Furqan LeadershipFurqan LeadershipFurqan Leadership

Në hyrjen e librit të tij: “Kur’ani dhe shkenca bashkëkohore”, theksohen çështjet e rëndësishme që i shqyrton autori, duke vënë disa parime mbi të cilat vijojnë rezultatet e mëvonshme. Natyra e hyrjeve të tilla ka të bëjë me argumentimin e ekzistimit dhe autenticitetit të metodës bashkëkohore shkencore si doktrinë e re për t’i kuptuar ajetet kur’anore që kanë kuptime shkencore.

Autori në hyrje thekson ajetin kur’anor:

“Ne do t’u bëjmë atyre të mundshme që të shohin argumentet Tona në horizonte dhe në veten e tyre deri që t’u bëhet e qartë se ai (Kur’ani) është i vërtetë. A nuk mjafton që Zoti yt është dëshmitar për çdo gjë ?”[1]

Pas theksimit të këtij ajeti, autori potencon edhe disa çështje tjera, të cilat mund të radhiten në pikat vijuese, për ta kuptuar metodën e autorit. Në këtë kontekst, ai thotë: “Ai që studion Kur’anin Famëlartë me sinqeritet dhe seriozitet, i çliruar nga përkufizimet e mëparshme e të errëta ideologjike, do të zbulojë pasuri ari dhe do ta kuptojë të vërtetën shpirtërore, kulturore e qytetëruese që ka sjellë Islami. Së pari, unë ju konfirmoj se Kur’ani Famëlartë nuk është libër shkencor që hulumton imtësitë dhe hollësitë e shkencës. Ky është Libër i Zotit të Madhërishëm, Krijuesit të qenieve dhe është e natyrshme që ky Libër t’i hulumtojë çështjet e krijimit dhe sistemit preciz në këtë gjithësi të gjerë, këtë koherencë të çuditshme në tokë, dete, oqeane e në vetë qenien e njeriut. Në këtë kontekst, Zoti i Madhërishëm thotë:

“Në krijimin e qiejve e të tokës, në ndryshimin e natës dhe të ditës ka argumente të [2] qarta për ata që kanë arsye dhe intelekt”. [3]

Pastaj vazhdon dhe flet për disa çështje të rëndësishme për të cilat flet Kur’ani Fisnik qysh para katërmbëdhjetë shekujsh në mënyrë të shkurtër apo të zgjeruar. Kur’ani flet për krijimin e Gjithësisë që kur ishte si top zjarri, mbi yjet, kometet, sistemet diellore, tokën, hënën, etapat e krijimit të njeriut, llojet e kafshëve, rrotullimi i tokës rreth vetes dhe rreth Diellit, parimet e moralit njerëzor dhe shoqëror etj. [4]

Autori mbron tezën e atyre që thonë se Kur’ani Fisnik nuk ka zbritur që të jetë libër kozmologjik, gjeografik, kimik, mjekësor, por ka zbritur që të jetë Libër i imanit në Zotin e Madhërishëm dhe Libër i udhëzimit për të gjithë njerëzit.

Në momentin kur arsyeton dhe mbron këtë aspekt themelor, ai mbron edhe mendimin e atyre që thanë se ekzistojnë shumë çështje shkencore dhe mrekulli për të cilat ka folur Kur’ani gjatë kohë më parë, kur shkenca moderne s’kishte mundësi dhe ishte e paaftë që t’i kuptonte të vërtetat e tilla.[5] Mbi precizitetin e definicionit të shkencës, teorisë e hipotezës, ai thotë: “Shkenca është çështje që mund të verifikohet, fillon nga një teori ose hipotezë që argumentohet me fakte dhe konfirmohet apo përgënjeshtrohet nëpërmes eksperimentit. Shumë herë zhvlerësohen hipotezat e mëparshme dhe nuk mund të konfirmohet asgjë nëpërmes metodës së eksperimentit”.[6]

Rreth përputhshmërisë së Kur’anit dhe shkencës thuhet se të dyja ecin bashkë në një rrugë të njëjtë dhe në një vijë të përbashkët, si dy binjakë. Sot shkenca është bërë ndihmuese më e mirë për kuptimin e tekstit kur’anor dhe përderisa Zoti i Madhërishëm është Krijuesi i të gjitha shkencave dhe njohurive, atëherë Libri i Tij do të ketë mundësi që t’u përballojë të gjitha sfidave në çdo kohë.

Ai është libër i mrekullisë eternale në këtë jetë, i sfidon të gjithë njerëzit dhe se Islami është shok i afërt dhe i sinqertë i shkencës dhe diturisë, ashtu siç thotë Zoti i Madhërishëm:

“Allahu vërtetoi se nuk ka zot tjetër përveç Tij, e dëshmuan edhe engjëjt e dijetarët, dhe se Ai është zbatues i drejtësisë. Nuk ka zot përveç Tij, Fuqiplotit e të Urtit”.[7] Edhe në një ajet tjetër thuhet:

Ai i dhuron urtësinë atij që do e kujt i është dhënë urtësia, atij pra i është dhuruar mirësi e madhe,[8] përveç të mençurve, këtë nuk e kupton kush“.[9]

Autori është në dijeni të plotë për vështirësitë me të cilat do të ballafaqohet gjatë tefsirit (komentimit) të Kur’anit Fisnik. Ai deklaron se komentimi shkencor i Kur’anit nuk është gjë e lehtë, dhe se komentuesi duhet të ketë njohuri të mjaftueshme për ta aplikuar këtë art, dhe këto fjali i argumenton me thënien e hulumtuesit dhe dijetarit të njohur francez dr. Maurice Bucaille: “Secili njeri që dëshiron të kuptojë Kur’anin në mënyrë të vërtetë, patjetër duhet të posedojë njohuri enciklopedike”.[10]

Kjo është një hyrje e shkurtër e autorit, para se të kalojë në rrethanat historike të këtij arti dhe në periudhat e zhvillimit të tij që nga koha e Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) e deri më sot. Ai thekson se pasi Pejgamberi ndërroi jetë, tefsirin e udhëhiqnin katër Hulefai-Rashidinët, Abdullah ibën Mes’udi, Ubej ibn Ka’bi, Zejd ibn Thabiti, Ibn Abasi, etj. Pas kalimit të tre dekadave ideale, shkenca e tefsirit u zhvillua dhe kaloi në periudha tjera, si p.sh., periudha tradicionale, periudha racionale, pastaj periudha shkencore e tefsirit. Në kohën e progresit shkencor, në periudhën abaside, dolën në pah personalitete të njohura në tefsirin e Kur’anit Fisnik.

Në këtë periudhë po ashtu u dalluan edhe personalitete tjera shkencore në shumë lëmi fetare e filosofike, si p.sh., Imam Gazaliu, Shejh Ebu El-Fadli el Mersi dhe më vonë Imam El-Hafidh Xhelaluddin Es-Sujutiu.

Më vonë në kohën bashkëkohore, vërejmë edhe personalitete tjera shkencore në tefsir, si p.sh., Xheuheri Tantavi dhe Shejh Muhamed Abduhu, ndërsa si hulumtues u dalluan Nedim El-Xhisër, Mustafa Mahmud, Maurice Bucaille, etj.[11]  Pas kësaj, autori vazhdon të definojë tefsirin shkencor dhe në këtë kontekst thotë: “Me këtë nënkuptohet që njeriu të përdorë gjatë tefsirit të Kur’anit terminologji shkencore moderne”.[12] Kjo lëvizje në tefsir ka ekzistuar në të kaluarën në shkrimet e dijetarëve që njiheshin me klauzolën: “Thënie mbi përmbajtjen e të gjitha shkencave në Kur’an”, qofshin shkenca të kohës së tyre ose shkenca që do të zbulohen më vonë, dhe prijës i kësaj lëvizjeje, s’do mend që ishte Imam Gazaliu, i cili në librin e tij enciklopedik”Ihjau Ulumiddin”, transmeton thënien e Ibn Mes’udit r.a.: “Kush dëshiron diturinë e të parëve dhe të më vonëve, le të vrojtojë rreth Kur’anit” [13]

Përpos kësaj, autori vazhdon të rrëfej për Imam Gazaliun dhe kontributin e tij në këtë shkencë duke thënë: “Të gjitha shkencat merren nga një det, nga deti i diturisë së Zotit të Madhërishëm. Ky det është vepër e Zotit të Madhërishëm dhe s’ka breg, dhe sikur të ishte ngjyrë për Fjalët e Zotit do të thahej deti para se të përfundonin Fjalët e Allahut. Nga veprat e Zotit është edhe sëmundja dhe shërimi, dhe në këtë kontekst, kur flet për Ibrahimin a.s. Zoti i Madhërishëm thotë:

 “Dhe kur sëmurem, ai më shëron“.[14] Këtë det të Zotit e kupton ai që kupton medicinën, ngase medicina i njeh sëmurjet në përgjithësi, i njeh shenjat dhe simptomat e sëmurjes, mënyrën e shërimit dhe pasojat e tyre“.[15]

Pastaj autori vazhdon për Imam Gazaliun dhe thotë: “Nga veprat dhe krijimet e Zotit është përcaktimi i pozicioneve të diellit dhe hënës, dhe s’mund të dijë një gjë e tillë përpos atij që njeh këtë shkencë, e cila sot është shkencë në vete, si p.sh., astronomia dhe astrologjia. Njeriu nuk mund të kuptojë ajetin kur’anor

 “O ti njeri, po ç’të mashtroi ty kundrejt Zotit tënd që është bujar e i urtë? I cili krijoi, të përsosi dhe të drejtoi, të dha formën që Ai dëshiron”,[16] vetëm nëse njeh morfologjinë e organeve, anatominë dhe histologjinë.

Çështjea e tefsirit shkencor apo përmbajtjes së Kur’anit shkenca të parëve e të vonshmëve, ka qenë preokupim edhe Imam Sujutit, i cili mendonte njësoj si Imam Gazaliu. Imam Sujuti fillon fjalën e tij në “El-Itkan” me ajetin kur’anor:

“Asgjë nuk kemi lënë pas dore nga evidenca.”[17], dhe me ajetin:

“Ne ty të shpallëm Librin sqarim për çdo send”,[18] dhe me disa hadithe të Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), si p.sh., hadithin që e ka transmetuar Imam Tirmidhiu dhe të tjerët se Pejgamberi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Do të ndodhin fitne”, dhe kur e kanë pyetur: “Cila është rrugëdalja, o Pejgamber i Zotit?” Pejgamberi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) u ka thënë: “Libri i Zotit, në te keni informata për të kaluarën dhe për ata pas jush dhe vendim për ju.” [19]

Në një hadith tjetër, Pejgamberi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) thotë: “Sikur të mos dinte Zoti diçka, nuk do të dinte për grimcat, karkalecin dhe mushkonjën”.[20] Prof. dr. Ali Iljazi i thekson fjalët e Imam Sujutit dhe Imam Gazaliut për të përforcuar metodën dhe qëndrimin e tij ndaj kësaj çështje. Në mesin e dijetarëve të vonshëm, të cilët konfirmojnë ekzistimin e doktrinës shkencore në tefsir është edhe Shejh Muhamed Abduhu, i cili thotë se elektriciteti, telefoni dhe treni elektrik nënkuptohen nga ajeti kur’anor:

“Ose (shembulli i tyre është) si ndonjë shi i rreptë prej së larti në errësirë, me bubullimë [21] e me vetëtimë, e prej frikës së vdekjes, nga rrufeja ata vejnë gishtat në veshët e tyre”.[22]

Pastaj vazhdon e thekson fjalët e dr. Mustafa Mahmudit rreth kësaj çështje, dhe thotë: “Në Kur’anin Fisnik ka shumë ajete që argumentojnë se Islami është fe e shkencës, qytetërimit dhe përparimit. Zbulimet e reja shkencore na ndihmojnë shumë në komentimin e ajeteve të tilla. Ajetet që flasin për astronominë dhe gjithësinë komentohen në bazë të zbulimeve të reja. Kur’ani nuk është vetëm Libër i Sheriatit ose Besimit, e as nuk përfshihen aty vetëm aspektet stilistike, retorike e gramatikore. Kur’ani Fisnik është enciklopedi e madhe shkencore që i përmbledh parimet e moralit, politikës, psikologjisë, sociologjisë, historisë, medicinës, filosofisë dhe biologjisë.

Ata më kundërshtuan dhe më sulmuan kur u përpoqa ta komentoj tefsirin kur’anor në bazë të racios dhe intelektit shkencor, si dhe kërkuan prej meje diplomë nga Az’hari, sikur Kur’ani ka zbritur që vetëm ata ta komentojnë, ngase të tjerët s’kanë aftësi për një gjë të tillë”.[23]

Unë mendoj se fjalët e dr. Mustafa Mahmudit nuk pranohen në përgjithësi, ngase ata që kanë kërkuar prej tij diplomë Az’hari, kishin për qëllim që komentuesi të ketë mësuar nga dijetarët e mëdhenj të Az’harit të nderuar. Këtu qëllimi është se njohuritë e sakta të Sheriatit i ndihmojnë komentuesit ta kuptojë Librin e Zotit të Madhërishëm e jo diploma dhe fesi. Fesi nuk ndihmon në komentimin e Librit të Zotit të Madhërishëm në asnjë mënyrë, por është vetëm uniformë e njohur islame, kurse diploma vërteton se ke mësuar nga dijetarët e tillë dhe ke përfituar prej tyre. Ata kishin për qëllim faktin se shkenca e vërtetë mundëson hulumtimin e Librit të Zotit të Madhërishëm.

Pas kësaj hyrje të rëndësishme, autori ua sqaron lexuesve faktin se ekzistojnë edhe aspekte tjera shkencore që janë pjesë e studimit të Kur’anit, si p.sh., aspektet retorike, stilistike, të koncepteve, kreative, formale, mrekullie, të Sheriatit, rrëfime, psikike, strukturale, konsensuse, metodologjike, muzikore, melodike, estetike e artistike.[24]

Aspekti shkencor është po ashtu pjesë e aspekteve të tilla, dhe pikërisht ky aspekt i intereson më shumë autorit të librit. Autori flet me objektivitet edhe për aspektet e tjera, e jo vetëm për këtë aspekt të Kur’anit. Edhe pse ekzistojnë përpjekje të shumta njerëzore për zbulimin e thesarit dhe margaritarëve nga Libri i Zotit të Madhërishëm, Kur’ani vazhdon të jetë Kur’an Fisnik, ngase është Fjalë e Zotit të Madhërishëm, që është Cilësi e përhershme e Madhërisë së Tij, mesazh i përhershëm e i saktë dhe i pastër nga çdo lloj antagonizmi.[25]

Duka i pasur parasysh hulumtimet e shumta shkencore që janë realizuar rreth Kur’anit dhe duke i marrë parasysh njohuritë e thella e të gjera të autorit, nuk mund të analizoj çdo punim të tij, por me lejen e Zotit, do të përpiqem që t’i theksoj disa hulumtime shkencore të rëndësishme të prof. Ali Fahri Iljazit, duke i ilustruar me shembuj dhe citate rreth metodës së tij në koment e tefsir, për të konfirmuar natyrën shkencore eksperimentale të studimeve të tij të Kur’anit Fisnik. Nëpërmes të kësaj ekspozeje do ta paraqes së pari metodën e tij në tefsir, e pastaj do të vijoj me vështrimet e mia kritike ndaj metodës së tij.

 

Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA

TEFSIRI DHE MUFESSIRËT SHQIPTARË NË KOHËN BASHKËKOHORE
(SHEK 19-20)

[1] Fussilet, 53.

[2] Ali Imran, 190.

[3] Dr. Ali Iljazi, “Kur’ani dhe shkenca bashkëkohore”; 7.

[4] Po aty, f. 8.

[5] Po aty, f. 8.

[6] Po aty, f. 8.

[7] Ali Imran, 18.

[8] El Bekare, 269.

[9] Po aty, f. 9.

[10] Po aty, f. 10.

[11] Po aty, f. 12.

[12] Ky definicion i tefsirit shkencor nuk pranohet dhe këtë do ta sqarojmë më vonë.

[13] Po aty, f. 12.

[14] Esh Shu’ara, 80.

[15] Po aty, f. 11-12, edhe autori nuk thekson vendin prej ku e ka marrë citatin nga libri “Ihjau ulumid-din” as vëllimin e as faqen, dhe ky padyshim është një lëshim i madh metodologjik.

[16] El-Infitar, 6-8.

[17] El-En’am, 38.

[18] En-Nahl, 89.

[19] Këtë hadith me këtë shprehje nuk e kam gjetur te Imam Tirmidhiu. Në versionin e Tirmidhiut në “Sunenin” e tij, nr. 2195 thuhet “Kapitulli rreth asaj se do të ndodhin fitne si nata e errët”. Shih: “Muhamed ibn Isa Ebu Isa Et-Tirmidhi Es-Sulmij”; recensoi Ahmed Muhamed Shahin dhe të, tjerë Bejrut, Daru ihjait-turathil-arab, vëll. 4, f. 487.

[20] Po aty, f. 13; Shih po ashtu “El-Ithun fi ulumil-Kur’an”; vëll. 3, f. 136.

[21] El Bekare, 19.

[22] Po aty, f. 14.

[23] Po aty, f. 14, cituar nga “El-Kur’anu Muheveletun li fehmin asrijjin”, Mustafa Mahmud. Autori nuk ka theksuar faqen prej ku e ka marrë citatin dhe ky gjithashtu është lëshim metodologjik i pa falshëm, ngase në këtë mënyrë është e pamundur të përcjellim me saktësi burimet e transmetimit të citateve.

[24] Po aty, f. 15-19.

[25] Po aty, f. 20.

Burimi

0
Shopping Cart (0 items)