Furqan LeadershipFurqan LeadershipFurqan Leadership

Kjo trajtesë ka një rëndësi të veçantë, për lidhjet e drejtpërdrejta që ka lideri i propozuar apo i përzgjedhur për pozitë udhëheqëse. Procesit të zgjedhjes së liderit i paraprijnë testimet[1], takimet dhe intervistat, të cilave duhet t’u nënshtrohet lideri i ardhshëm. Mbikqyrjen e merr përsipër një komision i veçantë, detyrë e të cilit është të hulumtojë rreth këtij lideri; tia shqyrtojë hollësisht tiparet, sjelljet, qëndrimet, mendimet, raportet e tij me Zotin, me njerëzit, veçmas me familjen, në mënyrë që të njihet sa më mirë me personalitetin e tij.

Nëse raportet e tij me Zotin janë në nivel të dëshiruar, atëherë ato reflektojnë pozitivisht edhe në raportet me familje e shoqëri, përndryshe jo. Ky trekëndësh raportesh (me Zotin, familjen dhe shoqërinë) është i mbyllur dhe nuk funksionon ndryshe pos si tërësi dhe është konstelacion i pashmangshëm!

Arsyeja kaq e hollësishme e tipareve të tij, qëndron në faktin se ky lider do të luajë një rol dhe detyrë shumë të rëndësishme si drejtues në vendin që menaxhon, qoftë organizatë ushtarake, civile, fetare,politike apo akademike. Influenca e tij tek vartësit dhe pasuesit në realizimin e synimeve dhe objektivave të organizatës është e madhe. Kjo arrihet falë tipareve, shkathtësive dhe aftësive që ka ky lider i ardhshëm.

Për këtë shkak dhe në mënyrë që të mos marrim vendime të nxituara e joreale (të krijuara mbi iluzione, opinione të dyshimta, interesa personale, ryshfet, nepotizëm etj, pasojat e të cilave do t’i bartnim ne më vonë), sepse përzgjedhja e liderit duhet t’i nënshtrohet këtij procesi dhe filtrimi. Këtë mungesë parametrash e hasim sot në shumë institucione tona akademike, administrative, politike, shoqërore, ekonomike e fetare, si pasojë e emërimeve të kandidatëve të padenjë, të pakualifikuar dhe të panënshtruar këtij procesi zgjedhor me standarde të qarta e të përcaktuara botërore. Nga vorbulli i antivlerave nuk dilet duke qenë peng i parimeve të pavlera, i shpërfilljes së konditave – amanetit fetar e shoqëror, dhe duke injoruar kushtet që duhet t’i përmbushë paraprakisht një lider.

Këtu, duke u nisur nga parimi se e vërteta nuk duhet zvarritur në kohën kur nevoja për ta proklamuar atë është imediate, më duhet tju sjell një përvojë të hidhur personale; Po e sjell për hir të Zotit, mëpastaj si dokument historik, këshillë dhe mësim.

Përgjatë tre dekadave të kaluara të angazhimit dhe përvojës time akademike dhe fetare, brenda dhe jashtë vendit, më saktë në vendlindjen time në Prizren dhe në fakultete teologjike të universiteteve me renome botërore (në dy vende të Azisë Juglindore edhe në dy vende të Shteteve të Gjirit),  ku jam takuar dhe kam punuar me individë që kanë ushtruar poste të larta fetare e akademike, për të cilët me keqardhje dhe me shumë përgjegjësi kam konkluduar se janë stafi më i papërgatitur për nga pregaditja administrative e profesionale!

Shumica e imamëve, kryetarëve të këshillave vakufnorë nëpër trojet tona ballkanike dhe gjetiu, shefa të departamenteve të ndryshëm universitarë, dekanë të fakulteteve, kanë qenë pothuajse plotësisht të papërgatitur për funksionin që kryejnë! Kam vërejtë dhe kam përjetu se ata nuk kanë bërë as dhe një ditë të vetme mësim, trajnim a studim për parimet e administrimit, shkathtësitë e udhëheqjes, metodat udhëheqëse dhe vendimmarrëse, për mënyrat e zgjidhjes së krizave dhe të problemeve, mënyrat e formimit të një ekipi pune, metodat e trajnimit të mirëfilltë, etj.

Kjo është një e vërtetë e hidhur të cilën nuk mund ta mohojmë megjithëse dhemb! Këto kurse trajnimi nuk kanë qenë pjesë e programeve akademike në fakultetet (teologjike, filologjike) ku kanë mbaruar studimet. Po kështu këto shkathtësi administrative nuk kanë qenë të kërkuara në kuadër të planprogramit akademik, as si lëndë zgjedhore, e aq më pak si lëndë obligative! Mjafton t’u hidhni një shikim indeksit të lëndëve që kanë mësuar dhe të bindeni për mangësitë që kanë!

Kjo është një e vërtetë e pamohueshme. Emërimet e këtyre nëpunësve, imamëve dhe thirrësve (hoxhallarëve mediokër!)  gjithë ky kuadër arsimor, doktorë e profesorë, që janë bërë autoritete të larta u ngjajnë parashutistëve që lëshohen nga aeroplani! Emërimet e tyre nuk janë bërë në përputhje me asnjë kriter! Shumë prej tyre, siç i kam parë personalisht, nuk dinë as ta hapin kompjuterin pa lëre të aplikojnë metodologji bashkëkohore në mësimdhënie apo të zotërojnë ndonjë gjuhë të huaj, pos gjuhës amtare! Zyrat e tyre janë shndërruar në salla pushimi e çlodhjeje, në qendra shpifjesh e thashethemesh, në kafene llafesh e muhabetesh me ushqim e pije, hapsira të qeshurash kumbuese!

Paramendoni tani se çfarë vendimesh mund të merren në ambiente të tilla administrative, mësimore etj. Janë këto vende ku merren vendime jetike: ku dikujt i nënshkruhet kontrata e punës e dikujt tjetër i thyhet kurrizi apo i ndërpritet marrdhënia e punës! Etj.

Këtë problematikë dhe padrejtësi të madhe mund ta vëresh lehtë me përmasa drastike që i kam përjetuar dhe që sot po shkruaj rreth saj . Me këtë rast do të doja të përmend disa vetëm sa për ilustrim:

  • Çështja e pranimit të gradës dhe titullit shkencor me rastin e angazhimit të parë në një institucion shkencor akademik, pavarësisht se ku ke punuar më herët, ose përvoja akademike paraprake. Po kështu edhe vlerësimi administrativ për pozitën e ushtruar më parë.
  • Çështja e përcaktimit të pagës sipas diplomave, kualifikimeve shencore dhe përvojës në mësimdhënie. Ka dallim të madh ndërmjet pagave të profesorëve dhe të doktorëve. Ata, edhe pse bartin titullin e njëjtë ndërkombëtar shkencor, ( M.A., ose Ph.D., )dallojnë në paga, për shkak të vendit ku kanë përfunduar studimet dhe shtetësisë nacionale apo pasaportës që kanë! Çfarë kriteresh janë këto? Çfarë drejtësie është kjo? Ku mbështeten? Cila është baza juridike e këtyre vendimeve të padrejta? Kush ua jep këtë të drejtë të veprojnë sipas qejfeve dhe tekave të tyre? I indinjuar ju them atyre: Janë ligjet tuaja të pabaza që i diktoni sipas interesit! Ju jeni përgjegjësit për emërimet e padrejta e të pamerituara!  Ju jeni shkaku i gjithë kësaj dekadence e prapambeturie! Nëse mendoni se sot do t’i shpëtoni fajit për shkak se edhe në vendet ku duhet të ndahet drejtësia janë bërë emërime mbi këto baza mashtrimi, nepotizmi e interesi, mos harroni se Gjyqit të Allahut nuk i shpëton askush! As ju!
  • Mohimi i meritave nuk ndodhë vetëm me marrjen e detyrës por edhe në fundvit, kur bëhet vlerësimi i angazhimit, i kontributit të mësimdhënësve dhe nëpunësve. Asnjë kriter nuk merret parasysh! Pra, pavarësisht se sa shumë ke punuar, sa shumë je lodhur, çfar suksesi ke arritur, vlerësimit akademik të lartë që ke nga studentët që realizohet online në fund të çdo semestrit akademik; vlerësimi nga autoritetet mbetet i njejtë -joparimor!
  • Avancimi titullar shtyhet dhe zvarritet qëllimshëm! Mohohen mundësitë e pjesëmarrjes në konferenca ndërkombëtare, pavarësisht rregullores ku qartë precizohet kjo e drejtë e mësimdhënësit përderisa ai është i specializuar për atë fushë dhe u përmbahet kritereve, misionit dhe vizionit të institucionit ku punon! Arsyetimi i vetëm që japin është: mungon buxheti! e që nuk është e vërtetë, sepse kjo është e shënuar në kontratën e punës.
  • Mohohet mundësia e përkushtimit të tërësishëm për hulumtim shkencor, pengohen dhëniet e mirënjohjeve dhe të shpërblimeve për ekselencë akademike, profesorët e nëpunësit privohen nga shpërblimet e merituara, në plotkuptim të fjalës! E nën hijen e tërë kësaj shkeljeje të të drejtave akademike, statutore e humane, ripërtrihet apo nuk ripërtrihet kontrata e punës! Imagjinoni sitautën!

Shohim shkelje të shumta nga zyrtarët e drejtuesit administrativë, akademikë e fetarë ndërsa vazhdojnë me jotransparencë, duke mos i dhënë kujt kurrfarë përgjigje! Veprime e vendime personale!

Por e gjithë kjo ndodhë për shkak të mungesës së formimit të tyre individual, e kolektiv, për mungesë të kualifikimit të duhur, të shkathtësive të kërkuara, të kritereve e standardeve!… Pra, fajtor është lidershipi kaotik, skandaloz, i papërgjegjshëm e mosërfillës!

Në faqet që vijojnë do ti analizojmë disa tema dhe kritere shumë të rëndësishme rreth stileve të lidershipit, personalitetit të liderit të preferuar dhe të suksesshëm me qëllim që të mos përsëriten këto gabime dhe që të mos jemi viktima të këtyre liderëve të dështuar, dhe Allahu e di më mirë.

Këshillë që nuk duhet shpërfillur

Duke u nisur nga ky parim administrativ,  nga ky amanet fetar, human e historik, ju këshilloj dhe propozoj sinqerisht që në pozita të tilla (me peshë fetare, akademike, civile, ushtarake, politike) të mos emëroni askë që nuk i plotëson kushtet dhe  kualifikimet e kërkuara sipas standardeve moderne ndërkombëtare në fushën administrative dhe udhëheqëse, që do t’i përmendim në këtë kapitull! Kriteret e ashpëra të procesit zgjedhor të liderit janë për të mirën tonë të përgjithshme (fetare, civile,politike, ushtarake apo akademike)!

Kështu realizojmë synimet dhe objektivat që kemi. Kështu zhdukim dallimet ekzistuese mes liderëve dhe vartësve të tyre, e të cilat jo rrallë çojnë dhe në rrënimin komplet të sistemeve e pushteteve! Dhe në fund, Allahu e di më mirë.

 

Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA

LIDERSHIPI I SUKSESSHËM (sipas vizionit kur’anor dhe studimeve bashkëkohore)


[1]  Ju lutem referohuni testeve dhe pyetsorëve të pregaditura në këtë kapitull, janë me rëndësi të madhe, dhe mos gaboni kurrë me caktue ndonjë lider në ndonje post fetar,akademik,politik,civil apo ushtarak, pa iu nënshtruar këtyre testeve, në mënyrë që ta zbulojmë personalitetin i tij real, dhe Allahu e di më mirë.

Burimi

0
Shopping Cart (0 items)