Furqan LeadershipFurqan LeadershipFurqan Leadership

Studimi i mendimeve të Shejh Hafiz Ibrahim Dalliut në bazë të tefsirit të tij: “Ajka e kuptimeve të Kur’ani Qerimit”;

– Ambienti historik i kësaj doktrine te shqiptarët

Në fillim të shekullit XX janë përpiluar disa libra rreth kësaj doktrine sunnite-maturidite në tefsir. Në shoqërinë shqiptare ka pasur njerëz që e kanë komentuar një të tretën e Kur’anit Fisnik në mënyrë shkencore dhe me metodë të vërtetë, si p.sh., tefsiri i Shejh Hafiz Ibrahim Dalliut (Zoti e mëshiroftë!), i cili (dhashtë i Madhi Zot!) ka për të qenë edhe temë e studimit tonë në këtë kapitull.

Gjithashtu ka pasur edhe tefsire të disa ajeteve dhe sureve të komentuara nga disa dijetarë të tjerë, si p.sh., tefsiri i gjatë i sures “El-Fatiha” nga Shejh Haxhi Vehbi Agolli-Dibra, tefsiri i shkurtër i disa ajeteve dhe sureve nga Shejh Hafiz Ali Korça, ashtu siç u pa më parë, tefsiri i shkurtër[1] i Shejh Haxhi Sherif Ahmetit (Zoti e Mëshiroftë!), si dhe disa tefsire të të tjerëve që i theksuam më sipër.

Kjo rrymë akadiologjike sunnite-maturidite ka ekzistuar ngaherë te shqiptarët, si në të kaluarën ashtu edhe në ditët e sotshme, ndaj dhe për këtë shkak, preferuam që të seleksionojmë vetëm një shembull nga komentuesit e tillë, për ta studiuar në këtë hulumtim edhe atë, duke e bazuar në diturinë dhe në autoritetin e tij që e gëzonte në mbarë shoqërinë islame shqiptare.

Në këtë kapitull (dhashtë Zoti i Madhërishëm!) do ta shqyrtojmë personalitetin, metodën dhe tefsirin e Hafiz Ibrahim Dalliut: “Ajka e kuptimeve të Kur’ani Qerimit”, si dhe qëndrimin e tij ndaj disa ajeteve që kanë të bëjnë me çështje akadiologjike, si p.sh.: ajetet e Emrave, Cilësive dhe të Parit e Zotit të Madhërishëm etj. Këto çështje do ti studiojmë në detaje gjatë këtij hulumtimi, përkatësisht kësaj analize.

Tefsiri i Shejh Hafiz Ibrahim Dalliut është një ndër tefsirët më të mëdhenj dhe më të rëndësishëm që i njeh trashëgimia islame shqiptare në kohën e re, e që ekziston edhe sot e kësaj dite. Duke u nisur nga ky fakt, ne më së shumti do t’i mbështetemi këtij tefsiri në krahasim me personalitete e shembuj të tjerë.

 Njohuri mbi autorin e këtij tefsiri

Shejh Hafiz Ibrahim Dalliu u lind në vitin 1878 në Tiranë. Ai rrjedh nga një familje fetare intelektuale që dallohej dhe shquhej me kulturë të lartë fetare. Lindja e Shejhut koincidoi në kohën e Rilindjes Kombëtare shqiptare, gjegjësisht në kohën kur kishin filluar të duken sythat e ideve të ndarjes dhe largimit nga halifati osman në mesin e shoqërisë intelektuale shqiptare, ashtu siç thamë në kreun e parë të këtij disertacioni. Mësimin fillor dhe të mesëm e mori që në moshën e fëmijërisë së hershme. Shejhu (Zoti e mëshiroftë!) e mësoi hifzin e Kur’anit në moshë të re. Literatura nuk thekson se në cilin vit e ka mësuar hifzin e Kur’anit Fisnik e as emrat e hoxhallarëve që ia mësuan hifzin e Kur’anit Fisnik. Hifzi i Kur’anit Fisnik ishte një karakteristikë e përhapur dhe një fenomen që dominonte te dijetarët shqiptarë, saqë rrallë kishte në mesin e studiuesve të lëndëve fetare në fund të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX të atillë që nuk e dinin përmendësh Kur’anin.

Pastaj Shejhu, për t’i vazhduar studimet e larta regjistrohet në Universitetin e Stambollit Darul-Ulum, që njëherësh ishte kryeqyteti dhe qendra e shkencave, dijeve dhe kulturave të ndryshme të cilat zhvilloheshin në gjuhët lindore, gjegjësisht në turqishte, arabishte dhe persishte. Mirëpo, kushtet e vështira ekonomike e detyruan Shejhun që t’i ndërpres studimet për një kohë, me shpresë se përsëri do t’i vazhdonte…, por  Zoti e kishte caktuar që të mos i vazhdojë më studimet e larta. Personaliteti i Shejh Hafiz Ibrahim Dalliut dallohej me kulturë kozmopolite, ngase kishte njohuri të gjëra fetare, politike e patriotike. Ka dëshmi se jeta e tij ishte përplot me orvatje të vazhdueshme për mbrojtjen e identitetit kombëtar shqiptar nga zhdukja dhe shkrirja e plotë në kulturën greke, italiane e atë serbe.

Ky personalitet mbeti anonim dhe larg syve të studiuesve për afro gjysmë shekulli. Deshti Zoti e u shkatërrua sistemi i egër djallëzor komunist dhe doli në shesh personaliteti erudit i këtij dijetari të famshëm, i cili la gjurmë të shumta e të çmueshme shkencore që vlejnë të studiohen e të analizohen. Gjatë kryerjes së detyrës si imam dhe hatib dhe gjatë aplikimit të rregullave fetare në Shqipëri, Shejh Hafiz Ibrahim Dalliu tregoi interes të madh për çështjen patriotike shqiptare, ngase ai gjatë tërë jetës merrej me çështjet e kohës së tij. Ai hapi shkolla në gjuhën shqipe dhe botoi libra e traktate të shumta në gjuhën shqipe për ta mësuar dhe edukuar popullin shqiptar, edhe pse kjo vepër ishte e rrezikshme në sy të shtetit osman, për të cilin arsimi në gjuhën shqipe konsiderohej krim, për të cilin kryerësi duhej ndëshkuar rreptë, dhe vërtetë ky qëndrim i autoriteteve osmane ishte i çuditshëm!!!

Shkolla e parë që Shejh Hafiz Ibrahim Dalliu e hapi, ishte ajo e vajzave në vitin 1908, dhe prej aty diplomoi gjenerata e parë e mësueseve muslimane, e cila ndihmoi dukshëm në historinë kulturore e islame të Shqipërisë. Në vitin 1909 u caktua si mësues i gjuhës shqipe në shkollën e mesme në qytetin e Elbasanit në Shqipëri. Në atë shkollë, Shejhu nxënësve ua mësonte edhe gjuhët orientale (arabishten, persishten dhe turqishten). Shejhu bëri një xhihad të madh me shpirt, gjuhë e laps. Ai ishte elokuent, orator i fortë, preciz në fjalë, ndaj dhe si rezultat i ligjëratave dhe hutbeve që i zhvillonte nëpër xhami të ndryshme, fama e tij shumë shpejt u përhap anembanë territoreve shqiptare.

 

Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA

TEFSIRI DHE MUFESSIRËT SHQIPTARË NË KOHËN BASHKËKOHORE
(SHEK 19-20)

[1] Shih më gjerësisht në faqet e tefsirit të thuktë të Sherif Ahmetit: “Kur’ani – përkthim me komentim”, për të parë se si i ka komentuar ajetet e Cilësive të Zotit të Madhërishëm në bazë të metodës maturidite. (Sherif  Ahmeti, “Kur’ani – përkthim me komentim”; Medinë, 1413 H; Arabia Saudite, fq: 32, 88, 260, 322, 452, 524, 589, 590, 603, 617, 663, 665).

[1] Këtu dëshiroj që t’ju sqaroj lexuesve një çështje shumë të rëndësishme. Duke marrë parasysh materialin e shpërndarë shkencor në shumë burime, hulumtime e literaturë rreth jetës së Shejhut Hafiz Ibrahim Dalliut dhe veprave të tij, si dhe duke pasur parasysh të dhënat e pakta, vendosa që të shkruaj rreth jetës dhe veprave të tij në mënyrë të përgjithshme, pa e theksuar literaturën që ka të bëjë me çdo ide ose mendim që e shkruaj, ngase nuk kam gjetur të dhëna të mjaftueshme dhe të kënaqshme në një burim. Po ashtu vendosa që të shënoj literaturën e përdorur në fund të hulumtimit për ata që dëshirojnë më shumë rreth kësaj çështje.

Burimi

0
Shopping Cart (0 items)