Furqan LeadershipFurqan LeadershipFurqan Leadership

 

Kur’ani Fisnik nuk është shpallur përnjëherë, por i ndarë sipas ngjarjeve dhe  rrethanave. Shpallja e tillë përmbante në vete parime, fshehtësi, leksione dhe mësime, për  të cilat do të kisha folur gjerë e gjatë sikur të mos ishte natyra e kufizuar e këtij studimi.

Zoti i Madhëruar thotë:

“E ata që nuk besuan thanë: “Përse të mos i ketë zbritur atij  (Muhammedit) Kur’ani përnjëherë?” Ashtu (e zbritëm pjesë-pjesë) që me të ta forcojmë  zemrën tënde dhe Ne e sollëm atë ajet pas ajeti (dalëngadalë).” (Furkan, 32) “Të pyesin ty për shpirtin. Thuaj: “Shpirti është çështje që i përket vetëm Zotit tim, e  juve ju është dhënë fort pak dije.” (Isra, 85)

Zbritja e shpalljes vazhdoi 23 vjet në të dy periudhat, në atë mekase e medinase.  Shkenca e ajeteve mekase e medinase nuk ka ekzistuar fare në kohën e Pejgamberit a.s.,  sepse ata ishin dëshmitarë dhe ishte e natyrshme që nuk kishin nevojë për një çështje të  tillë. Pra, si të ndodhte një gjë e tillë kur ata e shihnin zbritjen e shpalljes, vendin, kohën,  arsyet dhe pas dëshmisë nuk ndihet nevoja për tregues?! Kështu thoshin disa dijetarë.

Pastaj Zoti i Madhëruar garantoi mbrojtjen e Kur’anit Fisnik duke thënë: “Ne me  madhërinë Tonë e shpallëm Kur’anin dhe Ne gjithsesi jemi mbrojtës të tij.” (Hixhr, 9) Mbrojtja hyjnore ngërthen në vete edhe shkencën e ajeteve mekase dhe medinase, së  bashku me mbrojtjen e sunnetit të pastër, sepse e sqaron dhe shpjegon në detaje Kur’anin  Fisnik. Muslimani nuk mund të ketë dobi të plotë nëse nuk i di shkaqet e shpalljes,  lokacionet dhe arsyet e ajeteve.

Nga mbrojtja hyjnore nxjerrim një horizont të lartë kulturor, gjegjësisht orvatjen e  popujve për të mbrojtur trashëgiminë intelektuale dhe elementet qytetëruese. Kur’ani  Fisnik është bazë e formimit të ummetit islamik, dhe për këtë shkak ne muslimanët  obligohemi dhe duhet të kujdesemi maksimalisht dhe me çdo kusht ndaj mrekullisë së  tillë, si p.sh., për shkencën e shkaqeve të shpalljes, shkencën e texhvidit, shkencën e  ajeteve mekase e medinase, shkencat e gjuhës etj. Horizonti kulturor dhe shkencor i kësaj çështjeje vërehet qartë në thënien e Ibën Mes’udit r.a.: “Pasha All-llahun, përveç të Cilit  nuk ka zot tjetër! Nuk ka zbritur asnjë sure e Librit të Zotit pa e ditur unë se ku ka zbritur,  dhe nuk ka zbritur asnjë ajet nga Libri i Zotit pa e ditur unë se për çka ka zbritur. Sikur ta  dija se ndokush di më shumë se unë për Librin e Zotit e që është larg (që shkohet tek ai  me deve), do të shkoja tek ai”.

Nga dobitë që përfitohen prej shkencës së ajeteve mekase e medinase janë: I. Dallimi mes abrogimit dhe derogimit.
Njohja e historisë së legjislacionit dhe sukcesivitetit të tij në mënyrë të  përgjithshme.
III. Thellimi i besimit me lartësimin e politikës islame në edukimin e popujve dhe  individëve.
Përforcimi i bindjes në këtë Kur’an dhe në arritjen e tij te ne i mbrojtur nga  ndryshimi e apokrifi.
Njohja e kujdesit të muslimanëve ndaj shkencës së ajeteve mekase dhe medinase  për të ditur se çka është shpallur para hixhretit e çka pas tij, çka është shpallur kur ka  qenë në qytet e çka në udhëtim, çka është shpallur ditën e çka natën, çka është shpallur  gjatë dimrit e çka gjatë verës, çka është shpallur në tokë…19 Rëndësia e shkencës së ajeteve mekase dhe medinase nga aspekti i disa dijetarëve  klasikë

Gjatë hulumtimit tim nuk kam hasur që ndonjë dijetar i mëparshëm të ketë shkruar  vepra të posaçme rreth mënyrës së funksionalizimit të shkencave kur’anore, për shkencat  e ajeteve mekase dhe medinase, për shkencën e leximit të Kur’anit, përpos në raste të  rralla, qoftë në sferën e da’vetit, edukimit ose synimeve të tjera. E gjithë ajo që kam  gjetur rreth kësaj çështjeje është se ata kanë shkruar në hulumtimet e tyre rreth shkencës  së ajeteve mekase e medinase, duke theksuar mënyrën e njohjes së tyre, karakteristikat  dhe metodat tematike ose stilistike etj.

Si shembull konkret mund të theksojmë se Imam Kurtubiu (Zoti e mëshiroftë!), në  librin e tij “El-Xhami’u li ahkamil-Kur’an”, thekson autoritetin e lartë të besimtarëve dhe  sipas tij: “Secili komentues duhet të dallojë ajetet mekase prej atyre medinase për të ditur  se për çka iu fliste Zoti robërve të Tij në fillim të Islamit e çka në fund të Islamit, me çka  i obligoi në fillim të Islamit e çka shtoi prej obligimeve në fund të tij. Ajetet medinase  abrogojnë ajetet mekase në të shumtën e rasteve në Kur’an e nuk mund që ajetet mekase t’i abrogojnë ajetet medinase, sepse ajeti i abroguar është shpallur para zbritjes së ajetit  abrogues..

Pastaj, Imam Shatibiu (Zoti e mëshiroftë), në enciklopedinë e tij rreth usulit, fikhut e  tefsirit thotë: “Çështja e njëmbëdhjetë: “Ajeti medinas duhet të ketë zbritur ashtu që të  kuptohet ai mekas, po ashtu ajetet mekase për të kuptuar njëri-tjetrin sikurse ajetet  medinase në bazë të radhitjes në shpallje, sepse në të kundërtën, nuk do të ishte në  rregull.

Dhe kjo vërtetohet me faktin se shprehja medinase, në pjesën dërmuese, është e  mbështetur në atë mekase, si dhe të fundit prej tyre mbështeten në atë paraprake, dhe kjo  vërehet qartë nga leximi i përqendruar, gjegjësisht nëpërmes rrëfimit të përgjithshëm, të  posaçmes së përgjithshme, të obligimit të përgjithshëm, të sqarimit të asaj që nuk është  sqaruar apo të plotësimit të asaj që nuk duket se është plotësuar…”21

Imam Bedreddin Zerkeshi, në enciklopedinë e tij kur’anore “El-Burhan fi ulumil Kur’an”, e zbërthen në detaje këtë çështje nga aspekte të ndryshme, por pa iu qasur  çështjes së funksionalizimit të shkencës së ajeteve mekase e medinase për arsye të  da’vetit dhe edukimit.

Edhe Imam Sujutiu (Zoti e mëshiroftë!) e shqyrton çështjen e ajeteve mekase dhe  medinase përafërsisht në mënyrë të njëjtë sikur Imam Zerkeshiu, pa iu qasur çështjes së  funksionalizimit të ajeteve mekase e medinase dhe shkencave të tjera për arsye të da’vetit  dhe edukimit.23 Imam ibën Akajl El-Mekkij, në enciklopedinë e tij kur’anore “Ez-Zijadetu vel-ihsan  fi ulumil-Kur’an,24 po ashtu nuk e ka trajtuar këtë çështje. As në studimin e bekuar që e  gjeta në enciklopedinë: “Ulumul-Kur’an min hilali mukat-dimatit-tefsir”, të autorit Shejh  Muhamed Safa Shejh Ibrahim Hakki, nuk gjeta gjë.

Dhe në fund, edhe në një studim tjetër që titullohet: “Ulumul-Kur’aninde in  Abdilberr” nuk gjeta gjë rreth funksionalizimit pozitiv të shkencave të Kur’anit në da’vet  e edukim. Pra, kjo ishte e tëra që kishte të bënte me selefët klasikë rreth kësaj çështje,  madje do ta vëreni edhe vetë se ata nuk e kanë shqyrtuar çështjen me të cilën merrem  unë.
Rëndësia e shkencës së ajeteve mekase dhe medinase nga aspekti i disa dijetarëve  bashkëkohorë

Sa i përket çështjes së angazhimit të disa bashkëkohësve për këtë çështje, shfletova  tefsirin “El-Menar” të Reshid Ridasë (Zoti e mëshiroftë!) për parakushtet që parashihen  rreth secilit që dëshiron të merret me tefsirin e Librit të Zotit dhe, për fat të keq, nuk gjeta  gjë nga ajo që kërkoja unë.

Pastaj vazhdova hulumtimin në tefsirin e Shejh Ahmed  Meragiut dhe, po ashtu, edhe aty, për fat të keq, nuk munda ta gjej atë që kërkoja.26 Vazhdova hulumtimin tim në tefsirin “Et-Tahrir vet-tefsir”, të dijetarit të njohur Tahitr  ibën Ashur, me shpresë se do të gjeja diçka në dhjetë parakushtet që duhen realizuar para  tefsirit të Kur’anit, por nuk gjeta gjë për ajetet mekase e medinase.

Pastaj vazhdova  librin “Mukaddimatut-tefsir”, që titullohej: “Nuzulu Kiramid-difan fi sahati hadaikir-ruhi,  verrejhan”, të Shejh Muhamed El-Emin ibën Andullah El-Eremij El-Alevij El-Hararij  Esh-Shafi’ijit, dhe as aty nuk gjeta atë që më nevojitej mua.

Për sa i përket Shejhut dhe komentuesit Muhamed Derveze (Zoti e mëshiroftë!),  mund të thuhet se ai ka bërë dallimin e metodës mes ajeteve mekase dhe medinase në  tefsirin e tij “Et-Tefsir El-Hadith”, duke thënë se metoda e ajeteve mekase është e  ndërlidhur me da’vetin në virtytet shoqërore, shpirtërore, njerëzore dhe në tërheqjen e  vërejtjes për mëkatet dhe amoralitetin. Aty ka da’vet, zbukurim, kërcënim dhe kahëzim.

Metoda mekase, po ashtu, dallon për nga mënyra e retorikës, sepse është e fuqishme dhe  depërton thellë në veshë e në zemër. Aty, po ashtu, mbizotëron metoda e këshillave për  durim, qetësi, prehje dhe mosmërzitje nga qëndrimet e jobesimtarëve.
Metoda e ajeteve medinase përmban parime, obligime, rregulla adhurimi, rregulla  morale, shoqërore, juridike, bihevioriste, në mënyrën e pyetjeve, përgjigjeve dhe fetvave  gjykatësore, shoqërore, morale, familjare e të sheriatit (legjislative).

Studimi i Shejh dr. Subhi Salihut (Zoti e mëshiroftë!), që titullohet “Mebahith fi  ulumil-Kur’an”, përmban diçka të re rreth çështjes së ajeteve mekase e medinase. Gjatë  shtjellimit të tematikës së ajeteve mekase dhe medinase theksohet se të dy periudhat kanë  fazat fillestare, mesatare dhe përfundimtare, dhe si duket këto fjalë autori i ka marrë nga  Imami Ebu Kasim Nisaburi. Po ashtu theksohet se shkenca e ajeteve mekase e medinase  ka nevojë për pastrimin e transmetimeve, vërtetimin e teksteve dhe përcaktimin e historisë së vërtetë. Kjo shkencë ka një nevojë më të madhe për një gjë të tillë se sa  shkenca e shkaqeve të shpalljes.

Të gjitha suret e Kur’anit kanë identitet të njohur dhe  histori të qartë dhe, nëse përzihen, atëherë dijetarët e vërtetë iu qasen me standardet e tyre  të sakta kritike. Metoda historike-kohore përmban në vete radhitjen kohore, përcaktimin  vendor, ndarjen tematike dhe përcaktimin personal, dhe e gjithë kjo nuk mund të jetë larg  horizonteve psikike dhe periudhave shoqërore, si dhe nuk mund të mohojë ndikimin e  ambientit në jetë e në gjallesa. E gjithë kjo e pengon injorantin që gjatë da’vetit islamik të merret me komentimin e Librit të Zotit.

Kështu mendon Imami Ebu Kasim Nisaburi.  Interesimi i madh i muslimanëve ndaj transmetimit dhe transmetuesve, si dhe pastrimi,  përpikëria dhe preciziteti në radhitjen e sureve dhe të ajeteve kur’anore, sipas zhvillimeve  të da’vetit, ndikoi që orientalistët të hedhin gurë e dru kundër transmetuesve dhe  transmetimeve, për të mbjellë dyshime në radhitjen e Kur’anit në bazë të sires së  Pejgamberit a.s.

Studimi i prof. dr. Shejh Muhamed Muhamed Ebu Shuhbes, po ashtu, ngërthen  çështje të rëndësishme, por pa iu qasur kësaj çështjeje me të cilën merrem unë, përpos  disa çështjeve të dyshimta pa theksuar thënësit ose burimin e tyre.

Po ashtu nuk ka asgjë të re edhe në librin e Shejh Menna’i El-Kattanit (Zoti e  mëshiroftë!) që titullohet: “Mebahithu ulumil-Kur’an”, përpos disa vështrime rreth  urtësive dhe leksioneve nga zbritja sukcesive e Kur’anit Fisnik.33 Kam hasur disa të  dhëna të thukëta në studimin e dr. Adnan Zarzurit, në librin e tij “Ulumul-Kur’an  i’xhazuhu ve tarihu teuthikihi” rreth kësaj çështjeje që më intereson mua, ku theksohet  rëndësia e të kuptuarit të qëndrimeve, situatave dhe pozicioneve në hapat e edukimit e  formimit. Kjo shkencë është hyrje në njohuritë rreth karakteristikave rrëfyese dhe  bihevioriste të ajeteve mekase e medinase, duke sqaruar se tematika e ajeteve mekase ka  të bëjë me besimin, ndërsa tematika e ajeteve medinase me sheriatin. Islami dhe Kur’ani  janë: besim, sistem, legjislacion dhe parime.

Në vendtakimin e komentuesve në internet, gjegjësisht në një takim shkencor që  zgjati katër sesione me shokët e profesorit të nderuar dr. Muhamed Abdurahman Sha’ji,  dr. Abdurahman Mu’ada Esh-Shukrij, dr. Abbas ibën Husejn El-Hazimij (të gjithë janë  kolosë të kësaj shkence), u shqyrtua çështja e ajeteve mekase e medinase në ajetet  kur’anore në mënyrë të thellë e në detaje, dhe në vijim po paraqes diçka prej tyre, aq sa  më mundëson këtu hapësira e kufizuar. Kur filluan të flasin për shkencën e ajeteve  mekase e medinase, dr. Muhamed Abdurahman Shaj’i tha:

“Çdo periudhë ka situatat, nevojat dhe kërkesat e veta, dhe nga Kur’ani merret në çdo periudhë ajo që nevojitet.  Paramendo sa vuajnë shtetet e botës nga lëndët narkotike dhe sa para harxhojnë për t’i luftuar e për t’i larguar nga shoqëria, e megjithatë përsëri dështojnë.

Paramendo se si  korri sukses Islami kundër problemit të alkoolit në shoqërinë ku ishte rrënjosur thellë ky  fenomen. Atyre që kujdesen për këtë çështje në botën tonë islame iu themi: “Nëse  dëshironi t’i luftoni me sukses lëndët narkotike, atëherë duhet ta përforconi anën fetare te  të rinjtë dhe të mëdhenjtë”.

Këto fjalë përmbajnë një mesazh dhe leksion për ata që punojnë në da’vetin për Zotin e Madhëruar dhe duhen shënuar me shkronja të arta. Pra, ai që merret me da’vet  duhet ta njohë mirë gjendjen dhe realitetin e njerëzve ku ata jetojnë, t’i kuptojë mirë  tekstet fetare, të kuptojë mënyrën e zbritjes së teksteve të tilla në kohën reale. Ai, po  ashtu, duhet t’i njohë nevojat e realitetit të tillë e pastaj të zgjedhë këshillën e  përshtatshme për njerëzit. Thirrësi në fe, nëse dëshiron të përmirësojë sjelljen, mendjen  dhe besimin e njerëzve, duhet të mbjellë fenë në zemrat e tyre.
Gjatë bisedës së nxehtë rreth kësaj tematike të rëndësishme, shejhu theksoi  rëndësinë dhe dobitë që përfitohen nga njohja e ajeteve mekase e medinase, duke thënë:

“Shijo mënyrat e Kur’anit dhe dobinë prej tyre gjatë da’vetit në Zot.., dhe ndoshta do të  vëresh të dhëna të bukura e të dobishme posaçërisht për kohën tonë, si t’i zhvillojmë  metodat e da’vetit për të qenë të përshtatshme me situatën dhe me nevojat e njerëzve të  kësaj kohe, dhe nuk ka dyshim se dobitë e tilla mund të përfitohen nga shkencat e  Kur’anit dhe nga begatitë e Kur’anit.”

Unë them se leksioni e mësimi që mund të merren nga fjalët e prof. Muhamed  Kureshiut kanë të bëjnë me zhvillimin e metodave të da’vetit në kohën tonë, në mënyrë  që ato të jenë të përshtatshme me gjendjen e njerëzve dhe me përmbushjen e nevojave të  tyre intelektuale dhe psikike. E gjithë kjo konsiderohet si dobi dhe bereqet nga shkencat e  Kur’anit Fisnik. Edhe i afërmi edhe i largëti e dinë se koha jonë është e mbushur përplot  me mjete teknologjike, industriale e shkencore që mund t’i zhvillojnë metodat e da’vetit  dhe që ndihmojnë t’iu flitet njerëzve ashtu siç e kuptojnë ata, duke u mbështetur në  Kur’an e sunnet. Vetëm dijetarët e kuptojnë këtë çështje të rëndësishme.

Për sa i përket ndarjes së përfitimit dhe sjelljes së njerëzve me shkencën e ajeteve  mekase e medinase, njerëzit kanë qëndrime të ndryshme e të llojllojshme, si dhe varësisht  nga kapaciteti i tyre shkencor, mundësia e tyre për të ditur dhe nga specializimi i tyre i  përpiktë dallohen edhe metodat dhe mënyrat e tyre. Dijetarët e vërtetë përfitojnë nga kjo  shkencë, ashtu siç përfitojnë edhe specialistët e tefsirit dhe shkencave të Kur’anit. Po  ashtu, edhe studentët e përgjithshëm përfitojnë nga kjo shkencë ashtu siç përfitojnë edhe  njerëzit e rëndomtë.

Kjo shkencë nuk është e përkufizuar vetëm për një kategori njerëzish, por prej saj  mund të kenë dobi të gjitha kategoritë e njerëzve, p.sh., dijetarët e muxhtehidët kanë  nevojë për nasihun e mensuhun. Dijetarët, po ashtu, kanë dobi edhe nga njohja e historisë  së sheriatit islamik…

Njohja e shkencës së ajeteve mekase e medinase formon një shtyllë të fuqishme në të  cilën mund të mbështeten të gjithë thirrësit në fenë e Zotit të Madhëruar. Po ashtu, ajo  ndihmon edhe në njohjen e mënyrës së da’vetit, ngjyrat e ligjërimit, shkallëzimin e  parimeve, obligimeve, formimit dhe përkryerjes. Da’veti në Zotin e Madhëruar është art  pejgamberik i lartë, profesion i ndershëm dhe vepër e shenjtë. Ai dallohet për shijen e posaçme kur’anore, të cilën mund ta shijojë realisht vetëm ai që jeton në kopshtin e tij  dhe nën hijen e drunjve të tij, nën ajrin e pastër të tij dhe nëse pi ujin e tij të kristaltë.  Da’veti ka nevojë për metodë konkrete ndaj çdo lloji të amoralitetit në fe, besim, ligj,  krijesë e sjellje. Obligimet e tij bien mbi supet e atij që është i përgatitur për një mësim të  tillë, si dhe parimet e sheriatit dhe sistemet shoqërore vijnë pas pastrimit të zemrës dhe  përcaktimit të qëllimit, derisa të jetë jeta në rrugë të Zotit.

Në këtë kontekst, Zoti i  Madhëruar thotë: “Thuaj: “Kjo është rruga ime, e vënë në fakte të qarta, e që unë thërras  tek All-llahu, unë dhe ai që vjen pas meje. Larg të metave është All-llahu, e unë nuk jam  nga idhujtarët.” (Jusuf, 108) Kush e lexon Kur’anin Fisnik do të vërejë karakteristika të ajeteve mekase që nuk  janë në ajetet medinase,40 pa marrë parasysh se të dytat mbështeten në të parat në parime  e ligje, ashtu siç thekson Imam Shatibiu në enciklopedinë e tij “El-Muvafekat”.

Pas një orvatje të vazhdueshme hulumtuese, Zoti i Madhëruar më udhëzoi në një  burim që konsiderohet pasuri e mendimit tim shkencor, dhe për këtë së pari e së fundi i  falënderohem Zotit të Madhëruar. Nuk do të udhëzoheshim sikur të mos na udhëzonte  Zoti i Madhëruar! Zoti e shpërbleftë autorin e këtij thesari, profesorin Sejjid Kutub (Zoti  e mëshiroftë!) dhe tefsirin e tij: “Fi dhilalil-Kur’an”, krahas disa punimeve të tjera të tij.

S’ka dyshim se atij i takon merita më e madhe në këtë çështje, për shkak se ai kishte  shfaqur interesim të madh ndaj çështjes së mënyrës së funksionalizimit të shkencës së  ajeteve mekase e medinase. Ai është përqendruar gjerë e gjatë në tefsirin e sures En’am  dhe të disa sureve të tjera të Kur’anit. Ai thekson disa çështje edukative dhe çështje të  da’vetit dhe ne, si thirrës në fe, duhet të mendojmë rreth mënyrës së funksionalizimit të  tyre dhe dobisë prej tyre. Në fillim të tefsirit të sures En’am, ai (Zoti e mëshiroftë!) thotë:  “Kjo sure është mekase… Nga kur’ani mekas… Kur’ani, i cili vazhdoi t’i zbresë Pejgamberit a.s. plot trembëdhjetë vjet, flet për një çështje, vetëm për një çështje dhe  Kur’ani mekas nuk ka kaluar në çështjet që kanë të bëjnë me sistemin e jetës, derisa Zoti  e pa se është plotësuar ajo që duhej thënë dhe se besimi është përforcuar e ngulitur në  zemrat e njerëzve të zgjedhur nga njerëzia, të cilëve Zoti u caktoi që të jenë bartës të fesë,  që të formojnë sistemin real, në bazë të kësaj feje…

Nga fjalët e lartpërmendura të prof. Sejjid Kutubit nënkuptojmë se Kur’ani mekas  nuk e ka tejkaluar çështjen e besimit të pastër, që mbështetet në monoteizmin e pastër e të  sinqertë të Zotit të Madhëruar. Kjo është çështja e besimit, e bazës dhe e shtyllës mbi të  cilat më vonë do të mbështeten obligimet, ligjet dhe të gjitha detyrimet e tjera fetare.

Prof.Dr.Hfz. Hajredin Hoxha
SHQYRTIMI ANALITIK I FUNKSIONALIZIMIT TË SHKENCAVE TË KUR’ANIT NË DA’VET (Shembull konkret – shkenca e ajeteve mekase dhe medinase)

Burimi

0
Shopping Cart (0 items)