Furqan LeadershipFurqan LeadershipFurqan Leadership

1. KARAKTERISTIKAT E PËRGJITHSHME TË TEFSIRIT TË HOXHË HAFIZ ALI KORÇËS

Gjatë leximit dhe shqyrtimit tim që ua bëra mendimeve të hoxhë Hafiz Ali Korçës në përgjithësi dhe tefsirit të tij në veçanti, vërejta se Hafiz Ali Korça, (Zoti e mëshiroftë!) gjatë tefsirit të ajeteve dhe sureve në shqyrtimin dhe zbërthimin e çështjeve të rëndësishme:

  • I luftonte format e amoralitetit dhe ua tërhiqte vëmendjen nga shpirti që urdhëron në të keqe si dhe i ftonte njerëzit të mbështeten në vlera morale;
  • Përqëndrohej në rrezikun që hebrenjtë paraqisnin për botën, në qëllimet e këqija të tyre dhe përpjekjet e tyre të fëlliqta dhe jo etike në politikë, ekonomi e moral, me qëllim për ta sunduar botën;
  • Shqyrtonte vlerat e Islamit dhe karakteristikat që e dallonin atë nga fetë tjera dhe argumentonte se ardhja e mesazhit të Islamit i shpëtoi arabët dhe tërë njerëzit nga errësira e injorancës dhe kolonializmit romak e persian;
  • Përqëndrohej në vlerat e kulturës së Kur’anit në krahasim me kulturat e tjera të importuara perëndimore;
  • Ai ua sqaronte njerëzve cilësitë dhe sjelljen e mirë të Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) me njerëzit, posaçërisht me jetimët dhe bindshëm argumentonte se Pejgamberi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) përfaqësonte pikën më kulmore të mundshme të humanizmit dhe demokracisë,  pastaj sqaronte se halifët pas tij (Hulefai-Rashidinët) vërtetë kanë qenë demokratë (por jo sipas konceptit bashkëkohorë të demokracisë), dhe se Pejgamberi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) në asnjë mënyrë nuk ka qenë njeri parazit i cili jetonte nga të tjerët, ashtu siç ndodh me udhëheqësit e sotshëm, dhe se të gjithë njerëzit, qofshin princër apo robër, në sytë e tij ishin të barabartë;
  • Konfirmonte bindshëm faktin se Islami është përhapur me paqe e jo me dhunë, ndërsa krishterimi, në bazë të të dhënave historike, është përhapur me shpatë dhe me forcë.  Sikur të mos ekzistonte toleranca fetare në Islam në raport me të tjerët gjatë përhapjes së tij, sot nuk do të gjeje asnjë të krishterë në botë, dhe sikur të ekzistonte dhuna, atëherë të gjithë do të duhej të bëheshin muslimanë nga frika prej tyre, por muslimanët nuk kanë detyruar askënd të pranojë Islamin dhe si argument i gjallë janë hebrenjtë dhe të krishterët, të cilët akoma ekzistojnë dhe jetojnë të pa konvertuar;
  • Përforconte idenë e universalizmit dhe ndërkombëtarizmit të mesazhit të Islamit dhe vazhdimësinë e tij në këtë botë-dynja;
  • Potenconte fuqinë racionale dhe shpirtërore të Islamit për t’i përballuar sfidat;
  • Sqaronte se në Islam nuk ka persona të shenjtë (as mbretër shpirtëror) dhe se shenjtëria i takon vetëm Zotit të Madhërishëm, se askush nuk e bartë barrën e tjetërkujt dhe se çdo shpirt do të përgjigjet për atë që e ka bërë;
  • Thërriste në reformimin e metodave edukative fetare, veçanërisht përqëndrohej në ringjalljen e trashëgimisë së vjetër shkencore intelektuale, në ngritjen e nivelit të gjuhës arabe, studimit të literaturës së gjuhës dhe stilistikës, nga autorët e njohur, siç janë p.sh.: Stilistika e Zemahsheriut, Ibn Haxhibit dhe të tjerëve, me qëllim që të bëhen të mëdhenj si Fahrudin Raziu, Ibni Sinâ, Xhelaludin Sujutiu, Imam Gazaliu etj. Ai nuk dëshironte që reformat shkollore të bëhen në bazë të imitimit të metodave perëndimore, por dëshironte që shkollat dhe metodat edukativo-arsimore të reformohen e të bëhen si shkollat fetare e shkencore të periudhës abaside në Bagdad dhe të periudhës emevite në Andaluzi, si dhe të armatosen me armët e diturisë në bazë të kërkesave aktuale të kohës;
  • Argumentonte mrekullinë e Kur’anit, të pejgamberisë së Muhammedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) dhe bënte kozmopolitizmin e mesazhit të tij për të gjithë njerëzit;
  • Apelonte për përhapjen e shkollave fetare, ngase mendonte se ata luajnë rol shumë të rëndësishëm edukativ në jetën e mbarë Ummetit;
  • Luftonte kundër idhujtarisë (shirkut) dhe kundër ndërmjetësimit në lutje përveç Allahut të Madhërishëm e jo të putave, qofshin ata të gjallë apo të vdekur;
  • Luftonte kundër traditave, adeteve, bestytnive dhe risive të shoqërisë shqiptare dhe bënte apel për t’u mbështetur vetëm në Kur’anin Fisnik dhe në Sunnetin e Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!)

 

2. METODA E HOXHË HAFIZ ALI KORÇËS NË TEFSIR

Hoxhë Hafiz Ali Korça ka theksuar në hyrjen e tefsirit të tij të shkurtër që e kam në bibliotekën time, se ka shkruar shumë në komentimin e Librit të Zotit të Madhërishëm, duke u mbështetur në shumë vepra të njohura tefsiresh, por për fat të keq, rrethanat ekonomike kanë ndikuar që të mos botohet ky tefsir voluminoz, ngase botimi i tij kushtonte shumë shtrenjtë, dhe për këto arsye financiare, ai e ka shtyrë botimin e tefsirit, derisa t’i përmirësohen rrethanat ekonomike. 

Përkundër gjendjes së vështirë financiare, ai megjithatë, kishte vendosur ta botojë përmbledhjen e tefsirit voluminoz, me qëllim që të jetë sa më i kapshëm për mbarë njerëzit, dhe një kopje të këtij tefsiri e kam edhe unë, por për fat të keq, shumë faqe të tij janë zhdukur… Shumë studiues thonë se tefsiri voluminoz dhe i humbur i hoxhë Hafiz Ali Korçës i ka pasur afër 2000 faqe. Kjo përmbledhje e tefsirit jo të plotë fillon nga sureja “El-Fatiha” dhe përfundon deri në ajetin e tridhjetë e tetë të sures “El-Bekare”, dhe për shkak të faqeve të kufizuara të tefsirit dhe ajeteve të komentuara në veprat dhe artikujt e hoxhës, të botuara në revista të ndryshme, harxhova energji të madhe në një hapësirë të tillë të gjerë, gjersa kuptova më saktë të vërtetën e ideve dhe mendimeve të tij në tefsir, dhe mund të them se me sukses tubova një pasuri të madhe të komentimeve të përbërë nga idetë e Hafiz Ali Korçës, derisa e kuptova përcaktimin e tij doktrinar në tefsir.

Para se të flas për metodën dhe mënyrën e tij në tefsir, vlen t’i numëroj burimet në të cilat është mbështetur Hafiz Ali Korça gjatë tefsirit të tij dhe punimeve tjera fetare.

  1. Gjatë leximit dhe studimit të veprave të hoxhë Hafiz Ali Korçës, tefsirit të tij të shkurtër dhe tefsirit të ajeteve të ndryshme të botuara nëpër revista islame, kuptova se ai është mbështetur në një numër të madh të literaturës dhe veprave të ndryshme, falë njohjes së tij të gjuhëve orientale dhe perëndimore, nga të cilat ka përfituar kulturë të gjerë fetare, letrare e politike. 

Në vijim do t’i përmendim titujt e literaturës që ka përdorur hoxhë Hafiz Ali Korça në punimet dhe artikujt e tij:

  • Literatura e Sunnetit të Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), literatura e biografisë së Pejgamberit dhe sahabëve të tij, pastaj literatura e llojllojshme e tefsirit në krye me tefsirin e Fahrudin Raziut, tefsiri “El-Menar” i Shejh Reshid Ridasë, literatura e historisë islame dhe jo islame, posaçërisht historia e Taberiut, literatura e gjuhës arabe, gjegjësisht literatura gramatikore e stilistike arabe, literatura filosofike islame dhe perëndimore, literatura e përgjithshme kulturore në gjuhë të ndryshme, literatura e letërsisë arabe, perse, turke e shqipe, literatura moderne në gjeografi, astronomi e biologji, literatura e fikhut dhe usuli- fikhut, literatura e shkencave kur’anore, literatura e tregimeve kur’anore, literatura apologjetike, literatura politike botërore, literatura orientaliste perëndimore dhe literatura të tjera shkencore, që konfirmojnë kulturën briliante dhe diapazonin jashtëzakonisht të gjerë të hoxhë Hafiz Ali Korçës (Zoti e mëshiroftë!)
  1. Nga e tërë ajo që kam lexuar prej tefsirit dhe hulumtimeve të tij në këtë lëmë, kuptova se në të kuptuarit e Librit të Zotit të Madhërishë, ka përdorur metodën vijuese:
  • Thekson nocionet “ajete mekase dhe medinase” të sureve dhe numrin e ajeteve;
  • Zbërthen termet e sureve dhe fjalëve të huaja;
  • Thekson emrat e sureve dhe zbërthen qëllimin e emërtimit të tyre me emrat përkatës;
  • Mbështetet në analiza gramatikore, si p.sh., vlera e nyjës shquese “El” në ajetin:  

El-Hamdulil-lahi Rab-bil-Alemin”;    

  • Nga ndonjëherë i thekson llojet e leximeve (kiraetet e Kur’anit) në formë të thuktë;
  • Thekson mendimet e dijetarëve dhe komentuesve të Kur’anit rreth shkronjave simbolike në fillim të sureve, por në një formë shumë të reduktuar;
  • Në tefsirin e tij, i thekson shoqëritë që ekzistonin në Gadishullin Arabik, si p.sh.: Hebrenjtë, të krishterët, idhujtarët e totemëve, idhujtarët e yjeve dhe disa eternalistë;
  • Thekson arsyen e zbritjes së ajetit nëse ka ndonjë shkas dhe sipas tij, mund të ketë disa arsye të zbritjes së ajeteve për një çështje;
  • Mbështetet në biografinë e Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) dhe të sahabëve të tij për të sqaruar kuptimin e ajetit;
  • Anon nga komentimi shkencor i ajeteve dhe një gjë të tillë, qartë e vërejmë në komentin që i bën sures “Ez Zelzele”, ku i shqyrton disa ligje të ndryshme fizike që kanë të bëjnë me shkatërrimin e tokës para Ditës së Kijametit, vullkanet, rënien e yjeve, qiejve dhe gjëra tjera që do të ndodhin. Sipas mendimit tim, tefsiri shkencor dhe mbështetja e tij në Tefsirin e Fahrudin Raziut në të shumtën e rasteve kanë ndikuar aq shumë në të, saqë mendonte se ekzistojnë krijesa tjera kafshësh dhe njerëzish në planetët e tjera, dhe këtë mendim e vërteton me ajetin kur’anor: 

“Nga argumentet e Tij është krijimi i qiejve dhe i tokës dhe shpërndarja e gjallesave në të dyja dhe Ai me fuqinë e Tij, mund t’i bashkojë kurdo që të dëshirojë”. Pastaj vazhdon hoxha dhe transmeton fjalët e Fahrudin Raziut pa theksuar numrin e faqes dhe vëllimin;

  • Ndonjëherë thekson disa nocione dhe terme që kanë ngjyrime sufiste, si p.sh., në tefsirin e sures “Ed-Duha” thekson se kur Pejgamberi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) sheh Shpalljen (Vahjin-Xhibrilin a.s.) për herë të parë, është habitur dhe është zhytur në Detin e Dritës së Zotit të Madhërishëm si dhe është lodhur në valët e këtij Deti jo të rëndomtë, nga Drita e Zotit të Madhërishëm!;
  • Ndonjëherë gjatë tefsirit largohet nga tema, pastaj sërish kthehet në temë;
  • Ndonjëherë gjatë tefsirit argumenton me poezi origjinale të tij;
  • Kur flet për vlerat e Islamit që ua ka sjellë arabëve, atë e argumenton me historinë arabe paraislame.
  • Hoxhë Hafiz Ali Korça shkruante fjalë të bukura poetike gjatë tefsirit, ngase aftësia e tij poetike kishte shpërthyer qysh nga fëmijëria e tij e hershme. Ai thurte poezi në të gjitha disiplinat islame, përdorte fjalë me kuptim të lartë dhe synonte qëllime sublime dhe të pastra;
  • Në tefsirin e tij ai theksonte fjalët e të urtëve, filosofëve dhe historianëve të ndryshëm nga Perëndimi si dhe tregonte përshtypjet e tyre pozitive që i kishin përfituar nga madhështia e mesazhit të Islamit dhe nga personaliteti gjenial i Muhammedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), meqë ai ka qenë njeri me personalitet të lartë, i cili pandërprerë përpiqej për realizimin e qëllimeve njerëzore dhe madhore hyjnore: Hafiz Ali Korça reagonte ndaj dyshimeve dhe trillimeve të armiqve, qofshin orientalistë ose misionarë dhe në të njëjtën kohë tregon edhe për tentativat e tyre për krishterimin e muslimanëve në Afrikë, Kinë e Indi;
  • E kishte zakon që të shkruante një hyrje të shkurtër para fillimit të tefsirit të ajeteve, si p.sh., në tefsirin e sureve “El-Kadru” dhe “Et-Tekathur” dhe të sureve e ajeteve tjera, pastaj vazhdon e zgjerohet në tefsir dhe sqarime;
  • Sipas mendimit të hoxhë Hafiz Ali Korçës, theksimi i numrave si p.sh. ( 1000 muaj ) në suren e “Kadrit” dhe në suret e tjera kur’anore nuk nënkupton numra konkret, por ato përdoren për të treguar sasi të madhe, ashtu siç është zakon në gjuhën arabe;
  • Ai transmeton nga komentues tjerë, posaçërisht nga Imam Fahrudin Raziu, “Tefsirul-Menari” i Reshid Rida-së dhe të tjerë pa i përmendur emrat e tyre;
  • Ai thekson këshillat dhe leksionet që dalin nga ajetet kur’anore si dhe i kritikon ashpër pasanikët që preferojnë jetën e luksit dhe që krenohen me pasuri e fëmijë dhe nuk japin ndonjë kontribut social apo fetar për vendasit e tyre, si p.sh., nuk ndërtojnë shkolla, nuk u ndihmojnë të varfërve të martohen etj. Dhe shpeshherë thërriste në investim të mirë të begative të tyre;
  • Ndonjëherë vazhdon tefsirin e ajetit dhe në fund përfundon me një përmbledhje, si dhe ndonjëherë argumenton tefsirin e ajeteve me hadithin e Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!);
  • – Ai tërësisht i refuzonte israilijatet dhe më duhet të theksoj se gjatë tefsirit të tij nuk kam hasur diçka të tillë, dhe siç duket, kjo karakteristikë i dallon ithtarët e shkollës reformiste racionale që kishin ndikuar thellë tek ai.
  • – Mbështetej në zbulimet shkencore të kohës së tij dhe kur fliste për dëmet nga vera, alkooli e duhani dhe për dobitë shëndetësore nga agjërimi, argumentonte me raporte mjekësore;
  • – Nuk ripërsëriste fjalët dhe kur sqaronte kuptimin e ajetit dhe fshehtësitë që përmbante ai, theksonte mënyrat retorike të Kur’anit, me qëllim të dallimit të fjalëve që ishin të posaçme vetëm për Pejgamberin (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) dhe për muslimanët në përgjithësi;
  • – Mbështetej në ekspresivizmin stilistik të ajeteve, duke thënë: “Është afruar dielli i fesë së vërtetë të shndritë…”, ose “Nga thellësia (deti) i dashurisë hyjnore”; etj.
  • – Ndonjëherë shqyrtonte çështjet që kishin të bënin me kaderin (determinizmin), shpesh herë i luftonte adetet, traditat dhe bestytnitë e shqiptarëve dhe i korrigjonte pikëpamjet e gabuara të tyre;
  • – Me bindje të plotë mbronte Ehli-Sunnetin dhe xhematin, thërriste në mbështetjen e plotë në Kur’anin Fisnik dhe Sunnetin, si dhe ftonte në përkthimin e teksteve të Kur’anit dhe hadithet e pejgamberit a.s.( Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) për shoqërinë shqiptare.

Në bazë të asaj që pata mundësi të tuboj nga punimet, veprat dhe artikujt e tij të ndryshëm, këto ishin disa nga karakteristikat e metodës së hoxhë Hafiz Ali Korçës në tefsirin e Librit të Zotit të Madhërishëm. 

Të nderuar lexues! 

Besoj se me ndihmën e Zotit të Madhërishëm, ia kam dalë mbanë dhe deri diku pata sukses t’ju ofroj disa parime racionale dhe metodologjike të këtij dijetari dhe komentuesi shqiptar që i takon shkollës reformiste të kohës së re, edhe pse thënë realisht, ishte mjaft vështirë të gjej gjurmë të tij të botuara.

 

Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA

TEFSIRI DHE MUFESSIRËT SHQIPTARË NË KOHËN BASHKËKOHORE
(SHEK 19-20)

Burimi

0
Shopping Cart (0 items)