Furqan LeadershipFurqan LeadershipFurqan Leadership

Pas kësaj pasqyre të rëndësishme radha është të trajtojmë mendimet e hulumtuesve dhe të shkencëtarëve rreth personalitetit të liderit të rekomanduar për post.

Pothuajse të gjithë hulumtuesit janë të pajtimit se termi personalitet nënkupton një strukturë të integruar tiparesh dhe vetish fizike e mendore, të trashëguara (gjenetike) ose të fituara, (të mësuara me studim apo trajnim)[1]

Pra, me termin “personalitet” nënkuptojmë:

Sasinë kolosale të sjelljeve dhe të veprimeve të jashtme (dukshme, në njërën anë) dhe të ideve, besimeve dhe bindjeve të brendshme (në anën tjetër), si rezultat i të të mësuarit dhe edukimit në një ambient me kultura, besime dhe ide të ndryshme, të gabuara apo qëlluara qofshin, pavarësisht nëse janë shfrytëzuar mirë apo keq. Ky është përshkrimi i shprehjes “personalitet”.

Bazuar në këtë të vërtetë komplekse përkitazi me çështjen e personalitetit, studiuesit kanë dhënë mendime të ndryshme mbi përkufizimin e tij, përcaktimin e dimensioneve, parametrave, komponentëve, llojeve, faktorëve që ndikojnë në të dhe teorive të tij.

Në vazhdim do të prezantojmë disa përkufizime nga debatet e zhvilluara rreth tyre, për të përzgjedhur më pas atë që e shohim si përkufizim të qëlluar.

 

Përkufizimet e personalitetit individual

Përkufizimi i Neim Rifai- Grup tiparesh të cilat mund të zbulohen, përshkruhen dhe t’i nënshtrohen analogjisë.

Përkufizimi i Morton Prince- Personaliteti është shuma totale e të gjitha gjendjeve të lindura biologjike, prirjeve impulsive dhe instinkteve të individit, duke shtuar këtu edhe tendencat dhe prirjet e fituara nga përvoja.

Përkufizimi i Gordon Allport- Organizimi individual dinamik shpirteror dhe fizik që përcakton përshtatjen e tyre unike me mjedisin e tij.

 

Sigurisht, definicione të personalitetit ka shumë, por mua personalisht këto tre definicione më bëjnë më shumë përshtypje. Vështruar sipas përmbajtjes, definicioni i Morton Prince më duket më i qëlluari, për shkak të përfshirjes së shumicës së komponentëve që përbëjnë personalitetin e njeriut në njërën anë dhe përjashtimit të elementeve të huaja, të cilat nuk janë në vullnetin dhe mundësinë e njeriut (gjatësia, ngjyra, gjuha, etj.) në anën tjetër. Megjithëkëtë, nuk mund të them se ky definicion më ka bindur plotësisht! Përgjatë analizimit të mendimeve dhe trajtesave mbi këtë çështje dhe personalitetin  në përgjithësi, kam ardhur tek një definicion tjetër, gjithëpërfshirës, më të pranueshëm dhe më të kapshëm për lidershipin dhe ky është:

Sasia kolosale dhe komplekse e tipareve të sjelljeve të jashtme (nga njëra anë) dhe ideve, besimet dhe ndjenjat e brendshme me të cilat ka lindur njeriu (nga ana tjetër), kulturat, shkathtësitë dhe dijet e përvetësuara në ambiente të ndryshme, pavarësisht nëse janë pozitive apo negative dhe pavarësisht nëse shfrytëzohen për të mirë apo keq. Ky është definicioni i personalitetit, dhe  Allahu e di më së miri!

Nëse kemi kuptuar definicionin e personalitetit dhe elementet përbërës të tij, atëherë dimë dhe për një fuqi, kapacitet gjigand që ka njeriu, për të cilin vetëm Allahu si Krijues e di! Mundësia e njeriut për t’i keqpërdorur këto fuqi do të ishte e madhe po të mos mbikëqyrej nga Allahu! Këtu, natyrshëm, lindin pyetjet:

  • Çfarë ndikon pozitivisht e çfarë negativisht në zemrën dhe mendjen e njeriut, kësaj krijese të çuditshme e komplekse?
  • Çfarë e shtyn të lëviz sa djathtas, sa majtas?
  • Çfarë ndikon në vendimet e tij, të cilat herë janë të qëlluara e herë të gabuara?

 

Komponentët dhe parametrat e personalitetit individual

Kjo pjesë ka një lidhje të fuqishme me pjesën paraprake për shkak të aspektit plotësues që paraqet përkitazi me faktorët që ndikojnë në personalitetin individual, qoftë në ndjenja, qoftë në ide e mendime. Pikërisht mbi bazën e këtyre faktorëve bëhet edhe vendimmarrja dhe marrja e qëndrimeve.

Në këtë pjesë do të bëjmë fjalë për komponentët e jashtëm dhe të brendshëm të personalitetit. Nga aspekti i jashtëm dhe formal, personaliteti ka dimensione dhe tregues fiziologjik, sikur që nga aspekti i brendshëm ka dimensione dhe tregues emocional e shpirtëror. Personaliteti ka edhe dimensione shoqërorë e humanë nga aspekti i raporteve shoqërore, sikur që ka dimensione dhe tregues logjik e mendor nga aspekti i kualitetit në marrjen e vendimeve. Së këndejmi, e kemi të domosdoshme që gjatë trajtimit të personalitetit, këtyre dimensioneve dhe aspekteve t’u kushtojmë vëmendjen e duhur[3], sidomos kur t’i aplikojmë me rastin e propozimit apo përzgjedhjes së ndonjë personi për një pozitë të caktuar. Kjo për shkak se marrja e vendimit është produkt i bashkëveprimit ndërmjet këtyre tipareve, parametrave dhe treguesve ndërmjet vete[4].

 

Dimensionet e personalitetit

  • Dimensioni fiziologjik (Për qëllim janë vlerat, traditat dhe zakonet që individi i fiton në shoqërinë ku jeton. Ky dimension përfshin aspekte të besimit, moralit dhe civilizimit.)
  • Dimensioni shoqëror (Nënkupton formimin fizik si një sistem unik dhe i integruaar për të cilin njihet individi. Prej këtij degëzohen edhe nënsisteme, si sistemi i shqisave dhe sistemi i muskujve.)
  • Dimensioni logjik( Nënkupton aftësinë e individit për t’i shfrytëzuar kapacitetet logjike në studimet e tij, në anlizimin dhe vlerësimin e fenomeneve, në pengesat me të cilat ballafaqohet. Ky dimension ka lidhje me zgjuarsinë dhe arsimimin.)
  • Dimensioni emocional(Nënkupton anën emocionale, ndjenjat, humorin me të cilin disponon individi duke bërë që në sjelljet e tij të shfaqet dimensioni mbizotërues.)

 

Këto pra janë dimensionet e personalitetit të cilat e udhëheqin njeriun dhe ndikojnë në marrjen e vendimeve të tij. Rëndësia e diskutimit mbi këto çështje lidhet direkt me rëndësinë që ka zgjedhja e një lideri. Para se ta përzgjedhim një lider, na duhet detyrimisht ta analizojmë personalitetin e tij të jashtëm dhe të brendshëm, gjegjësisht të merremi me bindjet, idetë, dijen, sjelljet, etikën dhe respektin që gëzon dhe të shikojmë se sa përputhen ato mes vete. Vetëm pas kësaj mund të vendosim për dikë nëse është i denjë ose jo për të na udhëhequr.

 

Domosdoshmëria e përputhjes ndërmjet:

  • personalitetit të brendshëm (aspekti intelektual, doktrinar dhe shkencor), dhe
  • personalitetit të jashtëm (aspekti i sjelljes, etikës dhe profesionit)

 

 

Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA

LIDERSHIPI I SUKSESSHËM (sipas vizionit kur’anor dhe studimeve bashkëkohore)


[1]Utejbi, Nevvaf bin Sefer bin Muflih, El-enmat el-kijadije, vep. cit.,  f. 71. Shih po kështu:  Al Thani, Fejsal bin Xhasim, El-kijadetu ve etheruha fi kesbi el-vela, (Rijad: Dar Vuxhuh en-neshr ve etteuzië, 2013), f. 54.

[2]Utejbi, Nevvaf bin Musfir bin Muflih, El-enmat el-kijadije, vep. cit.,  f. 71-73. Shih po kështu:  Al Thani, Fejsal bin Xhasim, El-kijadetu ve etheruha fi kesbi el-vela, vep. cit., f. 187-246.

[3]Shih: Hisham Talib, Delil et-tedrib el-kijadij, vep. cit., f. 52-56; 71; Utejbi, El-enmat el-kijadije, vep. cit., f. 70-72. Shih po kështu: Al Thani, Fejsal bin Xhasim, El-kijadetu ve etheruha fi kesbi el-vela, vep. cit., f. 201-257.

[4]Shih: Hisham Talib, Delil et-tedrib el-kijadij, vep. cit., f. 63-73; Utejbi, El-enmat el-kijadije, vep. cit.,  f. 85-87. Shih po kështu:  Fejsal bin Xhasim, El-kijadetu ve etheruha fi kesbi el-vela, vep. cit., f. 57-64. Shih edhe: Kubejsi, Muhammed Ajjash, Enmat esh-shahsijjeti ve ishkalat el-kijadeti ve et-terbijjeti fi el-ameli el-islamijji el-muasir, (Dar Usame li en-nesh ve et-teuzië).

Burimi

0
Shopping Cart (0 items)