpjegimet e dijetarëve dhe mësimet që përfitojmë prej tyre (në të gjitha fushat; politike, ekonomike, ushtarake, të sigurisë, etj).

Allahu xh.sh. thotë:

“Ne i dhamë Daudit dhe Sulejmanit dituri dhe ata thanë: “Qoftë lavdëruar Allahu që na ka ngritur mbi shumicën e robërve të Tij besimtarë! 16.

Sulejmani e trashëgoi Daudin (në misionin e tij profetik) dhe tha: “O populli im! Neve na është mësuar gjuha e shpendëve dhe na është dhënë gjithçka. Kjo është vërtet dhunti e madhe” 17.

Para Sulejmanit u tubua ushtria e Tij e përbërë prej xhindeve, njerëzve dhe shpendëve, të gjithë të radhitur në çeta të gatshme. 18.

Kur arritën në Luginën e Milingonave, një milingonë tha: “O milingona, hyni në banesat tuaja, që t’mos ju shkelë Sulejmani dhe ushtria e tij, duke mos ju parë”! 19.

Ai vuri buzën në gaz, duke qeshur me fjalët e saj dhe tha: “O Zoti im, më frymëzo që të jem mirënjohës për mirësitë që Ti më ke dhënë mua dhe prindërve të mi dhe që të bëj vepra të mira, me të cilat Ti do të jesh i kënaqur. Më prano, me mëshirën Tënde, në gjirin e robërve të Tu të devotshëm!” 20.

Ai bëri kontrollin e shpendëve e tha: “Pse nuk e shoh pupëzën këtu, a nuk është e pranishme ajo? 21.

Nëse nuk do të më sjellë arsyetim bindës, do ta dënoj me dënim të rëndë ose do ta therr!” 22.

Nuk vonoi shumë dhe ajo erdhi e tha: “Kam marrë vesh diçka që ti nuk e ke ditur dhe të kam sjellë lajme të vërteta prej (qytetit të) Sebës. 23.

Kam parë një grua që sundonte popullin (e atij qyteti). Ajo zotëronte çdo gjë dhe kishte një fron madhështor. 24.

Kam parë se ajo dhe populli i saj adhuronin Diellin e jo Allahun. Djalli ua paraqiste të bukura sjelljet e tyre, duke i larguar nga rruga e drejtë, prandaj nuk ishin të udhëzuar. 25.

Ata nuk i përuleshin në sexhde Allahut, i Cili nxjerr gjithçka që është e fshehur në qiej dhe në Tokë dhe di çfarë fshihni ju dhe çfarë tregoni haptazi. 26.

Allahu është Një, s’ka zot tjetër pos Tij, Zotit të Arshit të madh!” 27.

Sulejmani tha: “Do të shohim nëse thua të vërtetën apo gënjeshtrën. 28.

Shko me këtë letër timen e çojua atyre. Pastaj largohu pak nga ata dhe shiko cila do të jetë përgjigjja e tyre!” 29.

Mbretëresha (e Shebës) tha: “O paria ime! Mua më ka ardhur një letër fisnike. 30.

Ajo është nga Sulejmani dhe është: “Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit! 31.

Mos u madhështoni para meje dhe ejani të përulur si besimtarë”! 32.

Ajo tha: “O paria ime, më këshilloni ç’duhet të bëj në këtë çështje! Unë nuk vendos asgjë pa ju!” 33.

Ata thanë: “Ne jemi shumë të fortë dhe luftëtarë të guximshëm, por urdhëri të takon ty, ndaj mendo mirë se ç’do të urdhërosh!” 34.

Ajo tha: “Njëmend, kur mbretërit pushtojnë ndonjë vendbanim, e rrënojnë atë dhe e poshtërojnë parinë e tij. Kështu veprojnë ata. 35.

Tani do t’u dërgoj atyre një dhuratë dhe do të shoh me çka do të kthehen të deleguarit.” 36.

Kur erdhën (të deleguarit), Sulejmani tha: “A mos doni të më ndihmoni me pasuri?! Ajo që më ka dhënë Allahu, është më e mirë nga ajo që ju ka dhënë juve. Por ju gëzoheni me dhuratën tuaj. 37.

Kthehuni tek ata! Ne do të sjellim ushtri, të cilën nuk do të mund ta përballojnë ata dhe me siguri, do t’i dëbojmë ata prej Shebës, të poshtëruar dhe të përulur”. 38.

Pastaj ai tha: “O parësi, kush prej jush do të më sjellë fronin e saj, para se ata të vijnë të dorëzuar?” 39.

Njëri nga xhindet, Ifriti, tha: “Unë do të ta sjell ty para se të ngrihesh nga vendi; unë për këtë jam i fortë dhe i sigurtë”. 40.

Po ai që ishte i pajisur me dijen e Librit, tha: “Unë do të ta sjell ty sa çel e mshel sytë”. Kur (Sulejmani) e pa të vendosur para tij, tha: “Kjo është nga dhuntitë e Zotit tim, për t’më provuar në jam mirënjohës apo mohues. Kush falënderon, e bën për të mirën e vet e, kush mohon, (ta dijë se) Zoti im është i Vetëmjaftueshëm dhe Dhurues. 41.

Ndryshojeni edhe fronin e saj! Do të shohim se a do ta vërejë ajo këtë gjë.” 42.

Kur erdhi ajo, i thanë: “I tillë është froni yt?” Ajo u përgjigj: “Duket si ai”. Sulejmani tha: “Para saj na është dhënë dituria dhe para saj i jemi nënshtruar Allahut”. 43.

Atë (Belkisën) e kishte penguar (nga Islami) ajo që adhuronte në vend të Allahut, sepse ajo ishte nga populli mohues. 44.

Asaj i thanë të hynte në pallat. Kur e pa atë, ajo kujtoi se ishte ujë i thellë dhe përvoli fustanin te këmbët. Sulejmani i tha: “Ky pallat është i shtruar me xhama”. Ajo tha: “O Zoti im, me të vërtetë unë e paskam dëmtuar veten dhe tani, bashkë me Sulejmanin i dorëzohem Allahut – Zotit të botëve!” [Kur’ani: Neml: 15-44]

Komentimi i përgjithshëm i ajeteve, sepse gjykimi i drejtë për diçka rrjedh nga perceptimi i drejtë  për të

Në dynja tefsire ka shumë,

por, betohem, si Dhilali [1] janë pak,

Nëse je duke kërkuar hije e freski,

Merre Dhilalin dhe mos iu ndajë atij![2]

Siç e dinë studiuesit fetarë, secili mufessir ka metodologjinë personale që ndjekë gjatë komentimit të Kur’anit. Duke marrë në konsideratë hapsirën e gjatë kohore[3] të punës sonë që i dhamë tefsirit të prof. Sejjid Kutubit Fi dhilali el-Kur’an, veçojmë si referencë këtë mesele për disa arsye:

  • Vlerësimet objektive për personalitetin e dëshmuar të Kutubit prej një mufessiri, elokuenti, intelektuali të madh, thirrësi të mufessirëve داعية المفسرين dhe, mufessiri të  thirrësve مفسر الدعاة
  • Fakti se Kutubi paraqet qendrën referuese sa i përket metodologjisë dinamike, aktuale dhe gjithëpërfshirëse në komentimin e ajeteve Kur’anore për të vepruar sipas tyre dhe për të ftuar në to. Tefsiri i Kutubit trajton aspektin doktrinar, davetik (misionar), moral, etik, ekonomik, politik, intelektual, kulturor dhe mbi të gjitha, ndjek metodologjinë mesatare duke ikur nga ekstremet çfarëdo lloj qofshin.
  • Tefsiri i tij ka një ndikim të madh tek njerëzit gjë kjo influencë është dëshmuar nga ata që e kanë lexuar dhe e kanë kuptuar drejtë. Duke lexuar atë ke ndjesinë që je, jo para një libri por para një ngjarje të vërtetë, detajet e së cilës shpalosen para teje një nga një, si në një film a skenë, ku pushtohesh tërësisht nga e vërteta fizike dhe ajo shpirtërore ndërsa percepton edhe veten tënde si një pjesë të gjithë asaj! Allahu e di më së miri!

Që tiparet e lidershipit të jenë të qarta dhe të dukshëm nga rrëfimi i Sulejmanit a.s, Belkisës dhe Talutit, së pari na duhet t’i hedhim një vështrim të përgjithshëm këtyre shembujve të lidershipit, për tu ndalur më pas tek mësimet që përçojnë. Fillimisht, me mirëkuptimin tuaj shkëpusim citate të shumta nga Tefsiri i Kutubit, të cilët (për shkaqe praktike) me raste i parafrazojmë apo dhe i shkurtojmë, ndërkaq në fusnota do të citojmë dhe dijetarë të tjerë, klasikë e bashkëkohorë.

Dije, temkîn, epërsi dhe dhuratë hyjnore  

Tregimi i Sulejmanit a.s. këtu është detajuar më shumë se në kaptinat tjera. Parathënia shkon në kontekst të mirësive që Zoti ia dha Sulejmanit a.s, të cilat ai i deklaron para të gjithëve, saktësisht njofton se atij Allahu xh. ia ka mësuar gjuhët e shpezëve, ia ka dhuruar mirësitë tjera të panumërta dhe në fund vjen falënderimi për vlerësimin dhe përzgjedhjen e bërë nga Allahu xh.sh për të. Pastaj vjen eskorta apo parada e tij e përbërë nga xhinët, njerëzit dhe shpezët, vërejtja e milingonës ndaj milingonave tjera (që të kenë kujdes nga kjo paradë), kuptimi i fjalëve të milingonës nga Sulejmani a.s,  falënderimi i tij për Zotin për këtë mirësi, kuptimi i Sulejmanit a.s. se mirësia është sprovë dhe së fundi lutja bërë Allahut xh.sh. që ta bëjë falënderues dhe të suksesshëm në këtë sprovë.

Në tregim shpaloset dhe letra e Sulejmanit a.s. dërguar mbretëreshës së Sebeit, Belkisës, e cila, bashkë me popullin e saj, pa vonuar bëhen myslimanë, e bindur nga forca e madhe e Sulejmanit a.s, respektivisht nga dhuntia që Allahu xh.sh. ia kishte dhënë për ti nënshtruar xhinët, njerëzit dhe shpezët.

Sa i përket rrëfimit të Sulejmanit a.s. në këtë kaptinë, ai shpalos detaje nga mësimi i gjuhës së shpezëve dhe nga udhëheqja me erërat sipas urdhrit të Allahut xh.sh.

Rrëfimi fillon me këtë aludim: “Ne i dhamë Daudit dhe Sulejmanit dituri…” për tu shfaqur kështu vlera e diturisë, madhështia e mirësisë me të cilën Allahu i ka nderuar njerëzit, dhe dallimi apo epërsia e të diturve (që ua dhuroi Allahu xh.) mbi besimtarët tjerë.

Në ajet dija është e përgjithshme dhe nuk përcaktohet se për cilën dije është fjala. Ajeti na jep të kuptojmë se dija është dhunti prej Allahut dhe se çdo i mençur e ka për detyrë (morale) që ta dijë burimin e dijes, ta falënderojë dhuruesin e dijes –Allahun xh.sh. dhe ta shpenzojë atë dije në gjëra që çmon Dhuruesi i saj.

Dija nuk duhet ta largojë njeriun nga Allahu xh.sh. dhe as ta bëjë ta harrojë Atë. Dituria e cila e largon njeriun prej Zotit është dituri e refuzuar, e devijuar nga burimi dhe e çorientuar nga qëllimi, shterpe dhe dëshpëruese për individin dhe shoqërinë. Dituria e tillë prodhon dëshpërim, frikë, stres, shkatërrim, sepse është e shkëputur nga burimi, e devijuar nga drejtimi, e çorientuar në rrugë, pra dije që largon nga Allahut xh.sh.

Njerëzimi sot ka avancuar shumë në dije dhe në shkencë dhe ka arritur ta zbërthejë edhe atomin dhe ta vë në shfrytëzim, por cila është dobia që ka përfituar njeriu prej saj kur ajo nuk ia kujton Allahun, nuk e afron pranë Tij, kur ata nuk janë falënderues për të! Çfarë tjetër solli shkenca pa besim pos viktimave të panumërta, ta zëmë në Hiroshimë e Nagasaki, pos frikës dhe tmerrit që e mban të mbërthyer Lindjen dhe Perëndimin dhe që e kërcënon përherë me shkatërrim e zhdukje…[4]

Davudit a.s. krahas mbretërisë i ishte dhënë pejgamberia dhe dija, por mbretëria nuk përmendet ndërsa flitet për mirësinë e Allahut ndaj tij dhe të birit, Sulejmanit a.s. Përmendet vetëm dija sepse mbretëria pa dituri nuk ka vlerë… “Sulejmani e trashëgoi Daudin…” Trashëgimia këtu ka të bëjë me dijen sepse është vlera më e madhe dhe më e lartë që meriton të veçohet me përmendje. Këtë e konfirmon edhe shpallja që Sulejmani a.s. e bëri para njerëzve: “O populli im! Neve na është mësuar gjuha e shpendëve[5] dhe na është dhënë gjithçka…

Shpalosja e këtyre mirësive para njerëzve në fakt është bërë për ta shpalosur mirësinë dhe meritat e Allahut dhe jo për mburrje të një individi para të tjerëve! Shpendët, kafshët, insektet kanë gjuhën me të cilën kuptohen mes vete, gjë që është vërtetuar edhe shkencërisht!

Sot disa mufessirë të ndikuar nga shkenca dhe teknologjia, mundohen që aftësinë apo dhuntinë e Sulejmanit a.s. për të komunikuar me gjuhën e shpezëve dhe të insekteve ta interpretojnë me metoda bashkëkëhore shkencore, duke e abstrahuar nga interpretimi fetar si një mrekulli e dhënë nga Allahu xh! Ndaj unë do të ndalem pikërisht tek mrekullia!

Interpretimet e tilla e nxjerrin mrekullinë nga natyra e saj (duke e trajtuar vetëm si dukuri shkencore të veçuar nga trajta e saj shpirtërore). Gjithë kjo është pasojë e shkurtpamësisë  shpirtërore dhe diturisë së kufizuar njerëzore!

Për Allahun xh.sh. nuk paraqet kurrfarë vështirësie t’i mësojë një robi gjuhën e shpendëve, të kafshëve dhe të insekteve. Është dhunti prej Tij, qe Sulejmani a.s. e trashëgoi pa përpjekje dhe pa angazhim paraprak. Pos që është mirësi, kjo në fakt paraqet një mrekulli. Pjesa tjetër e saj ka të bëjë me nënshtrimin e xhinëve dhe të shpezëve dhe rekrutimin e tyre si pjesë e ushtrisë së tij, ashtu siç ishin ushtarët nga radhët njerëzore.

Lloji i shpezëve të nënshtruara ishin më inteligjentë nga shpezët tjera. Dëshmi për këtë kemi hud’hudin ose pupëzën e cila kishte arritur të kuptojë nga gjendja e mbretëreshës dhe popullit të saj atë që e kupton njeriu më i mençur, më i zgjuar dhe më i devotshëm. Dhe kjo kishte ndodhur në formë të mbinatyrshme, si mrekulli…[6]

Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA

LIDERSHIPI I SUKSESSHËM (sipas vizionit kur’anor dhe studimeve bashkëkohore)


[1]Dhilali: Tefsiri i Sejjid Kutubit ( Fi Dhilal el- Kur’an)

[2] Autori ka një simpati të madhe ndaj Sejjid Kutubit dhe veprave të tij, të cilat i ka trajtuar edhe në punime shkencore. Për ta dëshmuar dashurinë por edhe vlerën e tefsirit të Sejjdit Kutubit, ka thurur këto vargje, të ngjashme me ato që Zemahsheriu kishte thurur për tefsirin e vet, Keshshafin:

Në dynja tefsire ka shumë,

Por asnjë sikur Keshafi im nuk është,

Nëse kërkon udhëzimin, lexoje atë rregullisht

sepse injoranca është si sëmundja ndërsa ilaçi është Keshafi im. Përkthyesi.

[3] Në M.A., seminare ndërkombëtare, punime shkencore  etj, që nga viti 1997-2021

[4] Sejjid Kutub, Fi dhilal el-Kur’an, 5/2599-2643.

[5] Komentatori i Kur’anit Ibn Ashuri duke folur për gjuhën e shpezëve dhe sekretet e fjalëve të Sulejmanit a.s: “na janë mësuar, na janë dhënë” ka thënë: “Zërat e shpezëve i ka quajtur gjuhë duke i ngjasuar kështu me gjuhën e njerëzve nga aspekti i kuptimit të asaj që zogjtë komunikojnë ndërmjet vete. Përemri në shumës: “Na janë mësuar (neve), na janë dhënë (neve)” ka të bëjë vetëm me Sulejmanin a.s. por është në formë shumësi për modesti. Apo ka të bëjë me atë se ai është i duhuri për ta shfaqur madhështinë e pushtetit duke dashur kështu ta shfaq veten më madhështor para popullit dhe ata t’ia kenë frikën. Por kjo mund të jetë dhe për shkak të natyrës së pushtetit, e cila përcakton një gjë të tillë në raste të caktuara, siç ta zëmë ndodhi me Muaviun r.a. dhe Omerin r.a. Ky i fundit e kishte takuar Muaviun r.a. në Sham dhe i kishte thënë: A qenke bërë si cezarët, o Muavi! Omerit r.a. nuk i kishte pëlqyer salltaneti dhe shpenzimet për rrobat dhe armët e shtrenjta dhe luksoze të ushtrisë. Muaviu r.a. i kishte thënë: Ne jemi në front përballë armikut dhe armikun asgjë pos kësaj nuk e frikëson.  Omeri r.a. i kishte thënë: Mashtrim i të shkathëtit (bërë armikut) apo ixhtihad i të diturit. As nuk të urdhëroj, as nuk të ndaloj. Kështu Omeri r.a. çështjen se si qeveriste me popullin dhe çfarë politikash ndiqte ia la në dorë atij…” 20/237.

[6] Sejjid Kutub, Fi dhilal el-Kur’an, 5/2599-2643. Parafrazim.

Burimi

0
Shopping Cart (0 items)