Furqan LeadershipFurqan LeadershipFurqan Leadership

Studimi dhe analiza e historisë së shqiptarëve në territoret e sotme shqiptare, dhe në territoret e tyre etnike të uzurpuara në fillim të shek. XX, konsiderohet padyshim një çështje e vështirë dhe shumë e ndjeshme. Studiuesi për të qenë sa më i drejtë dhe objektiv ka nevojë t’i përvishet punës një kohë bukur të gjatë, për të bërë një studim të tillë historik, si dhe duhet të jetë i informuar mirë me njohuri që kanë të bëjnë me historinë e shqiptarëve dhe të Shqipërisë.

Përveç kësaj, ai duhet të kontrollojë literaturën e historisë antike shqiptare dhe asaj bashkëkohore, për të shqyrtuar në mënyrë krahasuese zhvillimin historik dhe gjërat e tjera të rëndësishme që kanë të bëjnë me shqiptarët, ngase vetëm në këtë mënyrë do ta kuptojmë pozitën e vërtetë të shqiptarëve, kurse në të kundërtën, nëse shkruhet nga distanca, atëherë do të përfitohen rezultate të gabuara dhe të deformuara.

Çështja e dytë që është gjithashtu shumë e rëndësishme dhe e cila patjetër duhet të merret parasysh kur studiojmë historinë e shqiptarëve, është fakti se këtë histori që ekziston para nesh dhe që studion çështjet e hershme dhe bashkëkohore të shqiptarëve e kanë shkruar dhe formuluar dijetarët dhe historianët që mësuan dhe u përgatitën profesionalisht në kohën e marksizëm-leninizmit, komunizmit, sllavizmit dhe ortodoksisë, ndaj dhe për rrjedhojë edhe burimet historike janë përpiluar sipas metodës marksiste-leniniste, ateiste etj.

Në këtë kontekst, njëri prej tyre thotë: “Me lindjen e materializmit dialektik, historia është shndërruar në një shkencë të vërtetë…” [1] Njohja e rrethanave historike, politike, shoqërore e fetare që mbizotëronin në ato vende nga njëra anë, dhe rezistenca e dijetarëve shqiptarë kundër ballafaqimeve të tilla nga ana tjetër, do të na mundësojë që të kuptojmë më mirë dhe më saktë drejtimet dhe doktrinat intelektuale e fetare që ekzistonin në studimin kur’anor, për të cilat insha’Allah do të flasim më vonë, dhe “Rileximi i trashëgimisë historike në një mënyrë tjetër të re është obligim i historianit”,[2] dhe ne shtojmë e themi se ky obligim i takon edhe hulumtuesit e mendimtarit të vërtetë musliman që është i interesuar për fenë dhe vatanin.

Shqiptarët që jetuan para nesh dhe ushtruan detyra të ndryshme, “u helmuan në zemra e tru nga gënjeshtrat dhe teoritë mashtruese marksiste- leniniste…, të cilat ekzistonin në këtë histori”.[3]

“Historia jonë ende shkruhet për t’u shërbyer qëllimeve dhe synimeve komuniste sovjetike dhe legjendave sllavo-ruse”.[4]

Një botëkuptim i tillë vërehet qartë në burimet e historisë së shqiptarëve, ku redaksia botuese shpreh mirnjohjet e saja të sinqerta dijetarëve sovjetikë dhe atyre bullgarë për rolin e tyre të madh e të dukshëm në përpilimin dhe përgatitjen e teksteve historike.[5]

Nga kjo thënie, qartë vërejmë se një e vërtetë ogurzezë veçmë kishte depërtuar në burimet historike.

Në këtë kontekst mund të theksojmë edhe shembuj tjerë:

  1. Në librin “Historia e Shqipërisë”, gjegjësisht në hyrjen e tij thuhet: “Nisur nga teoria marksiste-leniniste se s’mund të kuptohen e as të analizohen në mënyrë të shëndoshë zhvillimet politike dhe kulturore, përpos nëse mbështetemi në zhvillimet ekonomike e sociale të asaj kohe, edhe historia e re shqiptare i ka dhënë rëndësi të madhe kësaj teorie dhe është mbështetur fuqishëm në të”.[6]
  2. Në hyrjen e librit “Historia e Popullit Shqiptar”, thuhet: “Historia është bërë shkencë e vërtetë me plotë kuptimin e fjalës, kur lindi metoda materialiste-dialektike”.[7]

Pra, siç shihet nga fjalët e mësipërme të konceptit marksist shqiptar, vetëm pas formimit të metodës materialiste dialektike të të kuptuarit dhe të studiuarit e historisë, historia është shndërruar në shkencë të vërtetë me plotë kuptimin e fjalës, e në të kundërtën, historia nuk do të mundej të kuptohet. Vërtet ç’mendim i çuditshëm!!!

Këshilltari dhe hulumtuesi prof. Ali Xhurejshi, përpiqet të na sqarojë mendimin e tyre dhe thotë: “Dialektika mbështetet në parimin e kundërshtimeve, përkatësisht në parimin e kundërshtimeve të pjesëve të mate­­ries në mes vete, të pjesëve të gjithësisë dhe pastaj në mes të klasave…”[8]

Mirëpo, kjo ide nuk është e vërtetë, dhe këtë e ka vërtetuar edhe vetë shkenca, ashtu siç thekson edhe prof. Ali Xhurejshi: “Materializmi dialektik nuk mund të qëndronte përpara analizave të vërteta shkencore. Ajo që është zbuluar përbën vetëm 7% , ndërsa e pazbuluara është 93%  dhe nëse pranojnë atë që thotë Marksi se ne dimë vetëm anën e dukshme të materies, vërehet qartë se kjo ide është mbështetur në shtatë përqindëshin dhe shkencërisht, kjo është nonsens”.[9]

Për sa i përket qëndrimit kur’anor ndaj marksizmit, veçmë e dimë se Kur’ani Fisnik tërësisht e refuzon filosofinë marksiste. Zoti në esencë ka krijuar dy çifte, dhe në këtë kontekst në Kur’anin Fisnik thuhet:

Prej çdo gjëje krijuam çifte, ndoshta kujtoni (Zotin)”.[10] Në një ajet tjetër thuhet:

I Madhërishëm qoftë Ai që ka krijuar në çifte çdo gjë që rritet në tokë, në vetveten e tyre dhe në atë që ju nuk e dini ”.[11]

Nga këto dy ajetet e sipërpërmendura, vërehet qartë se çdo gjë është krijuar në çifte, si p.sh. njeriu, kafsha, bima dhe bota që nuk e dimë, dhe kjo argumenton fuqinë e Zotit të Madhërishëm dhe rregullat që Ai i ka krijuar për jetën e cila nuk mund të ekzistojë pa Të. Kështu, teoria se çdo gjë është krijuar në bazë të materializmit-dialektik bie poshtë dhe është e paqëndrueshme. Pra, komentimi i historisë në bazë të kësaj metode nuk pranohet fare, madje dhe vetë Karl Marksi[12] është larguar nga kjo teori, qëndrimin e të cilit e vërteton vetë Engelsi.[13]

Sipas disa hulumtuesve, pa kurrfarë dyshimi ekziston edhe ndikimi i madh orientalist evropian në formulimin e teksteve historike shqiptare.[14] Sipas teorisë së Marksit, shpirti i njeriut mohohet, ngase ai as nuk shihet dhe as nuk mund të preket.[15]

Nëse e kuptojmë dhe bindemi në pavlefshmërinë e metodës marksiste-ateiste mbi të kuptuarit e historisë, atëherë cilën metodë duhet ta pranojmë për ta kuptuar ashtu siç duhet historinë?

Sipas disa hulumtuesve, me fjalët e të cilëve ne jemi dakord, se pas shkatërrimit të metodës marksiste në të kuptuarit e drejtë të historisë, shtojmë se edhe metodat e tjera të formuara nuk mund ta kuptojnë historinë ashtu siç e kupton metoda e pastër objektive islame, qofshin këto metoda gjeografike, biologjike, ekonomike, shoqërore, psikologjike apo politike, ngase nuk mund ta komentojnë historinë në mënyrë të plotë dhe të përkryer. Nëse e kuptojmë këtë të vërtetë, atëherë para nesh mbetet vetëm metoda islame, ngase mbështetet në parimin e dëshirës absolute të Zotit të Madhërishëm, në parimin e relacionit në mes të jetës së kësaj bote dhe botës tjetër, dhe në parimin e dëshirës njerëzore. Të gjithë faktorët e sipërpërmendur kanë rol suplementar të këtyre tri parimeve që i përmendëm në fund, dhe këtë e nënkuptojmë kur flasim për metodën islame.[16]

Nga ajo që u tha më sipër, mund të bëjmë një konkluzion të shkurtër:

Historia jonë shqiptare e shkruar nga historianët e periudhës së sistemit komunist dhe sipas metodës marksiste, është e helmuar dhe e devijuar, ndaj dhe për këtë shkak, ajo nuk jep pasqyrë të qartë-objektive mbi Islamin dhe myslimanët ne Ballkan, sidomos për shqiptarët, si dhe as që pranohet fare ndonjë rezultat i tillë.[17]

Me të drejtë shtrohet pyetja: Nëse e kuptojmë këtë, atëherë çfarë rrugëdalje tjetër kemi?

Unë them se këtë histori laike, ateiste, të devijuar, e që kundërshton fetë në përgjithësi dhe Islamin në veçanti, që është e shkruar në bazë të metodave ateiste, marksiste dhe leniniste, duhet refuzuar në tërësi, dhe kërkoj që të rishkruhet dhe të riformulohet përsëri në një formë të re nga historianë shqiptarë objektivë dhe myslimanë.

Historia e Mesjetës shqiptare dhe historia e saj e re, ngusht janë të lidhura me historinë osmane, ndaj dhe gjendja e shqiptarëve nuk mund të kuptohet në mënyrë të saktë e precize, përpos nëse krahasohet me historinë e shtetit osman, por për fat të keq, në mesin e shqiptarëve ekziston një averzion, që ka marrë përmasat e fenomenit, dhe një qëndrim negativ ndaj historisë dhe studimit të periudhës osmane. Një fenomen i tillë është rrënjosur shumë keq në mesin e shqiptarëve, me qëllim që ata t’i largojnë njerëzit nga Islami dhe muslimanët. Ky fenomen i ka njollosur dhe fëlliqur edhe idetë e mendimet e autorëve objektiv perëndimorë ndaj historisë osmane.

Këtë fenomen e ka vërejtur qartë historiani turk prof. Mehmet Maksudoglu, ndaj në këtë kontekst thotë:

“Hulumtuesit perëndimorë i kanë përdorur shumë pak burimet origjinale historike”. (Madje edhe hulumtuesit shqiptarë i kanë përdorur fare pak, H. Hoxha). “E vërteta osmane ka qenë në një anë, kurse ajo që është shkruar dhe botuar ka qenë në anën tjetër. Në asnjë mënyrë nuk mund të kuptohet historia e një vendi apo populli, nëse ajo shkruhet nga të huajt joprofesionistë dhe joobjektivë”.[18]

Kjo metodë kontradiktore ka ekzistuar te pjesa dërrmuese e historianëve shqiptarë gjatë shkrimit, studimit dhe analizimit të historisë osmane, përpos atyre që i ka ruajtur Zoti nga ky devijim, por ata janë të paktë dhe jo të popullarizuar.

Historianët laikë dhe ateistë shqiptarë kanë bërë gabim të madh kur përdorën në fjalorin e tyre fjalë të rënda, të ashpra dhe joshkencore ndaj perandorisë osmane në çdo aspekt, duke mos vërejtur asnjë dobi për shqiptarët nga kjo perandori. S’ka dyshim se një gjë e tillë refuzohet si nga aspekti metodologjik e shkencor ashtu edhe nga aspekti historik. Ky fenomen ka për qëllim shtrembërimin e Islamit, dhe krijon urrejtje në mesin e gjeneratave të ardhshme shqiptare ndaj Islamit dhe muslimanëve.

Nga akuzat e tilla që krijojnë urrejtje ndaj osmanlinjve janë nocionet: Okupim ose okupatorët turq, turqit barbarë, rrjedha destruktive turke, presioni nacionalist turk, zgjedhë turke, i Sëmuri i Bosforit, si ta varrosim këtë të sëmurë, ky i sëmuri ka marrë grusht të fortë nga shtetet evropiane, qeveria e kalbur turke, etj.!!![19] Natyrisht të gjitha këto thënie janë të pavërteta dhe përgënjeshtrime të të vërtetave historike.

Disa historianë objektivë janë përpjekur t’i theksojnë disa të vërteta nëpërmes të cilave mund të kuptojmë natyrën e pushtetit osman mbi shqiptarët.

  1. “Ardhja e shtetit osman gjeti pjesën dërmuese të shqiptarëve nën dominimin e serbëve, bullgarëve, grekëve dhe bizantinëve”,[20] ndërsa këta dominues rrezikonin shqiptarët më shumë se sa shteti osman.
  2. Ekzistimi i shtetit osman ka mbrojtur shkrirjen kombëtare dhe të gjakut të shqiptarëve që u kërcënohej nga sllavët, grekët, bullgarët dhe bizantinët. Shteti osman i ka mbrojtur shqiptarët përmes shkatërrimit të principatave serbe, bullgare e greke,[21] dhe kështu i ka mbrojtur shqiptarët nga serbizimi, bullgarizimi, greqizimi, sepse në të kundërtën ata-shqiptarët do të shndërroheshin në grekë, serbë apo bullgarë.
  3. Shteti osman siguronte tolerancë fetare dhe etnike, dhe nuk ishte vetëm institucion turk, po ishte institucion që përbëhej nga turqit, arabët, kurdët, shqiptarët, grekët, boshnjakët, serbët, kroatët e hebrenjtë, dhe ekonomia ishte madje në duart e tyre.[22]
  4. Shteti osman nuk ka ushtruar dhunë në fê dhe nuk i ka detyruar asnjëherë njerëzit që ta pranojnë Islamin me forcë, përkundrazi. Kurse serbët kanë ushtruar dhunë dhe presion të madh për t’i detyruar shqiptarët ta pranojnë krishterimin. Shqiptarët vullne-tarisht e pranonin Islamin pa kurrfarë dhune dhe ky konvertim kryhej në prezencën e dy dëshmitarëve para gjykatësit, këtë e konfirmojnë dokumentet e gjykatave të Sheriatit, në të cilat regjistrohej konvertimi i tyre pa dhunë e pa presion.[23]

Në anën tjetër, intelektualët dhe hulumtuesit shqiptarë akoma vazhdojnë ti mësojnë studentët nëpër universitetet shqiptare se Islami është përhapur me shpatë dhe se shqiptarët vullnetarisht kurrë nuk do të bëheshin muslimanë!

Nuk ka dyshim se kjo ide buron nga ideja e kahmotshme kryqtare katolike shqiptare, dhe se tani për fat të keq, ekzistojnë disa intelektualë që tentojnë ta ringjallin përsëri këtë ide kryqtare në mesin e shqiptarëve myslimanë dhe ta turbullojnë koekzistencën dhe tolerancën fetare shekullore dhe të mbjellin armiqësi në mes tyre, madje të ndihmuar edhe nga disa qarqe evropiane misionare, me qëllim që t’i largojnë shqiptarët nga Islami e t’i kthejnë ata, gjoja në fenë e lashtë katolike.

  1. Konvertimi i shqiptarëve në Islam nuk nënkuptonte edhe shndërrimin e tyre automatikisht në turq, osmanlinjë ose arabë, ashtu siç mendon shumica e hulumtuesve shqiptarë, por ishte e kundërta e kësaj, ngase jetesa e shqiptarëve nën pushtetin serb dhe bizantin shoqërohej me procesin e ndryshimit të identitetit kombëtar dhe shpirtëror. Gjuha e sllavëve serbë dhe grekëve, ishte e njëjta gjuhë që përdorej zyrtarisht në kishë, ndërsa me Islamin situata ishte krejt ndryshe, ngase gjuha e Islamit ishte gjuha arabe, ndërsa gjuha e shtetit osman ishte gjuhë tjetër dhe kësisoji ajo nuk i kërcënonte shqiptarët me zhdukjen e gjuhës dhe gjakut të tyre.[24]
  2. Disa punë administrative osmane ishin në duart e shqiptarëve, ndërsa në kohërat e lashta të pushtetit serb, si dhe para dy dekadave në Kosovë (ish-Jugosllavi), e tërë administrata ishte në duart e serbëve dhe aty shqiptarët fare nuk merrnin as erë.
  3. Elita intelektuale e hulumtuesve shqiptarë duhet të turpërohet nga gënjeshtrat e kulluara dhe intrigat e tilla që i kanë shkruar në literaturën historike mbi shtetin osman. Osmanlinjtë asnjëherë nuk i kanë deportuar shqiptarët dhe muslimanët nga tokat e tyre në grupe, ashtu siç kanë vepruar grekët dhe serbët në të kaluarën dhe siç vepruan serbët edhe sot në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë dhe në Maqedoni.[25]
  4. Historikisht pa kurrfarë dyshimi, është vërtetuar nga vetë kundërshtarët më të mëdhenj të Islamit dhe muslimanëve, gjegjësisht nga disa hulumtues priftërinjë katolikë, se osman-linjtë nuk kanë hyrë si uzurpatorë në territoret shqiptare, por ata kanë ardhur me ftesë të udhëheqësve shqiptarë që quheshin “arbërorë” për ti ndaluar konfliktet dhe rivalitetet për pushtet që ekzistonin në mes tyre.[26]

Kjo është një e vërtetë shumë e rëndësishme historike që historianët shqiptarë nuk mund ta anashkalojnë si në të shkuarën ashtu edhe sot. Them dhe bindshëm besoj se nëse rilexohet historia në mënyrë objektive, atëherë do të pastrohet nga thashethemet e tilla, dhe gjeneratat e ardhshme do të lexojnë histori më të saktë dhe më të pastër nga gafe të tilla, do ta kuptojnë se osmanlinjtë ishin çlirimtarë të vendit të tyre dhe jo uzurpatorë, do ta kuptojnë të vërtetën e Islamit pa kurrfarë dezinformime e falsifikime, dhe do ta kuptojnë rolin e madh të shtetit osman për shqiptarët në të gjitha aspektet e jetës së tyre.[27]

Shkrimtarët dhe hulumtuesit shqiptarë e injoronin dhe anash-kalonin faktin dominues fetar në historinë e shqiptarëve[28] dhe të popujve të Ballkanit në përgjithësi, e përpiqeshin që në bazë të botëkuptimeve e perceptimeve marksiste, ta privonin historinë tonë nga horizonti fetar, metodë hulumtuese kjo shumë e gabuar dhe e refuzuar shkencërisht.

Faktori fetar ka qenë arsye kryesore në cytjen e luftërave ballka-nike, ashtu siç është edhe në disa vende aziatike në kohën bashkëkohore.

Edhe hulumtuesit perëndimorë janë përpjekur që ta mënjanojnë këtë faktor nga jeta e popujve, dhe këtu, në këtë kontekst vlen të theksohet fjala e dijetarit dhe hulumtuesit Justin McCarthy, i cili në studimin e çështjeve të tilla, thotë:

“Në vitin 1880 ka pasur një tokë të gjerë ku jetonin muslimanët e Ballkanit, Anadollit dhe ata të Rusisë Jugore. Muslimanët e Ballkanit u zhdukën në mënyrë kolektive me vdekje ose me deportim në grupe të vogla në Greqi, Bullgari e Jugosllavi. Shkurt thënë, muslimanët e tillë humbën dhe u zhdukën. Miliona muslimanë, pjesa dërrmuese e tyre turq, vdiqën, ndërsa miliona të tjerë emigruan nga territoret turke.

Prej vitit 1821 deri në vitin 1922 më shumë se pesë milionë muslimanë janë dëbuar nga shtëpitë e tyre dhe janë deportuar në vende të ndryshme e të panjohura. Disa prej tyre u shkatërruan nëpër luftëra, disa të tjerë vdiqën nga uria dhe disa prej tyre fituan sëmundje dhe epidemi gjatë endjes së tyre për të gjetur strehim e vatër. Historia e Anadollit, Ballkanit dhe Kaukazit nuk mund të studiohet e as të kuptohet në mënyrë të saktë nëse nuk merret parasysh fakti i myslimanëve refugjatë dhe atyre që kanë vdekur.

Njohja  e çështjes së zhdukjes së muslimanëve ka rëndësi të madhe në historinë e shtetit osman,[29] ngase muslimanët e tillë kanë qenë viktimë e nacionalizmit dhe imperializmit. Sidoqoftë në historinë perëndimore (edhe në historinë shqiptare – H. Hoxha) asnjëherë nuk është shkruar për gjendjen e muslimanëve të Ballkanit, Anadollit dhe Kaukazit. Historia e territoreve të tilla është shkruar pa u theksuar fare elementi fetar që ka të bëjë me muslimanët”.[30]

Nuk e kam aspak të qartë se si historianët dhe hulumtuesit shqip-tarë e harruan këtë fenomen të rëndësishëm fetar islam, posaçërisht kur dihet fakti se kisha serbe historikisht ka luajtur rol negativ dhe të rëndësishëm, madje edhe sot e kësaj dite, vazhdon ta luaj po të njëjtin rol kur bisedohet për çështjet politike, gjeografike e kulturore si dhe për mbrojtjen e trashëgimisë dhe fesë së krishterë, dhe atë bile në mënyrë të studiuar fort mirë. Kjo vërehet qartë dhe publikisht nga ndërtimi i kishave dhe manastireve në vitin 1314 dhe qysh nga kjo kohë, kisha serbe i ka dëbuar shqiptarët që ishin katolikë dhe i ka penguar në kryerjen e riteve të tyre fetare katolike.[31]

Për këtë që u tha më sipër, profesori dhe hulumtuesi objektiv, Hysamedin Feraj, kur flet për kontinuitetin e këtij fenomeni edhe gjatë pushtetit osman, thotë:

“Zbulimet historike deri më sot vërtetuan se revolucionet shqiptare, mbrojtja qytetare shqiptare dhe lëvizjet shqiptare kundër shtetit osman kanë ndodhur nga cytja e faktorit fetar dhe nga nxitjet e shteteve të vogla evropiane kundër osmanlinjve. Lëvizjet e hershme për t’u shkëputur nga shteti osman filluan të duken në fund të shek. XVIII dhe në fillim të shek. XIX.” [32]

Nuk është e vërtetë thënia se luftërat fetare kundër shtetit osman nuk kanë ekzistuar te shqiptarët, por e kundërta është e vërtetë.[33] Histo-rikisht është vërtetuar se prijësit dhe elita shqiptare katolike e atëhershme e pranonin drejtimin ortodoks, gjegjësisht konvertoheshin në ortodoksë, madje një numër i madh prej tyre lidhnin miqësi me serbët, grekët, romakët dhe bullgarët,[34] vetëm e vetëm për t’u bashkuar e përforcuar kundër shtetit osman dhe muslimanëve.

Ekzistojnë njerëz që dëshirojnë ta fshehin këtë të vërtetë historike përmes tolerancës dhe jetesës së përbashkët fetare e paqësore në mes të shqiptarëve muslimanë dhe feve tjera. Toleranca e tillë fetare në mes shqiptarëve muslimanë dhe të tjerëve ishte një lloj hipokrizie dhe nuk ishte e vërtetë, përkundër asaj që deklaroheshin se simboli i shqiptarëve është simbol ateist, dhe parimi “feja e shqiptarit është shqiptaria”,[35] vazhdoi të mbijetojë deri në ditët e sotshme, gjë që linte të nënkuptohej se gjoja shqiptarëve çështja e fesë nuk u intereson aq sa u intereson çështja kombëtare…

Pastaj armiqësia e fshehur në zemrat e shqiptarëve katolikë kundër shqiptarëve muslimanë akoma vazhdonte të ekzistonte dhe nuk ishte harruar apo braktisur.[36]

Nuk ka dyshim se kjo legjendë historike është mbjellë dhe kulti-vuar në zemrat e shqiptarëve gjatë periudhës komuniste për qëllime partiake komuniste marksiste, dhe natyrisht të tillët i konsideronin osman-linjtë kundërshtarë të denjë të tyre, duke thënë se gjendja e shqiptarëve është përkeqësuar më shumë në të gjitha sferat e jetës me depërtimin e osmanlinjve në vatrat e tyre. S’ka kurfarë dyshimi se kjo është edhe një gënjeshtër tjetër komuniste që fare s’ka të bëjë me të vërtetën.

Nga ajo që kam lexuar, shfletuar, studiuar e analizuar nga historia e shqiptarëve, vërehet qartë se urrejtja dhe fanatizmi fetar katolik shqiptar kaherë ka ekzistuar në zemrat e tyre kundër vëllezërve të tyre muslimanë shqiptarë. Në këtë kontekst, historiani Georges Castellan thotë:

“Vlen të theksohet se Islami sunnit është ballafaquar me sektin sufist bektashian[37] dhe me ata që pranuan sipërfaqësisht Islamin (d.t.th. katolikët dhe orto-dokosët) dhe që mbanin dy emra në të njëjtën kohë, një emër musliman dhe një emër të krishterë përpara administratorëve të shtetit osman. Kjo tolerancë fetare nuk ka mjaftuar për zhdukjen e urrejtjes dhe fanatizmit fetar që nxiste grindje e përleshje në mes tyre e që nxitej nga njerëzit e fesë dhe nga shtetet që i përkrahnin, si p.sh., nga Greqia ortodokose, Austria dhe Italia katolike”.[38]

 

Prof. Dr. Hfz. HAJREDIN HOXHA

TEFSIRI DHE MUFESSIRËT SHQIPTARË NË KOHËN BASHKËKOHORE
(SHEK 19-20)
TOKAT SHQIPTARE NGA ASPEKTI POLITIK DHE FETAR NË KOHËN BASHKËKOHORE

[1] “Historia e Popullit Shqiptar”; Universiteti Shtetëror i Tiranës, Instituti i Gjuhësisë dhe i Historisë, bot. III, vëll. I, f. 10.

[2] Justin MacCarthy, “Death and Exile-the ethnic cleansing of Ottoman Muslims”; 1821-1922, 3-rd ed. USA, 1999, f. 3.

[3] Tajar Zavalani, “Historia e Shqipnisë”; Londër 1957, f. 9-11.

[4] Tajar Zavalani, “Historia e Shqipnisë”; f. 9.

[5] “Historia e Shqipërisë”; Universiteti Shtetëror i Tiranës 1959, vëll.1.

[6] “Historia e Shqipërisë”, Akademia e R.P.S. të Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë, Tiranë, 1984, 19; “Historia e Popullit Shqiptar”; vëll. 1, 10.

[7] “Historia e Popullit Shqiptar”; vëll. 1, 10.

[8] Dr. Ali Xhurejsh, “Drejtimet intelektuale bashkëkohore”; f. 182.

[9] Po aty, f. 162.

[10] Edh-Dharijatë, 49.

[11] Jasin, 36.

[12] Më gjerësisht mbi jetën dhe veprën e Karl Marksit shih: William Simpson and Martin Toma, “Europe, 1783-1914”; Routledge-Taylor and Franciz Group, London and New York, 1st  pub. 2000, 253-255.

[13] Më gjerësisht për këtë çështje lexoni librin e dr. Seid Ramadan Butit, “Nakdul-Euham El-Maddijetti El-Xhedelijjeti”; Darul-Fikri, Damask, bot. II, 1986.

[14] Shih: Enver El-Xhundi, “Tas’hihu Ekberi Hata’in Fit-tarihil-Islami”; “Es-Sultan Abdulhamid Eth-Thâni vel-Hilafetul-Islamijjeti”; Kajro, Darul-Kutubis-Selefijjeti, bot. 1, 1407, f. 7.

[15] Po aty, f. 21.

[16] Po aty 38-39; Po ashtu shih Halil Imadud-din, “Med-hal ila Islamijjetil Ma’rifeti mea Iktirahi Islamijjetit-Tarih”; Instituti Ndërkombëtar i Mendimit Islam, I.I.U. Malaysia, bot. 1, 1990, f. 50-90.

[17] Krahaso cilindo libër historik shqiptar që është shkruar gjatë viteve 1954, 1965 dhe 1984 me librat e shkruar gjatë viteve 1989-2000 dhe do të vëresh të njëjtën metodë marksiste-leniniste ateiste në formulimin e historisë shqiptare. Karakteristikë e kësaj metode marksiste-leniniste ateiste është sulmi ndaj Islamit dhe osmanlinjve në mënyrë të ashpër dhe sipas tyre, osmanlinjtë kanë okupuar territoret shqiptare e jo çliruar dhe se kanë sjellë fenë e arabëve e jo Islamin. Nga kjo kuptohet se ata historinë akoma janë duke e shkruar sipas avazit të vjetër dhe se fatkeqësisht, ende e mësojnë sipas metodës marksiste.

[18] Mehmet Maksudoglu, “Ottoman history based mainly on Ottoman sources”; International Islamic University, Malaysia, 1993, f. 4-9.

[19] Bedrush Shehu, “Çështja shqiptare në vitet 30 të shek. XX”; Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë 1990, f. 35.

[20] Po aty, f. 51.

[21] Më gjerësisht shih librin e Nesim P. Alpan Kaci, “Shqiptarët në Perandorinë Osmane”; Albin, Tiranë 1997, 35, 41, 125; Sami Frashëri, “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e çdo të bëhetë”; f. 36.

[22] Skender Rizaj, “Kosova gjatë shekujve XV-XVI-XVII, administrata, ekonomia, shoqëria dhe lëvizja popullore”; f. 283-284.

[23] Po aty, f. 471-472.

[24] Hysamedin Feraj, “Skicë e mendimit politik shqiptar”; f. 53; Shefqet Dibrani, “Feja në shërbim të kombit”-në: www.yahoogroups.com/feja në shërbim të kombit; Ali M. Basha, “Islami në Shqipëri gjatë shekujve”; f. 19.

[25] Po aty, f. 56. Po ashtu shih më gjerësisht në: The truth on Kosova”; the Academy of Sciences of the Republic of Albania, Institute of History, Encyclopedia publishing house, Tirana 1993; Milan Suflay, “The Illyrians, the Albanians and the Sllavs, problems of continuity and symbiosis”, 71; E. Pllana, “The Deportation of Albanians from the territory of Sancjak, of Nish, of Kosova”; 73; Z. Shtylla, “The Deportation of Albanians in Yugoslavia after the Second World War 1950-1966”; 222; Vaso Çubriloviq, “The Problem of minorities in the new Yugoslavia”; 30; Poullton Hough and Farouki; Suha Taji, “Muslim identity on the Ballkan state”; 168-169.

[26] Gjergj Gashi, “Arbëria dhe Vatikani”; 9; Nicollas Costa, “Albania an European Enigma”; 8; Stavro Skendi, “Zgjimi Kombëtar Shqiptar”; Phoenix,Tiranë, 1967,17.

[27] Apeli ynë për nje rilexim të ri dhe rianalizë të re të historisë shqiptare është vazhdim dhe konfirmim i apelit të historianit dhe dijetarit tonë të respektur prof. dr. Muhamet Pirraku, i cili qëmoti ka bërë thirrje për rileximin e historisë dhe rishkrimin e saj në një frymë të re, në veprën e tij që është disertacion doktorature, të shkruar në vitin 1989 me titull:”Kultura kombëtare shqiptare deri në Lidhjen e Prizrenit”; f. 32.

[28] Kjo hyrje historike e këtij disertacioni është një studim i yni nga këndvështrimi dhe pikëpamja islame, e që është i pari deri në momentin kur po shkruhen këto rreshta ( viti 2000-2003 ) i mbështetur në në burime të njohura historike autentike shqiptare në radhë të parë e pastaj edhe në gjuhë tjera. Ky studim historik është hap i parë në të kuptuarit e drejtë të çështjeve që do t’i shqyrtojmë në këtë disertacion. Unë do të përpiqem që t’i shpjegoj të vërtetat historike sipas këndvështrimit islam, dhe vetëm Zoti e di se sa vështirë e kisha që ta rilexoj historinë tonë të lashtë dhe atë bashkëkohore dhe ta rianalizojë për të kuptuar të vërtetën. Unë përfitova rezultate të jashtëzakonshme dhe pozitive, dhe e kuptova dorën e zezë që ndikoi në privimin e historisë sonë shqiptare nga shqyrtimi i faktorit fetar islam që nga Mesjeta e deri më sot. Faktori fetar islam është neglizhuar dhe margjinalizuar në tërësi, ndërsa historianët të tjerë qofshin ata kinez, japonez, rus, serb, gjerman, anglez,  madje dhe qka është me karakteristike edhe historianët shqiptarët katolik, nuk e kanë neglizhuar faktorin e tyre fetar gjatë studimeve të historisë shqiptare. Unë mbroj qëndrimin se sikur të studiohej historia e shqiptarëve nga ky aspekt i ri, do të përfitonim rezultate të reja të ndritshme e të vlefshme për gjeneratat tona të ardhshme, dhe kjo metodë e re kishte me ndikuar pozitivisht në përmirësimin e botëkuptimeve të devijuara shqiptare rreth Islamit dhe muslimaneve!

[29] Fjalët në kllapa janë komenti im dhe kisha për qëllim konfirmimin e kësaj dukurie që vërehet te shqiptarët.

[30], Justin McCarthy, “Death and Exile-the ethnic cleansing of Ottoman Muslims”; 1821-1922, USA, 3rd  Printing 1999, 1-10.

[31] Po aty, f. 43.

[32] Hysamedin Feraj, “Skicë e mendimit politik”;  46.

[33] Bedrush Shehu, “Çështje kombëtare shqiptare në vitet 30 të shek. XIX”; 5.

[34] Muhamet Pirraku, “Kultura kombëtare”; 49.

[35] Kjo thënie nuk është e vërtetë, dhe natyrisht ne nuk e pranojmë këtë thënie, dhe ajo s’ka as bazë logjike dhe as fetare, por përkundrazi e denoncojmë fuqishëm këtë shprpehje kriminal ndaj religjionve hyjnore në përgjithësi.

[36] John Swire, “Albania-the rise of a Kingdom:”; f. 34-40; Mehdi Polisi, “Sami Frashëri”; vepra 9-“Personalitetet shqiptare në Kamusul-A’lam”; Logos-A, Shkup 1994, 33.

[37] Bektashizmi është sekt (tarikat) sufist i devijuar. Hulumtuesi ka një punim shkencor rreth këtij tarikati dhe parimeve të tij në gjuhën angleze me titull:“The bektashi Sufi Order – General Survey of its History and Doctrines “.

[38] Georges Castellan, “Histori e Ballkanit, shek. XIV-XX”; Çabej, Libra për një shoqëri të hapur, Tiranë 1991; f.128.

Burimi

0
Shopping Cart (0 items)