Furqan LeadershipFurqan LeadershipFurqan Leadership

 

Transmetohet nga Ebu Hurejre r.a. se Muhamedi a.s. ka thënë:

“Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im! Nuk mund të hyni në xhenet derisa të mos jeni besimtarë dhe nuk do të jeni besimtarë derisa të mos duhemi në mes vete. A dëshironi që t’ju tregoj për një gjë, që nëse e punoni do të hyni në xhenet?… Jepni selam në mes vete.” [Muslimi-Tirmidhiu-Iben Maxhe-dhe Ebu Davudi.]

Muhamedi a.s., me këtë hadith të tij, na këshillon që të duhemi në mes vete dhe, po ashtu, ai na tregon se mënyra apo metoda më e sigurt për ta realizuar këtë qëllim të lartë është dhënia e selamit.  

Të gjithë dijetarët e din-it islam janë të mendimit se një prej shenjave më të dukshme të fesë islame është dhënia e selamit, prandaj preferohet që kur muslimani të takojë vëllanë e tij musliman ta përshëndesë atë me selam. Kthimi i selamit është vaxhib, ndërsa kush nuk e kthen selamin është mëkatar.

Ai i cili i jep dikujt selam e ka shpërblimin tek Allahu xh.sh. më shumë se ai që e kthen selamin, edhe pse dhënia e selamit është synet (e preferuar), ndërsa marrja e selamit apo kthimi i tij është vaxhib (i detyrueshëm).   

Dijetarët (fukahatë) e sheriatit kanë treguar se ky rast është një prej disa rasteve ku syneti (dhënia e selamit) e ka shpërblimin më të madh tek Allahu xh.sh. se vaxhibi (kthimi i selamit).

Sa i përket urtësisë dhe shkakut, se përse Allahu xh.sh. e ka preferuar për ne  këtë simbol islam të rëndësishëm, shihet qartë se një prej veprave që e shton dashurinë, mirëkuptimin, vëllazërinë dhe që i pastron zemrat nga xhelozia dhe armiqësia është dhënia e selamit.

Këtë çështje mund ta ilustrojmë edhe me një shembull konkret shumë të logjikshëm.

Po të kishim rastin të shihnim një lumë apo një ujë që rrjedh vazhdimisht në një vend, a kishte për të mbetur ndonjë ndyrësi në shtratin ku kalon uji apo lumi? Pa dyshim se jo. Po ashtu është rasti edhe me dhënien e selamit dhe përhapjen e tij në mesin e muslimanëve. Kur dhënia e selamit bëhet sinqerisht dhe me qëllime të mira në rrugë, në treg e kudo, atëherë edhe zemrat e muslimanëve pastrohen nga çdo veti e keqe, sikurse shtrati i lumit që pastrohet me ujë.

Pa dyshim se muslimanët e kanë harruar këtë moral të rëndësishëm islam, mirëpo po të ishin ndalur për të logjikuar pak për domethënien e fjalës apo shprehjes ‘es-selamu-alejkum’, kur muslimani e përshëndet vëllanë e tij, qoftë nëse e njeh apo jo, në rrugë, xhami, treg; dhe pastaj për përgjigjen ‘ve alejkumus-selam’ kishin për të parë, se cilësia që i  dallon muslimanët nga të tjerët është kjo dhënie e selamit, që do të thotë: ‘Paqja, mëshira dhe siguria qoftë mbi ju’. Kështu kish për t’u realizuar paqja e vërtetë në mesin e muslimanëve dhe nuk kish për të pasur armiqësi dhe xhelozi në mes  tyre.

Besimtari duhet ta dijë dhe ta përkujtojë vazhdimisht fjalën e Muhamedit a.s. se: ‘Muslimani është vëlla i muslimanit, nuk guxon që t’i bëjë atij zullum (padrejtësi), nuk guxon që atë ta dorëzojë në dorë të armikut, nuk guxon ta poshtërojë atë etj.’

Kjo ide apo ky kuptim ndonjëherë nuk i kujtohet besimtarit, për shkaqe të ndryshme, mirëpo kur ta përmendë fjalën ‘es-selamu-alejkum’ atij i kujtohet ai kuptim i rëndësishëm dhe ajo këshillë e Muhamedit a.s., që e lidh atë me vëllanë e tij musliman, dhe kur edhe ai tjetri e kthen përgjigjen ‘ve-alejkumus-selam-ve-rahmetullah’ –  ‘po ashtu paqja e Allahut xh.sh. dhe mëshira e Tij qoftë mbi ju’, me këtë përgjigje vërtetohet dashuria në mes të dyve dhe të dyve ju kujtohet hadithi i Muhamedit a.s. dhe kjo konsiderohet si përtëritje e kontratës së paqes në mes të dyve.

Mu për këtë arsye din-i islam na ka mësuar që të përsëritet dhënia e selamit sa herë që përsëritet takimi në mes dy besimtarëve. Ja se çfarë thotë Muhamedi a.s. në këtë hadith:

Nëse dikush prej jush e takon vëllanë e tij musliman, le t’i japë atij selam. Edhe nëse e takon pas ndonjë muri a lisi, përsëri le t’i japë atij selam’. [Transmetuar nga EBU DAVUDI.] 

Mu për këtë arsye duhet që muslimani të largohet nga përshëndetjet e jobesimtarëve e t’i kthehet përshëndetjes me të cilën na ka mësuar Allahu xh.sh., në mënyrë që të realizohet lidhja vëllazërore, paqja dhe dashuria në mes nesh. 

Prof.Dr.Muhamed Said Ramadan el Buti – FSHEHTËSITË E DISA LIGJEVE KUR’ANORE

Burimi

0
Shopping Cart (0 items)